Dy palët së fundmi u përballën edhe një herë përmes krizës së trenit, ndërkohë që përmes deklaratave të ashpra shkaktuan edhe më tepër tensionimin e marrëdhënieve të ndishme mes tyre
Sibel Vezaj,Dzihat Aliju,Kayhan Gül
Tensionet dhe problemet mes Serbisë dhe Kosovës kanë vazhduar kohë pas kohe që nga lufta në Kosovë në vitet 1998-1999, raporton Anadolu Agency (AA).
Dy palët së fundmi u përballën edhe një herë përmes krizës së trenit, ndërkohë që përmes deklaratave të ashpra shkaktuan edhe më tepër tensionimin e marrëdhënieve të ndishme mes tyre.
Në vitin 1998, forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe ndërmorën fushatë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila u krijua si mobilizim popullor për çlirimin e Kosovës, e cila mori fund pas bombardimit të ish-Jugosllavisë nga NATO në vitin 1999. Në luftë u vranë mbi dhjetë mijë shqiptarë, ndërsa afër 800 mijë shqiptarë braktisën shtëpitë e tyre.
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e vendosi Kosovën në administrim kalimtar nga Misioni i Përkohshëm Administrativ i OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe u krijua një hapësirë civile dhe e sigurisë nën kujdesin e OKB-së.
Kriza më e madhe pas luftës mes Kosovës dhe Serbisë ndodhi në vitin 2004, me fillimin e trazirave të njohura si “Trazirat e Marsit”. Ngjarjet filluan pasi dy fëmijë shqiptarë humbën jetën në lumin Ibër, te fshati Çabër i Komunës së Zubin Potokut, e cila ndodhet në veri të Kosovës.
Ndërsa dëshmitarët okularë pohuan se këta fëmijë shqiptarë ishin ndjekur nga serbët lokalë. Pas kësaj ngjarjeje në tërë Kosovën u organizuan protesta. Shqiptarët dogjën shtëpi e kisha serbe ndërsa edhe serbët sulmuan shqiptarët që jetonin në vende me shumicë të popullsisë serbe.
Gjatë incidenteve, humbën jetën 19 persona, edhe atë 11 shqiptarë dhe tetë serbë, ndërsa qindra të tjerë u lënduan.
Si rezultat i dëmtimit të shtëpive, mijëra serbë dhe romë të Kosovës u shpërngulën nga pronat e tyre.
Pas këtyre trazirave, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i dha detyrën norvegjezit Kai Eide si i dërguar i posaçëm i OKB-së në Kosovë, për të bërë hartimin e një raporti që do të pasqyronte situatën në Kosovë.
Në vitin 2005, Eide në raportin e tij rekomandoi se ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës. Në fund të vitit 2005 filloi procesi i udhëhequr nga OKB-ja me qëllim të përcaktimit të statusit final të Kosovës.
Po atë vit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovoi emërimin e Martti Ahtisaarit nga sekretari gjeneral Kofi Annan, si përfaqësues i posaçëm për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Pas mosarritjes së rezultateve nga bisedimet në Vjenë për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve, Martti Ahtissari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur.
Ndërkaq, Serbia kundërshtoi Planin e Ahtisaarit dhe propozoi për Kosovën “autonomi të mbikëqyrur”.
Shpallja e pavarësisë
Në bazë të Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit dhe duke u thirrur në Rezolutën 1244, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Serbia nuk pranoi pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që në pjesën veriore të banuar me serbë u organizuan protesta. Në protestat në Beograd u dogjën flamujt e shteteve të BE-së, ndërkohë që u ndërmorrën sulme edhe ndaj disa ndërtesave të ambasadave.
Ndërkaq, në veri të Kosovës, në pjesën e qytetit të Mitrovicës, të banuar me serbë, pati protesta të mëdha, me ç’rast u shkatërruan dy pikëkalime kufitare në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Tensioni tjetër mes dy vendeve ndodhi në vitin 2011. Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, të njohura si “ROSU”, të ndërhyjnë në veri të Mitrovicës për t’i marrë nën kontroll pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë, të cilat deri në atë kohë kontrolloheshin serbët.
Në këtë aksion të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, jetën humbi njëri prej pjesëtarëve të saj të shquar, Enver Zymberi, pas plagëve të marra nga pala serbe. Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthimin e kontrollit në pikat kufitare, Serbia filloi të vendosë barrikada në pjesët veriore të Mitrovicës.
Fillimi i procesit të dialogut
Me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, filloi dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së. Më 2 dhjetor 2011, u arrit Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në të gjitha gjashtë pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Në vitin 2013, mes Kosovës dhe Serbisë u arrit marrëveshja e parë historike, si bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Marrëveshja përfshinte integrimin e qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës, duke shpërbërë strukturat ilegale serbe që operonin në Kosovë.
Pas kësaj marrëveshjeje, për herë të parë pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, zgjedhjet lokale u mbajtën në mbarë Kosovën, përfshirë edhe katër komunat veriore me shumicë serbe.
Përderisa nga viti 2011 me fillimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u nënshkruan disa marrëveshjne me ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2016 gjendja mes dy shteteve filloi përsëri të tensionohet.
Fillimisht, kriza u shkaktua nga çështja e privatizimit të minierës së Trepçës në afërsti të qytetit të Mitrovicës. Qeveria miratoi Ligjin për Trepçën, sipas të cilit Qeveria e Kosovës posedon 80 përqind të pronësisë së minierës, kurse punëtorët 20 përqind të saj.
Pas këtij vendimi reagoi edhe qeveria serbe duke konsideruar se ky vendim është i pavlefshëm. Ndërkaq, Lista Serbe në Kosovë ngriu punën në institucionet e Kosovës, duke e vlerësuar vendimin si ilegal dhe duke theksuar se nuk njohin asnjë vendim të marrë për Trepçën.
Gjendja u tensionua edhe më tej me arrestimin e drejtorit të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçi, në hyrje të Serbisë në Konçul, me një urdhër arrest të vitit 2010 të lëshuar nga Gjykata e Nishit. Pas më shumë se një muaj arresti, Thaçi u lirua nga paraburgimi.
Edhe viti 2017 filloi me tensione
Viti 2017 nuk filloi mbarë në marrëdhëniet mes dy shteteve.
Në ditët e para të këtij viti u bë ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës dhe ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze me urdhërarrest të Serbisë të vitit 2004.
Gjersa qeveria serbe kërkoi ekstradimin e Haradinajt, autoritetet kosovare kërkuan lirimin e tij.
Pas rreth një jave, Haradinaj u lirua me kusht nga autoritetet franceze. Ndërkaq, gjykata franceze deklaroi se është në pritje të dokumenteve të nevojshme nga Serbia.
Ndalimi i Haradinajt si njëri nga simbolet e luftës në Kosovë, krijoi tensionim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Derisa në pjesën verirore të qytetit të Mitrovicës u sulmuan zyrat e Qeverisë së Kosovës, së fundmi, kriza e trenit më 14 janar shkaktoi një “luftë deklaratash”.
Treni, i cili u nis më 14 janar me qëllim të promovimit të linjave që ishin planifikuar të realizohen nga Beogradi për në Mitrovicë, u kthye mbrapa pasi tentoi të hynte në Kosovë pa marrë leje.
Në tren ishin shënuar mbishkrime “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë, ndërsa ishte ngjyrosur me ngjyra të flamurit serb. Pas nisjes nga Beogradi, treni u ndal në qytetin Rashka në largësi prej dhjetë kilometrash nga kufiri me Kosovën, ndërsa më pas u nis drejt pikës së nisjes.
Pas krizës së trenit, palët thuajse nuk kursyen fjalët, ndërkohë që shprehën edhe mundësinë e luftës.
Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq u shpreh se “Në luftë bashkangjitem së bashku me djemtë e mi”, ndërkohë që ministri i Brendshëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se në marrëdhëniet me Serbinë ka vetëm dy mundësi, e ato janë “Ose dialog, ose luftë”.