Qeveria e Kosovës emëroi sot Xhelil Bekteshin zëvendësdrejtor të Aviacionit Publik të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë Xhelil Bekteshi u emërua zëvendësdrejtor i Aviacionit Publik.
Propozimin për ta vendosur Xhelilin në këtë pozitë e dha ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku.
Xhelil Bekteshi deri tani ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.
Ai më herët, gjatë kohës sa Prishtinën e udhëhiqte kryeministri i tanishëm Isa Mustafa, ka qenë drejtor i Drejtorisë për Financa.
Në profilin e tij në Facebook, Xhelil Bekteshi shpërndau fotografi së bashku me Isa Mustafën duke e titulluar fotografinë me emërtimin “With our Leader” që ta përkthesh në gjuhën shqipe do të thotë “Me liderin tonë”
Në anën tjetër ai ka shpërndarë fotografi të Isa Mustafës edhe gjatë vitit 2014, kur Mustafa ishte i papunë.
“Akademik Isa Mustafa me 100% të votave nominohet për Kryeministër të Kosovës. Vazhdojmë…!!!”, kishte shkruar ai në shkurt të 2014.
Në mbledhjen e qeverisë, përveç emërimit të Bekteshit u vendos që të ndahen 6800 euro për t’i përkrahur disa studentë të Universitetit të Prishtinës që do të marrin pjesë në konferencën e organizuar nga Universiteti i Harvardit në SHBA.