Kur pyesim “Kush e sundon botën?” zakonisht ne përdorim normën standarde që aktorët në çështjet botërore janë shtetet, së pari fuqitë e mëdha, dhe ne trajtojmë vendimet dhe marrëdhëniet e tyre. Kjo nuk është gabim. Por do të ishte mirë të mos harronim që ky nivel abstragimi mund të jetë shumë çorientues.
Shtetet sigurisht që kanë struktura të brendshme, dhe zgjedhjet dhe vendimet e udhëheqjes politike influencohen shumë nga përqendrimi i pushtetit të brendshëm, ndërsa popullsia e gjerë është e margjinalizuar. Kjo është e vërtetë dhe për shoqëritë demokratike, dhe sigurisht për të tjerat. Ne nuk mund të kemi një njohje realiste për njerëzit që sundojnë botën ndërsa injorojmë “mjeshtrit e njerëzimit”, siç i quajti Adam Smith: në kohën e tij, tregtarët dhe prodhuesit e Britanisë; në kohën tonë, konglomeratet multinacionale, institucionet e mëdha financiare, perandoritë e tregtisë, dhe të ngjashmet. Sërish duke ndjekur Smith-in, është gjithashtu me vend të kemi parasysh “moton e turpshme” ndaj të cilës janë të përkushtuar “mjeshtrit e njerëzimit”: “Gjithçka për vete dhe asgjë për të tjerët” – një doktrinë e njohur ndryshe po aq luftë klase pa ndërprerje, shpesh e njëanshme, më së shumti në dëm të popullit të vendit të tyre dhe botës.
Në rendin botëror të tanishëm, institucionet e mjeshtërve zotërojnë pushtet të madh, jo vetëm në arenën ndërkombëtare, por dhe brenda shteteve përkatëse, tek të cilët ata mbështeten të mbrojnë pushtetin e tyre dhe të ofrojnë pushtet ekonomik përmes një sërë mjetesh të ndryshme.
Kur vëzhgojmë rolin e mjeshtërve të njerëzimit, ne kthehemi te prioritete shtetërore të momentit si Trans-Pacific Partnership, një nga marrëveshjet për të drejtat e investitorëve të etiketuar qëllimisht “marrëveshje të tregtisë së lirë” në propagandë e komente. Ato negociohen në fshehtësi, veç qindra avokatëve dhe lobistëve të korporatave që shkruajnë detajet kryesore. Qëllimi është që ato të zbatohen në stil stalinist të mirë me procedura të shpejta të projektuara të bllokojnë diskutimin dhe lejojnë vetëm zgjedhjen po ose jo (shkurt, po). Nuk është habi që projektuesit kanë sukses. Njerëzit janë rastësorë, me rrjedhojat që merren me mend.
Superfuqia e dytë
Programet neoliberale të brezave në të shkuarën kanë përqendruar kapital dhe pushtet në më pak duar, ndërsa kanë dëmtuar demokracinë funksionale, por ata kanë krijuar dhe opozitë, më të dallueshme në Amerikën Latine, por dhe në qendrat e pushtetit global. Bashkimi Evropian (BE), një nga zhvillimet më premtuese në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, ka ecur me hope për shkak të ndikimit të ashpër të politikave të shtrëngimit gjatë periudhës së recesionit, të dënuara dhe nga ekonomistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (edhe pse jo nga aktorët politikë të vetë FMN). Demokracia u dëmtua me transferimin e vendimmarrjes te burokracia e Brukselit, me bankat e veriut që lëshuan hijen e tyre mbi procedurat.
Partitë kryesore, të majta e të djathta, e kanë humbur anëtarësinë me shpejtësi. Drejtori ekzekutiv i grupit kërkimor me qendër në Paris, EuropaNova, ia atribuon largimin e përgjithshëm të anëtarësisë për shkak “të një fryme paaftësie ndërsa pushteti i vërtetë për t’u dhënë formë ngjarjeve kaloi nga liderët kombëtarë [të cilët, në parim, u nënshtrohen parimeve demokratike] te tregu, institucionet e BE dhe korporatat,” goxha në përputhje me doktrinën liberale. Procese të ngjashme po ndodhin në SHBA, thuajse për arsye të përafërta, një çështje me rëndësi dhe për t’u shqetësuar për vendin, por, për shkak të fuqisë së SHBA, dhe për botën.
Rritja e opozitës ndaj sulmit neoliberal nxjerr në pah një tjetër aspekt kyç të mendimit standard: e shtyn anash publikun, i cili shpesh nuk e pranon rolin e “spektatorëve” (në vend të “pjesëmarrësve”) që i ka caktuar teoria demokratike liberale. Kjo mosbindje ka qenë shqetësuese gjithmonë për klasat dominuese. Thjesht të qëndrojmë te historia amerikane, George Washington i konsideronte njerëzit e thjeshtë që formonin trupat ushtarake që ai komandonte si “njerëz të pistë e të ndyrë, një lloj idiotësie e pavlerësuar në klasat e ulëta të këtyre njerëzve.”
Në librin Violent Politics [Politikë e Dhunshme], një analizë mjeshtërore nga “kryengritja amerikane” deri te ajo bashkëkohore në Afganistan dhe Irak, William Polk arrin në përfundimin që gjenerali Washington “u bë kaq nervoz prej ushtarëve që urrente saqë shkoi pranë humbjes së revolucionit.” Ai “mund të kishte humbur” nëse Franca nuk do të kishte investuar pasivisht dhe “shpëtoi revolucionin”, i cili deri atëherë ishte fituar nga guerilet – të cilët tani ai i quante “terroristë” – ndërsa ushtria e Washington-it në stilin britanik humbte betejë pas beteje e gati humbi luftën.”
Një karakteristikë e veçantë e kryengritjeve të suksesshme, shkruan Polk, pasi mbështetja popullore shpërbëhet pas fitores, udhëheqja i shtyp “njerëzit e pistë e të ndryrë”, të cilët faktikisht fituan luftën me taktika guerile dhe terror, nga frika mos ata sfidojnë privilegjin klasor. Urrejtja e elitës për “njerëzit e klasës së ulët” ka marrë forma të ndryshme në vite. Në kohët të fundit një shprehje e kësaj urrejtje është thirrja për pasivitetet dhe bindje (“moderacioni në demokraci”) nga internacionalistët liberalë në reagim ndaj efekteve demokratizuese të lëvizjes popullore të viteve 1960.
Herë-herë shtetet zgjedhin të ndjekin opinionin publik, duke shkaktuar zemërim në qendrat e pushtetit. Një rast dramatik ishte më 2003, kur administrata Bush i bëri thirrje Turqisë t’i bashkohej pushtimit të Irakut. Nëntëdhjetë për qind e turqve ishin kundër këtij veprimi, dhe për habi e tmerr të Washington-it, qeveria turke e respektoi këtë opinion. Turqia u dënua për tërheqjen e saj nga sjellja e përgjegjshme. Zv/sekretari i Mbrojtjes Paul Wolfowitz [SHBA] e kritikoi ushtrinë turke dhe kërkoi të kërkohej falje. Pa u shqetësuar nga kjo dhe raste të panumërta të “etjes sonë për demokraci”, komentuesit e respektuar vazhduan ta lavdëronin presidentin George W. Bush për përkushtimin e tij ndaj “përhapjes së demokracisë”, ose herë-herë e kritikonin për naivitet që mendonte se një fuqi e jashtme mund të impononte demokracinë te të tjerët.
Publiku turk nuk ishte vetëm. Opozita globale kundër agresionit të SHBA dhe Britanisë ishte e madhe. Mbështetja për planet e Washington-it për luftë nuk merrte më shumë se 10 për qind kudo, sipas sondazheve ndërkombëtare. Kundërshtimi nxiti protesta në gjithë botën, ashtu dhe në SHBA, ndoshta hera e parë që një agresion perandorak u kundërshtua me forcë para se të niste zyrtarisht. Në faqen e parë të New York Times, gazetari Patrick Tyler shkroi se “se ende mund të ketë dy superfuqi në planet: SHBA dhe opinioni publik.”
Protesta e pashoqe në SHBA ishte manifestim i kundërshtimit ndaj agresionit që nisi dekada më herët me dënimin e luftërave të SHBA në Indokinë, i cili arriti një shkallë që pati ndikim, megjithëse me vonesë. Deri më 1967, kur lëvizja kundër luftës po bëhej një forcë me rëndësi, historiani ushtarak dhe specialisti për Vietnamin Bernard Fall paralajmëroi që “Vietnami si një entitet kulturor dhe historik… po rrezikohej të zhdukej… [ndërsa] peizazhi shkatërrohet nga shpërthimet e makinës ushtarake më të madhe e parë ndonjëherë në një zonë me madhësinë e tij.”
Por lëvizja kundër luftës u bë një forcë që nuk mund të anashkalohej. Nuk mund të anashkalohej as kur Ronald Regan mori detyrën i vendosur të niste një sulm mbi Amerikën Qendrore. Administrata e tij imitonte hapat që John F. Kennedy kishte hedhur 20 vjet më herët me sulmin kundër Vietnamit të Jugut, por iu desh të tërhiqej për shkak të protestave publike që në vitet 1960 mungonin. Sulmi i tmerrshëm. Viktimat ende nuk e kanë marrë veten.
Shpesh mbrohet ideja që kundërshtimi i madh publik ndaj pushtimit të Irakut nuk pati ndikim. Për mua kjo nuk është e saktë. Pushtimi ishte i tmerrshëm, dhe pasojat e tij groteske. Megjithatë, mund të kishte qenë më keq. Zv/presidenti Dick Cheney dhe Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe pjesa tjetër e zyrtarëve të lartë të Bushit nuk do t’i kishin shkuar kurrë në mend ato lloja masash që morën presidenti Kennedy dhe Lyndon Johnson 40 vjet më herët, thuajse pa kundërshtime.
Pushteti perëndimor nën presion
Ka shumë për të thënë, sigurisht, për faktorët në përcaktimin e politikave shtetërore që lihen mënjanë kur ne përdorimin përcaktimin standard që shtetet janë aktorët në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pastaj menjëherë pyetja kush sundon botën na çon menjëherë te shqetësime të tilla si ngritja e fuqisë së Kinës, sfida e saj për SHBA dhe “rendin botëror”, luftën e ftohtë të re që po nxehet në Evropën lindore, luftën globale kundër terrorit, hegjemoninë amerikane dhe rënien amerikane, etj.
Sfidat me të cilat përballen fuqitë perëndimore në fillim të 2016-ës janë përmbledhur nga Gideon Rachman, shefi i kolumnistëve për politikën e jashtme i gazetës britanike Financial Times. Ai nis me një këqyrje të panoramës perëndimore për rendin botëror: “Që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, fakti qendror i politikës ndërkombëtare ka qenë fuqia ushtarake e SHBA.” Kjo veçanërisht e rëndësishme në rajone si: Azia Lindore, ku “ku marina e SHBA është mësuar ta trajtojë Paqësorin si ‘liqen amerikan’”; Evropë, ku Nato – nënkupto SHBA, e cila “është përgjegjëse për tre të katërtat e shpenzimeve të Natos” – “garanton integritetin territorial të shteteve anëtare”; dhe në Lindjen e Mesme, ku bazat gjigante ajrore dhe detare amerikane “ekzistojnë të garantojnë miqtë dhe të trembin rivalët.”
Problemi me rendin e tanishëm botëror, vazhdon Rachman, është se “siguria po sfidohet në të tre rajonet” për shkak të ndërhyrjes ruse në Ukrainë dhe Siri, dhe për arsye se Kina po i kthen detet afër saj nga liqene amerikane në “ujëra qartësisht të diskutueshme.” Atëherë, çështja themelore e marrëdhënieve ndërkombëtare është nëse SHBA duhet të “pranojë që fuqitë e tjera të mëdha duhet të kenë një farë zone influence në rajonet fqinje me to” apo jo. Rachman mendon se po, për arsye të shpërndarjes së pushtetit ekonomik në botë – kombinuar me logjikën e thjeshtë.”
Bota mund të shikohet nga këndvështrime të ndryshme, por le të ndalemi te këto tre rajone, me të vërtetë më të rëndësishmet.
Sfidat e sotme: Azia Lindore
Duke filluar me “liqenin amerikan”, duhet parë me dyshim raporti i dhjetorit 2015 që “një bombardues amerikan B-52, gjatë një misioni rutinë mbi Detin e Kinës Jugore, fluturoi pa dashje dy milje brenda kufirit të një ishulli artificial të ndërtuar nga Kina, thanë zyrtarë të lartë të mbrojtjes, që ngacmoi një çështje të nxehtë për Uashingtonin dhe Pekinin.” Ata që e njohin historinë 70 vjeçare të epokës së armëve bërthamore e kanë të qartë që ky është nga ai lloj incidentesh që ka çuar pranë nisjes së luftës bërthamore. Nuk është nevoja të jesh përkrahës i veprimeve provokative dhe agresore të Kinës në Detin e Kinës Jugore për të vënë re që incidenti nuk bënte fjalë për fluturimin e një bombarduesi, i aftë të lëshojë bomba atomike, në Karaibe, ose në bregun e Kalifornisë, ku Kina nuk ka asnjë pretendim të krijojë “një liqen kinez”. Fatmirësisht për gjithë botën.
Udhëheqësit kinezë e kuptojnë fare mirë që rrugët detare të tregtisë për vendin e tyre janë mbushur me fuqi armiqësore nga Japonia, përmes ngushticës Malacca e më tej, mbështetur nga fuqia ushtarake e SHBA. Si reagim, Kina përpiqet të zgjerohet në drejtim të perëndimit me investime dhe lëvizje të kujdesshme drejt integrimit. Pjesërisht këto zhvillime janë brenda kornizës së Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO), e cila përfshin Azinë Qendrore dhe Rusinë, së shpejti India dhe Pakistani dhe me Iranin si një nga vëzhguesit – një status që nuk iu dha SHBA, të cilës iu bë dhe thirrje të mbyllte bazat ushtarake në rajon. Kina po ndërton një version modern të rrugës së lashtë të mëndafshit, me qëllim jo vetëm të integrojë rajonin nën ndikimin e Kinës, por dhe të arrijë rajonet e pasura me naftë në Lindjen e Mesme dhe Evropën. Ajo po derdh para të shumta për të krijuar një sistem tregtar dhe energjetik aziatik të integruar, së bashku me hekurudha të shpejta dhe linja naftësjellësi.
Një nga elementët e programit është një autostradë përmes disa nga malet më të larta në botë deri në portin Gwadar në Pakistan, i ndërtuar nga kinezët, e cila do të mbrojë ngarkesat me naftë nga ndërhyrjet e mundshme amerikane. Kina dhe Pakistani shpresojnë që ky program do të nxitë dhe zhvillimin industrial në Pakistan, gjë që SHBA nuk e ka bërë, pavarësisht ndihmës ushtarake, dhe mund të shërbejë gjithashtu si nxitje për Pakistanin që të luftojë terrorizmin e brendshëm, një çështje serioze për Kinën në rajonin perëndimor Xinjiang. Porti Gwadar do të jetë pjesë e “gjerdanit të perlave” të Kinës, së bashku me bazat për qëllime tregtie dhe ushtarake që ndërtohen në Oqeanin Indian, me pritshmërinë që një ditë Kina të jetë e aftë të rrezatojë ndikim deri në Gjirin Persik, për herë të parë në epokën moderne.
Të gjitha këto lëvizje nuk rrezikohen nga fuqia e madhe ushtarake e Uashingtonit, me përjashtim të zhdukjes nga lufta bërthamore, e cila do të shkatërronte SHBA gjithashtu.
Më 2015, Kina krijoi Bankën Aziatike të Investitmeve në Infrastrukturë (AIIB), vetë ajo si aksionere kryesore. Pesëdhjetë e gjashtë shtete morën pjesë në hapjen e saj në Pekin në qershor, përfshi dhe aleatët e SHBA, Britania dhe të tjerë që shkuan kundër dëshirës së Uashingtonit. SHBA dhe Japonia mungonin. Disa analistë mendojnë se banka e re mund të jetë konkurente e FMN dhe Bankës Botërore. Ka disa parashikime që SCO mund të bëhet e ngjashme me Naton.
Sfidat e sotme: Evropa Lindore
Duke u kthyer te rajoni i dytë, Evropa Lindore, ka një krizë mes kufirit Nato-Rusi. Nuk është çështje e vogël. Në studimin e tij shkencor për rajonin, Frontline Ukraine: Crisis in the Borderlands, Richard Sakwa shkruan se “lufta Rusi-Gjerogji në gusht 2008 ishte lufta e parë për të frenuar zgjerimin e Natos; kriza e Ukrainës e 2014-ës është e dyta. Nuk dihet nëse njerëzimi do të përballojë një të tretë.”
Perëndimi e shikon zgjerimin e Natos si të dëmshëm. Rusia, me shumicën e vendeve të Hemisferës Jugore, ka një mendim tjetër, ashtu si disa zëra të shquar në Perëndim. George Kennan e ka quajtur zgjerimin e Natos si “gabim tragjik”, dhe së bashku me politikanë të lartë amerikanë i drejtuan një letër të hapur Shtëpisë së Bardhë, duke e përshkruar politikën e saj si “gabim politik me përmasa historike.”
Kriza e tanishme e ka origjinën në vitin 1991, me fundin e Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Asokohe kishte vizione të ndryshme për sistemin e sigurisë dhe ekonominë politike të Euroazisë. Sipas Sakwa-s, njëri vizion ishte për një “Evropë më të gjerë, me BE si bërthamë, por e njëjtë me komunitetin politik dhe zonën e sigurisë euroatlantike; dhe vizioni tjetër ishte ideja e “Evropës së Madhe”, Evropa kontinentale, nga Lizbona në Vladivostok, që ka disa qendra, përfshi Brukselin, Moskën dhe Ankaranë, por me një qëllim të përbashkët për të tejkaluar ndarjet tradicionale që kanë molepsur kontinentin.”
Lideri sovjetik Mikhail Gorbaçov ishte përkrahës më i madh i Evropës së Madhe, një koncept që i kishte rrënjët në golizëm (De Goli) dhe inciativa të tjera. Megjithatë, ndërsa Rusia u shemb nën reformat e rënda të tregut të lirë në vitet 1990, ky vizion u zbeh, dhe u ringjall kur Rusia nisi të marrë veten dhe të kërkojë një vend në skenën botërore në drejtimin e Vladimir Putinit, i cili, së bashku me bashkëpunëtorin e Dmitri Medvedev, vazhdimisht i bënë “thirrje për bashkimin gjeopolitik të gjithë Evropës së Madhe nga Lizbona në Vladivostok, për të krijuar një partneritet strategjik të vërtetë.”
Këto iniciativa u “mirëpritën me urrejtje të sjellshe”, shkruan Sakwa, u konsideruan si “asgjë më shumë se mbulesë për krijimin e Rusisë së Madhe, në fshehtësi” dhe një përpjekje për të përçarë Amerikën e Veriut me Evropën Perëndimore.
Këto shqetësime e kanë fillin që te dyshimet e hershme për Luftën e Ftohtë, kur mendohej që Evropa mund të bëhej një “forcë e tretë” e pavaruar nga superfuqia kryesore dhe superfuqia e dytë duke krijuar lidhje më të forta me të dytën (siç mund të shihet në Ostpolitikën e Vili Brandit dhe iniciativave të tjera).
Reagimi i perëndimorëve ndaj shembjes së Rusisë ishte triumfalist. U trumbetua si shenjë e “fundit të historisë”, fitorja përfundimtare e demokracisë kapitaliste perëndimore, sikur Rusisë i thuhej të kthehej në statusin e saj para Luftës së Parë Botërore, thuajse një koloni ekonomike e Perëndimit. Zgjerimi i Natos nisi menjëherë, duke shkelur premtimet verbale që iu bënë Gobaçovit që forcat e Natos nuk do të lëviznin “një centimetër drejt lindjes”, pasi i pranoi që Gjermania e bashkuar të bëhej anëtare e Natos – një lëshim i madh, nën dritën e historisë. Ai diskutim u bë për Gjermaninë lindore. Mundësia që Nato mund të zgjerohej përtej Gjermanisë nuk u diskutua me Gorbaçovin, edhe nëse privatisht mund të jetë menduar.
Shumë shpejt Nato nisi të lëvizte drejt Lindjes, deri në kufijtë e Rusisë. Misioni i përgjithshëm i Natos u ndryshua zyrtarisht në mandat për mbrojtjen e “infrastrukturës së rëndësishme” të sistemit botëror të energjisë, portet dhe naftësjellësat, duke i dhënë kështu një zonë veprimi globale. Për më tepër, pas rishikimit të rëndësishëm perëndimor të doktrinës shumë të trumbetuar të “përgjegjësi për mbrojtje”, shumë i ndryshëm nga versioni i OKB, Nato mund të shërbejë si fuqi ndërhyrëse nën komandën e SHBA.
Shqetësuese për Rusinë janë planet e zgjerimit të Natos deri në Ukrainë. Këto plane u artikuluan hapur në samitin e Natos në Bukuresht në prill 2008, kur Gjerogjisë dhe Ukrainës iu premtua anëtarësim i plotë në Nato. Zgjedhja e fjalëve s’linte dyshime: “Nato mirëpret aspiratat eruroatlantike të Ukrainës dhe Gjerogjisë për anëtarësim në Nato. Sot ramë dakord që këto vende do të bëhen anëtare të Natos.” Me fitoren e revolucionit portokalli, me kandidatë properëndimorë në Ukrainë më 2004, përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit të SHBA Daniel Fried vizitoi menjëherë Ukrainën dhe “theksoi mbështetjen e SHBA për aspiratat euroatlantike të Ukraninës”, sipas një raporti të WikiLeaks.
Shqetësimet e rusëve janë lehtësisht të kuptueshme. Studiuesi John Mearsheimer shkruan në Foreign Affairs: “Rrënja e krizës së tanishme [në Ukrainë] është zgjerimi i përkushtimit të Uashingtonit të nxirrte Ukrainën nga orbita e Moskës dhe ta integronte në Perëndim,” gjë që Putini e pa si “një kërcënim direkt të interesave të Rusisë.”
“Kush mund ta fajësojë atë?” Mearsheimer pyet, duke theksuar që “Uashingtoni mund të mos e pëlqejë pozicionin e Moskës, por duhet të kuptojë logjikën pas kësaj.” Kjo nuk duhet të jetë shumë e vështirë. Tek e fundit, siç e dinë të gjithë, “SHBA nuk lejon fuqi të mëdha të largëta të vendosin forca ushtarake askund në hemisferën perëndimore, aq më pak pranë kufijve të saj.”
Në fakt, qëndrimi i SHBA është shumë më i fortë. Ajo nuk toleron atë që zyrtarisht quhet “kundërshtim i suksesshëm” i Doktrinës Monroe të 1823-it, që deklaroi (por pa e zbatuar ende) kontrollin e SHBA mbi hemisferën. Dhe një vend i vogël që guxon të sfidojë këtë doktrinë mund të përballet me “tmerret e tokës” dhe një embargo shkatërruese – siç i ndodhi Kubës. Nuk është nevoja të pyesim si do të kishte reaguar SHBA nëse vendet e Amerikës Latine do të ishin anëtarësuar në Traktatin e Varshavës, me plane që dhe Meksika dhe Kanadaja të anëtarësoheshin gjithashtu. Shenja më e vogël e hapave të parë testues në atë drejtim do të kishin “marrë fund me paragjykim ekstrem”, që përshtat termin e CIA-s.
Si në rastin e Kinës, nuk është e nevojshme t’i konsiderosh lëvizjet dhe motivet e Putinit si të favorshme për të kuptuar logjikën pas tyre, dhe për të rrokur rëndësinë e të kuptuarit të asaj logjike në vend të lëshimit të mallkimeve kundër saj. Si në rastin e Kinës, shumë gjëra janë në rrezik, që shkojnë deri-fjalë për fjalë-në çështjen e mbijetesës.
Sfidat e sotme: Bota islamike
Le të kthehemi te rajoni i tretë me rëndësi të madhe, bota (kryesisht) islamike, njëkohësisht dhe skena e Luftës Globale Kundër Terrorit (GWOT) që George W. Bush shpalli më 2001 pas sulmeve të 11 shtatorit. Të jem më i saktë, e ri-deklaroi. GWOT ishte deklaruar nga qeveria e Reganit kur mori detyrën, me një retorikë të nxehtë për një “malarie të përhapur nga kundërshtarë të privuar nga vetë civilizimi” (si u shpreh Regani) dhe një “kthim te barbarizmi në epokën moderne” (fjalët e George Shultz, sekretari i tij i shtetit. GWOT origjinale është zhdukur në heshtje nga historia. Ajo u kthye menjëherë në një luftë terroriste shkatërrimtare dhe vrastare që preku Amerikën Qendrore, Afrikën jugore, dhe Lindjen e Mesme, me pasoja të errëta për të tashmen, gjë që çoi dhe dënimin e SHBA nga Gjykata Ndërkombëtare (që Uashingtoni e hodhi poshtë). Sidoqoftë, nuk është një histori e përshtatshme për historinë, prandaj është flakur.
Suksesi i versionit Bush-Obama të GWOT mund të vlerësohet me inspektim direkt. Kur u deklarua lufta, shënjestrat terroriste ishin kufizuar në një cep të vogël të Afganistanit fisnor. Ata mbroheshin nga afganët, që kryesisht i urrenin ose i përbuznin, nën kodin e mirëpritjes – gjë që i hutonte amerikanët kur fshatarët e varfër nuk pranuan “ta dorëzonin Osama bin Ladenin për një shumë, për ata, astronomike, 25 milionë dollarë.”
Ka arsye të forta për të besuar që një aksion policor i planifikuar mirë, ose bisedime serioze diplomatike me talibanët, mund t’i kishte çuar në duart e amerikanëve të dyshuarit për krimet e 11 shtatorit dhe të gjykoheshin. Por opsione të tilla nuk ishin në tavolinë. Zgjedhja reflektuese ishte dhunë në shkallë të lartë – jo me qëllim përmbysjen e talibanëve (ky erdhi më vonë), për të bërë të qartë mungesën e dëshirës së SHBA karshi ofertave të mundshme të talibanëve për ekstradimin e mundshëm të bin Ladenit. Ne nuk e dimë sa serioze ishin këto oferta, sepse mundësia e eksplorimit të tyre nuk u mendua kurrë. Ose ndoshta SHBA synonte vetëm të “tregonte muskujt e saj, të siguronte një fitore dhe të trembte gjithë botën. Ata s’e çajnë kokën për vuajtjen e afganëve ose sa njerëz do të humbasim ne.”
Ky ishte gjykimi i liderit të respektuar anti-taliban Abdul Haq, një nga kundërshtarët e shumtë që e dënoi fushatën e bombardimeve amerikane që nisi në tetor 2001 pasi kishin dështuar përpjekjet për ta rrëzuar regjimin taliban nga brenda, një objektiv që ata e konsideruan të arritshëm. Gjykimi i tij konfirmohet nga Richard A. Clarke, që ishte drejtues i Grupit të Sigurisë Antiterror në Shtëpinë e Bardhë nën presidentin George W. Bush, kur u bënë planet për të sulmuar Afganistanin. Siç e përshkruan Clark takimin, kur u informua se sulmi do të shkelte ligjin ndërkombëtar, “presidenti klithi në dhomën e vogël të konferencave, ‘Nuk më intereson çfarë thotë ligji ndërkombëtar, ne do të lëshojmë ca shkelma’”. Sulmi u kundërshtua me forcë dhe nga organizata të mëdha bamirëse që punonin në Afganistan, që paralajmëruan se miliona njerëz ishin në prag të urisë dhe pasojat mund të ishin të tmerrshme.
Pasojat për afganët e varfër, shumë vite më vonë, s’është nevoja të rishikohen.
Objektivi i ardhshëm i kudhrës ishte Iraku. Pushtimi SHBA-Mbretëri e Bashkuar, krejtësisht pa pretekst të besueshëm, është krimi më i madh i shekullit 21. Pushtimi çoi në vdekjen e qindra mijëra njerëzve në një vend ku shoqëria civile ishte dëmtuar rëndë nga sanksionet amerikane dhe britanike, që ishin konsideruar si “gjenocidale” nga dy diplomatë të shquar ndërkombëtarë, të cilët u morën me administrimin e tyre, dhe dhanë dorëheqjen në shenjë proteste për këtë arsye. Pushtimi prodhoi dhe miliona refugjatë, shkatërroi vendin, dhe nxiti një konflikt sektar që po e shkatërron tani Irakun dhe gjithë rajonin. Është i çuditshëm fakti në lidhje me kulturën tonë morale dhe intelektuale që në rrethet e informuara dhe të ndriçuara ky quhet, hapur, “çlirimi i Irakut”.
Sondazhet e Pentagonit dhe ministrisë britanike të Mbrojtjes zbuluan që vetëm 3% e irakianëve e konsideronin legjitim rolin e sigurisë amerikane në lagjet e tyre, më pak se 1% besonin që forcat e “koalicionit” (SHBA-MB) ishin mirë për sigurinë e tyre, 80% ishin kundër pranisë së forcave të koalicionit në vendin e tyre, dhe shumica përkrahte sulmet ndaj trupave aleate. Afganistani është shkatërruar përtej mundësisë së sondazheve të besueshme, por ka indikacione që diçka e ngjashme mund të jetë e vërtetë dhe aty. Veçanërisht në Irak SHBA pësoi një humbje të rëndë, braktisi objektivat e saj zyrtare të luftës, dhe e la vendin nën influencën e fituesit të vetëm, Iranit.
Kudhra ra dhe në vende të tjera, më e spikatura Libia, ku tre fuqitë imperialiste tradicionale (Britania, Franca dhe SHBA) siguruan rezolutën 1973 të Këshillit të Sigurimit dhe menjëherë e shkelën atë, duke u kthyer në forcë ajrore për rebelët. Efekti ishte prishja e mundësisë për një marrëveshje paqësore, të negociuar; numri i viktimave u rrit me shpejtësi (të paktën me 10 herë, sipas politologut Alan Kuperman); e lanë Libinë gërmadhë, në duart të bandave; dhe kështu i ofruan Shtetit Islamik një bazë që ta përdorë si bazë për përhapjen e terrorit. Propozime të arsyeshme nga Unioni Afrikan, të pranuara në parim nga lideri libian Muammar Qaddafi, u injoruan nga triumvirati imperialist, siç analizon specialisti afrikan Alex de Waal. Një valë e madhe armësh dhe xhihadistësh ka përhapur terror dhe dhunë nga Afrika Perëndimore (tani kampione për vrasje terroriste) në Levant, ndërsa sulmet e Natos shkaktuan një dallgë refugjatësh nga Afrika në Europë.
E sërish një tjetër fitore e “ndërhyrjes humanitare”, dhe, siç tregojnë dëshmitë e gjata e të tmerrshme, jo e pazakontë, që e ka origjinën e saj moderne katër shekuj të shkuara.
[Ky shkrim është shkëputur nga libri i ri autorit, Noam Chomsky: Who Rules the World? (Kush e sundon botën)