Ejup Halimi, para deputetëve në Kuvend lexoi deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare, ku përmendi edhe disa pika të cilat nga LSDM-ja u refuzuan se janë pranuar
Në ditën e tretë të debatit parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për formimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, temë qendrore vazhdon të mbetet deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni të cilët u zotuan se nuk do të marrin pjesë në qeverinë e re nëse nuk plotësohen kërkesat e theksuara në të , raporton Anadolu Agency (AA).
Për debatin mbi Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve janë paraqitur 51 deputetë të VMRO-DPMNE-së për diskutim të cilët me replikat e tyre ndaj bashkëpartiakëve të tyre, sipas LSDM-së dhe BDI-së, synojnë të vonojnë dhe të bllokojnë procedurën vijuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Deri më tani të drejtën e fjalës e kanë shfrytëzuar vetëm dy deputetë.
Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së “deklarata e përbashkët e partive shqiptare është përgatitur nga Tirana zyrtare dhe synon të dëmtojë karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë”.
Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së, duke kërkuar që deklarata e përbashkët shqiptare të refuzohet theksoi se kjo është një platformë paszgjedhore dhe se e vetmja mënyrë për dalje të vendit nga kriza politike është mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare bashkë me ato lokale.
“Ejani me këtë platformë të shkojmë në zgjedhje. Nëse fitoni ne nuk do të ju pengojmë në asnjë pikë që t’i realizoni premtimet tuaja. Të gjejmë garanci, sot do të zgjedhim kryetarin e Kuvendit dhe sot do ta shpërbëjmë Kuvendin”, u shpreh Dimovski.
Deputet nga radhët e BDI-së, Ejup Halimi, para deputetëve në Kuvend lexoi deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare, ku përmendi edhe disa pika të cilat nga LSDM-ja u refuzuan se janë pranuar.
“Po të ishte kjo deklaratë e Tiranës, ne sot nuk do të bisedonim në këtë parlament, por ju si parti maqedonase do të ishin të obligur të bisedoni me Edi Ramën. Dilemat të largohen dhe të mos bëhen poena politike ditore, mos të rriten tensionet mes dy etniteve shumicë në këtë vend. Ky është program i partive politike shqiptare”, u shpreh Halimi.
Deputet nga radhët e Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, akuzoi BDI-në se ka marrëveshje me VMRO-DPMNE për të zgjatur përplasjet në Kuvend. Sipas tij, deputetët e BDI-së i japin VMRO-DPMNE-së argumente për të hedhur akuza kundër platformës shqiptare.
Ai duke iu drejtuar deputetëve të LSDM-së, tha se: “E shihni se si këta të BDI-së janë dakorduar me këta të VMRO-DPMNE-së që të sabotohet puna e funksionimit të Kuvendit. Ata u japin arsye për punën e platformës, për punën e gjuhës dhe për çështje të tjera, që këta pastaj të mund të bëjnë reagime dhe ju të akuzoheni se e keni pranuar një farë platforme”, deklaroi Ibrahimi.
Zëvendës kryetare dhe deputete e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, theksoi se me replikat e VMRO-DPMNE-së ndaj bashkëpartiakëve të tyre vonojnë dhe bllokojnë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Sipas saj, kjo vonesë është në dëm të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
“Numëruesi financiar, ekonomik dhe social i këtij shteti llogarit, sot paga mesatare do të mund të ishte 20 mijë denarë, bursat sot do të mund të ishin paguar. Sot kjo është e vetmja gjë që ju jeni duke bllokuar. Jeni duke bllokuar qytetarët e Maqedonisë që të kthehen në jetën normale”, u shpreh Shekerinska.
Sipas marrëveshjes paraprake mes partive politike, VMRO-DPMNE-ja do të ketë gjashtë anëtarë në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, LSDM-ja pesë, ndërsa BDI-ja dhe Lëvizja BESA nga një anëtar. Konfirmimi i propozimit për përbërje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për vazhdim të seancës konstituive kuvendore, e cila filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por u ndërpre për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë.
LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët me nënshkrimin e 20 deputetëve dorëzuan propozim për kryetar të ri të Kuvendit kandidatin e BDI-së, Talat Xhaferi, mirëpo VMRO-DPMNE-ja kërkon që kandidati i ri që do të propozohet duhet të jetë kundër platformës shqiptare.
Ndërkohë, kandidati i propozuar për kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferi, u refuzua edhe nga Lëvizja BESA, sepse sipas tyre, “ai ka një të kaluar me krime të shumta dhe nuk do të kontribuojë në qeverinë e re të paralajmëruar reformuese”.