Edhe 17 vjet pas luftës, Kosova ende nuk ka mjaftueshëm rezerva shtetërore të derivateve të naftë, ndonëse obligohet me ligj.
Kjo, për shkak se Ligji për rezervat e naftës bart një kosto shumë të lartë financiare, prandaj nuk e ka marrë pëlqimin nga Ministria e Financave, raporton KTV.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, thotë se sipas standardeve evropiane, rezervat e derivateve të naftës duhet të arrijnë për një periudhë 90 ditore.
Megjithatë, ai thotë se nuk dihet se sa është sasia e këtyre rezervave.
Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë po mendojnë të gjejnë një mënyrë tjetër për sigurimin e derivateve të naftës.
Sipas Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami bëhet fjalë për shumë milionë euro.
Në këtë ministri thonë se brenda 4 vjetëve, parashihet që Kosova të ketë rezerva të derivateve për 90 ditë., siç parashihet edhe në bazë të standardeve evropiane.
Vendi ynë e importon të gjithë sasinë e nevojshme të derivateve të naftës dhe të pasurit e rezervave të këtij produkti është konsideruar e nevojshme për të mbajtur për një kohë çmimet stabile.