Facebook, Twitter dhe Instagrami na krijojnë mundësinë që të ndajmë aspekte të jetës sonë me miqtë, familjen dhe botën.
Por çfarë tregojnë ato që postojmë për gjendjen tonë shpirtërore dhe mendore? Studime të reja lënë të kuptohet se ajo që përçojmë është më e rëndësishme nga ç’duket në pamje të parë.
Jetojmë në një kohë ku ndajmë me botën ngjarje të vogla e të mëdha,dhe momentet e përditshme kthehen në kapituj libri të jetës sonë dixhitale.
Por mesa duket, informacioni që bëhet publik tregon më shumë për një person nga ç’mund të mendohet, thotë Chris Danforth.
“Mendoj se me një pjesë aq të madhe të jetës sonë të pasqyruar në internet dhe me praninë e pashmangshme të celularëve, informacioni që bëjmë publik lidhur me sjelljet dhe mendimet, tregon shumë më tepër për ne nga ç’mund të imagjinohet.”
Matematikani Danfroth dhe kolegu i tij Peter Dodds krijuan disa instrumente për të analizuar postimet e personave në Instagram.
“Ne zbuluam se fotografitë e njerëzve të diagnostikuar me depresion, ishin në përgjithësi më të errëta, më blu dhe më gri. Nëse kishin përdorur filtra, kishin zgjedhur ato bardhë e zi më shpesh se të tjerat.”
Ndryshimet janë të dukshme në disa nga imazhet që analizoi Danforth.
Filtrat gri ose blu, duken më të trishtueshme sesa ngjyrat dinamike.
“Nuk është gjë e re, që njerëzit me depresion e shohin botën në ngjyra më të zymta dhe shpenzojnë më pak kohë në grupe sociale. Por e reja është se këtë mund ta kuptosh nga postimet e tyre në median sociale.”
Profesor Danforth thotë se kjo mund të ndihmojë për të krijuar një aplikacion që njofton mjekun se personi mund të jetë në gjendje jo të mirë emocionale.
“Mendoj se ndoshta, pas 5 -10 vjetësh, nëse studime si ky i yni japin rezultate për grupe më të mëdha njerëzish dhe shtohen, mund të parashikosh që do të vijë një ditë që të ketë një aplikacion, sigurisht kur personat bien dakord t’i ndajnë të dhënat me mjekun, që ai ose ajo ta dijë kur është e nevosjhme që të bëjë një vizitë më herët.”
Profesor Danforth shton se ka shqetësime të mëdha për të dhënat personale dhe se duhen bërë më shumë studime për të zbuluar me sa saktësi mund të diagnostikojnë makineritë gjendjen mendore të njeriut.