Në vitin që shkoi 119 persona kanë gjetur vdekjen në aksidente trafiku. Ky numër sivjet është rritur për 19 më shumë pasi që në vitin 2016, 100 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, që i bie se ky numër është rritur 20 përqind, përkundër asaj se ka pasur ulje prej 5 përqind të numrit total të tyre, krahasuar me vitin 2016.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë të Kosovës, Baki Kelani, i cili për KosovaPress ka thënë se sivjet, vetëm deri në muajin nëntor kanë ndodhur 16 mijë e 122 aksidente, krahasuar me 30 mijë e 970 në vitin 2016.“Kemi një shifër brengosëse të aksidenteve me pasoja fatale, ku nëse iu referohemi periudhës kohore nga janari i këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar fatkeqësisht aksidentet me pasoja fatale kanë shënuar ngritje për rreth 20 përqind.
Kjo shifër është shumë shqetësuese për Policinë e Kosovës dhe për këtë arsye jemi angazhuar me të gjitha kapacitete që kemi, duke krijuar edhe task-forcë të veçantë për të përmirësuar situatën në komunikacionin rrugor, ku është arritur që numri total i aksidenteve të ulet për 5 përqind. Pra kryesisht janë ulur aksidentet në total si shifër dhe aksidentet që kanë të bëjnë me dëme materiale për diku rreth 9.18 përqind. Mirëpo siç e thashë më herët është ende fat i keq që numri i personave të cilët kanë humbur jetën në komunikacion ëhstë tepër i lartë”, tha ai.
Tejkalimi i shpejtësisë si dhe mosvënia e rripit të sigurisë, sipas Kelanit janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve me fatalitet. Nga analizat që bëjnë zyrtarët kompetentë të Policisë së Kosovës në kuadër të komunikacionit rrugor, Kelani tha se kryeqyteti prinë me numrin më të madh të aksidenteve si rezultat i frekuentimit të madh.