Kryeministri Haradinaj, ka thënë se pushimi në Zvicër i ka kushtuar “vetëm” 7 000 euro

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pushimin dimëror në Zvicër e ka paguar me para të tij dhe i kanë kushtuar “vetëm” 7 000 euro, e jo 5 000 euro nata sikur kanë raportuar disa medie.

Haradinaj e bëri sqarimin pasi u pyet nga mediet gjatë një vizite, sot në Gjakovë, raporton Ekonomia Online.

“Të ju them të drejtën, unë pare kam për pushim edhe për nja dy a tre, veç kohë s’po kam”, u shpreh ai.“Unë kam qenë veç tri net në pushim. Shtatë mijë euro më ka kushtuar, prej parave të mia është paguar.

Por nuk po dua me hy në debat me këto mediet”.“Unë jam prej atyre që nuk përshtatna shumë, shkelin shumë mina. Pra, ia prishi planet shumë kujt, e di që ma kthejnë në mënyrë të ndryshme, sepse i kanë instrumentet e veta me më goditë”.Më tutje, kreu u Qeverisë tha se vetëm me prodhimin e rrymës në Kosovë, Kosova ka fituar mbi 100 milionë euro. “Vetëm gjatë dimrit kemi pasur me importu mbi 100 milionë dhe me rritë çmimin e energjisë. Fakti që ne e kemi lëshuar në prodhim edhe një kapacitet, e kemi ulë çmimin e energjisë në krejt regjionin, pra edhe në Serbi, edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi për 30 euro.

Andaj, e di që i kam idhnu plot dhe e di që do ta marrë goditje të tilla, mirëpo nuk e kam shumë problem”, u shpreh Haradinaj.

Mediet kanë raportuar se Haradinaj, së bashku me bashkëshorten Anitën, tre fëmijët dhe djalin e vëllait të tij, Dautit, ka pushuar në hotelin “Carlton” në Saint Moritz në Zvicër.Insajderi shkruan se familja Haradinaj ka pushuar në këtë hotel nga 25 dhjetori 2017 deri më 2 janar 2018. Insajderi ka mësuar se kryeministri është vendosur në suitën e quajtur “Czar” prej 160 metrash katror. Në kohën e pushimeve të vitit të ri, çmimi i kësaj suite ka qenë fiks 40 mijë e 600 franga për shtatë ditë.

 

Artikulli paraprakDukagjin Gorani kërkon largimin nga VV
Artikulli vijuesÇfarë mund të kenë të përbashkët milionerët