Refugjatët sirianë, “Amnesty”: Turp për BE-në

Liderat europianë duhet të ndihen të turpëruar nga gatishmëria e tyre pothuajse inekzistente për të ndihmuar refugjatët sirianë, deklaroi “Amnesty”, një prej organizatave më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë.

Vetëm dhjetë vende anëtare kanë ofruar që të pranojnë refugjatë dhe në total, numri i përgjithshëm që këto vende kanë vënë në dispozicion është vetëm 12 mijë.

Aktualisht, shifra e refugjatëve të larguar nga Siria po i afrohet 2,5 milionë banorëve, të sistemuar kryesisht në vendet kufitare, ku janë shndërruar në një barrë tejet të rëndë për buxhetin e këtyre shteteve.

Britania e Madhe dhe Italia bëjnë pjesë midis vendeve që nuk kanë vënë në dispozicion asnjë strehim për refugjatët.

Ndihma totale që Bashkimi Europian ka dhënë për sistemimin e refugjatëve shkon në 1,3 miliardë euro, por “Amnesty” kërkon që vendet anëtare të tregohen më aktive, duke pranuar vetë në territorin e tyre sirianët e traumatizuar nga lufta civile në vendin e tyre.

Në një popullsi prej 22 milionë banorësh, pas nisjes së konfliktit në Mars 2011, kanë humbur jetën rreth 300 mijë persona, kanë braktisur Sirinë rreth 2,5 milionë shtetas, ndërsa konsiderohen refugjatë brenda vendit pas braktisjes së shtëpive të tyre të shkatërruara apo të ndodhura në zona luftimi edhe 6,5 milionë sirianë të tjerë.

Aktualisht, numërohen 838 mijë sirianë në Liban, 567 mijë në Jordani, 540 mijë në Turqi, 207 mijë në Irak, 129 mijë në Egjipt dhe disa dhjetëra mijëra në vende të tjera.

Më parë gjatë javës, komisionerja e OKB-së për Refugjatët bëri një apel për më shumë ndihmë, përballë kushteve tejet të rënda, që sipas saj po i rezervohen qindra mijëra sirianëve në kampet e tyre me ardhjen e dimrit. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakGrabitje si nëpër filma në Prishtinë (VIDEO)
Artikulli vijuesIzraeli përfshihet nga një stuhi bore