Pesë shtetet kryesore të Perëndimit, SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, janë bashkuar në qëndrimin e tyre kundër përpjekjeve të udhëheqësve kosovarë të dalë nga UÇK, për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, duke bërë paralajmërime të rënda për të adhmen e Kosovës dhe ekzistencën e saj.
Përkundër këtyre paralajmërimeve, kryeministri Haradinaj, presidenti Thaçi dhe përkrahës të tyre, duket se janë të vendosur të ecin në këtë rrugë, duke i bërë Kosovës, ndoshta gjëmën më të madhe të mundshme, që nuk kanë mundur dot t’ia bëjnë këto 19 vjet armiqtë realë të saj. Në këtë valle duket se po qëndron në distancë dhe Vetëvendosja, e cila po ecën me parimin, “t’i shtyjë armiqtë e saj në greminë, bashkë me Kosovën”.
Ka shumë asyetime në këto momente për papërgjegjshmërinë e lidershipit politik të Kosovës, duke ngritur lloj- lloj hipotezash. Por është më e thjeshtë se sa lodheni ta gjeni. Duke pasur për 19 vite në mendje “heronj” që kanë çliruar Kosovën, shumë pak vetë kanë guxuar t’i shikojnë ata ashtu siç janë në të vërtetë.
Kur ata kanë vrarë njëri- tjetrin për eleminime politike, shumëkush i ka justifikuar se kanë vrarë tradhtarë. Në fakt, kanë vrarë kundërshtarë politikë.
Kur ata kanë zaptuar shtëpi dhe prona, për të bërë biznese, shumëkush i ka justifikuar si fitimtarë, që duhet të fuqizohen. Në fakt, thjesht ata janë sjell si hajna.
Kur ata kanë guxuar të hyjnë në politikë si injorantë, shumëkush ua ka falur, pasi ka arsyetuar se nuk kanë pasur kohë për shkollë, se kanë dalë në mal.
Në fakt nuk është e thënë t’i bëjnë të dyja punët, dhe të injorantit, dhe të intelektualit.
Kur ata hyjnë në zgjedhje e vodhën vota, shumëkush i ka justifikuar, se këtij populli duhet me ja vjedhë votën se nuk ua jep çlirimtarëve. Në fakt, ka justifikuar vrasësit e votës së lirë.
Kur ata vodhën në emër të pushtetit, shumëkush i justifikoi se nga pak vidhet kudo, dhe në SHBA. Por në fakt ka justifikuar hajdutët që nuk dënohen kurrë.
Në të vetmin rast në historinë e Kosovës, kur ata po përballen me vetveten dhe historinë e tyre, kur disa prej tyre dhe mund të shkojnë para drejtësisë për ato që kanë bërë, ata po dëshmojnë se nuk kanë lidhje me Kosovën. Ata po e flakin Kosovën si një leter higjenike, pasi kanë kryer nevojat e tyre.
Të gjithë ju që shqetësoheni përse këta nuk i zë frika për të ardhmen e Kosovës pas këtyre paralajmërimeve, apo përse nuk iu dhimbset e ardhmja e Kosovës, duhet ta kuptoni se ata nuk kanë qenë kurrë ashtu si i keni menduar. Janë thjesht disa njerëz banalë, që Kosova u ka hapur rrugë nën mitin e njerëzve që ishin gati të vdisnin për Kosovën, dhe tani po sillen si njerëzit që duan të vdesin Kosovën për të shpëtuar vetë.
Ata janë të qartë dhe të vendosur në rrugën e tyre, pasi mes të ardhmes së tyre dhe të ardhmes së Kosovës, zgjedhin veten e tyre.
Problemi real që ka Kosova, është që sot më keq se në çdo ditë të historisë së saj, ka në krye një konglomerat antivlerash, njerëz të rëndomtë dhe një shoqëri të dorëzuar para tyre. Nëse ata sot nuk do të ishin në politikë, Kosova do ishte një vend më i sigurtë.
Ky është gjyqi më i rëndë që Kosovës ja kanë bërë vetë kosovarët me duart e tyre, me pafuqinë e tyre për të ndryshuar klasën politike dhe me indiferencën me të cilën e shikojnë Kosovën, që po shkon si flutura drejt flakëve. Për t’u djegur!.
Shkrim nga Mero Baze