Miqësia e Haradinajt me bashkëpunëtorin e Veselinoviqit, “që e mban në tension veriun”
Dikush që po akuzohet se ndjell frikë dhe e udhëheq mafinë në veri ka kontakt direkt me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.
Menjëherë pas vrasjes në Mitrovicë të Oliver Ivanoviqit, politikanët serbë të Kosovës që nuk janë pjesë e Listës Serbe, e kanë akuzuar Milan Radijoçiqin se e mban nën terror këtë pjesë, raporton KTV.
Por, ky njeri është parë në gusht të vitit të kaluar në Prishtinë në një restorant të frekuentuar në shoqëri të kryetari të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në atë kohë, ky i kërkonte ndihmën për votat e Listës Serbe.
Muaj më vonë, në dhjetor, kryeministri Haradinaj e ka pranuar se bisedon me këtë person kundërthënës. “Është njëri nga veriu, që pyetet për gjithçka”, kishte thënë Hardinaj në RTK2.
Unë punoj shumë mirë me kolegët serbë. Me zv.kryeministrin, Dalibor Jevtiq, me ministrat, Nenad Rikalon, Todosojeviqin. Punoj me kryetarin (e Mitrovicës Veriore), Rakiq, me Slavko Simiqin. Punoj me njerëzit nga veriu, Milan Radjoçiq. Besoj se edhe ai e ka rolin e tij.
Kush është ky njeri?
Njëri nga veriu, që pyetet për gjithçka. Unë flas edhe me të.
A është politikan ai?
Nuk është e thënë të jesh politikan. Secili e ka nga një rol. Unë flas me të gjithë. Jam i hapur për të gjithë. Nuk kam lidhje direkte me Beogradin, por të gjithë që jetojnë në Kosovë janë bashkëbisedues për mua.
Të rëndësishëm duhet të jenë ata që populli i ka zgjedhur?
Natyrisht, dhe unë punoj me ata që janë të zgjedhur.
Por, ju e përmendët këtë njeri. Unë nuk e di se kush është ai.
Nuk ka lidhje. Mund ta përmendja edhe dikë prej Pejës që ju nuk e njihni, por me rëndësi është që qëndrimi im…
Atë e ka përmendur në një konferencë edhe Vuçiqi.
Këtë nuk e di. Më vjen keq.
Pas riaktualizimit të takimit, qeveria e Kosovës ka thënë se nuk sheh asnjë problem që Haradinaj takohet me këtë individ dhe se ajo nuk zgjedh kush janë përfaqësuesit e serbëve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk mund të përzgjedhë se kush mund të jetë përfaqësues politik i komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në këtë kontekst, takimet që kryeministri i Kosovës i ka realizuar në të kaluarën dhe mund t’i realizojë në të ardhmen me përfaqësues të komuniteteve, bëhen në bazë të asaj, se kush i përfaqëson ata”
Por, në fakt siç ia potencon edhe gazetari në intervistë, ky njeri nuk e paraqet askënd.
Ish-deputetja në Kuvend, Rada Trajkoviq dhe politikani tjetër lokal, Slavisa Ristiq kanë thënë se gjithë pushteti në veri është në duart e këtij njeriu.
Mitrovica Veriore është pjesa me më së paku siguri nga hapësirat e banuara me serbë. Edhe pse thoshin dikur se Veriu është i lirë, ai është larg nga të qenit i lirë, sidomos pas marrëveshjes së Brukselit, kur pushtetin kryesor, edhe sipas fjalëve të kryeministrit të Kosovës, për çka unë jam befasuar kur e ka pranuar se për projektet madhore për serbët ai e ka partner Milan Radojçiqin, që sipas Bashkësisë ndërkombëtare është një mafioz i një mafie të fuqishme rajonale. Ky njeri e kontrollon plotësisht jetën në veri. Ai vendos çka është mirë e çka është keq.”
Ajo ka thënë se kur Vuçiqi të vijë në Kosovë duhet të tregojë nëse do t’i izolojë njerëzit e Radijoçiqit për të çliruar serbët e veriut.