(Video) Kryeministri Berisha: Xhamia e Madhe e Tiranës fillon punimet në mars

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça, zhvilloi një takim me kryeministrin e vendit Sali Berisha, në kuadër të diskutimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Tiranë. Kryetari Muça foli për avancimin e procedurave për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës, si dhe për problemet që dalin për realizimin e saj, duke kërkuar që të nisë puna për ndërtimin e saj sa më shpejt. Kryeministri Berisha nga ana e tij shprehu kënaqësinë që ka filluar puna e projektimit të kësaj xhamie, që do të ngrihet në vendin tradicional dhe historik të Namazgjasë. Kryeministri e siguroi Haxhi Selim Muça se qeveria do të marrë të gjitha masat dhe do të japë të gjithë mbështetjen që punimet për xhaminë e re të fillojnë në muajin mars. “Ajo jo do të jetë xhamia e të gjithë shqiptarëve dhe një monument i shkëlqyer i arkitekturës islame, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive shqiptare”, u shpreh Kryeministri. Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, i cili e garantoi Haxhi Selim Muça për përfundimin e shpejtë të procedurave të dhënies së lejes së ndërtimit, sapo projekti të jetë dorëzuar. Në takim mori pjesë edhe drejtori i Fondacionit Sema, Mustafa Oxhan. Kreu i KMSH-së Haxhi Selim Muça shoqërohej nga arkitekti i xhamisë Muharrem Hilmi Shenalp, president i kompanisë “Hassa Architecture & Construction Co”, nga nënkryetarët e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu dhe Gazmend Aga, si dhe kancelari Ali Zaimi. Arkitekti “Hassa Architecture & Construction Co”, është themeluar në vitin 1984 nga arkitekti Muharrem Hilmi Shenalp. Hassa është një kompani me bazë në Stamboll të Turqisë, e cila ka projektuar dhe ndërtuar disa xhami në vende të ndryshme të botës. Muharrem Hilmi Senalp ka punuar si arkitekt që prej vitit 1984 duke përfunduar disa projekte dhe ndërtime të tilla si: Xhaminë dhe Qendrën Kulturore Askabad Ertugrul Gazi, Xhaminë dhe Qendrën Kulturore në Tokio, Xhaminë në Këln të Gjermanisë, Xhaminë Ilajet në Universitetin e Marmarasë, Xhaminë Sehitlik dhe Qendrën Kulturore në Berlin të Gjermanisë si dhe shumë xhami të tjera në Rusi, Stamboll, Ankara, Japoni, Kinë, etj. Ai ka bërë hulumtime në stilin dhe prodhimin e pothuajse të gjitha arteve tradicionale islame. Xhamia dhe Qendra Kulturore në Tokio, të cilat përfunduan në vitin 2000 u zgjodhën në vitin 2002, si një prej 40 ndërtesave më të shquara të Arkitekturës në Japoni, duke marrë çmimin “Elite” nga firma Kombëtare. Ai ka fituar gjithashtu edhe shumë çmime të tjera të rëndësishme sa i përket projekteve dhe ndërtimeve të tij arkitekturore. /D. Islame/kohaislame  

Artikulli paraprakKatër problemet më të mëdha me sigurinë e të dhënava dhe si t’i rregulloni ato
Artikulli vijuesVdes edhe një shqiptar tjetër në Siri? VIDEO