A janë "të rrezikshëm" për Zvicrën ushtarët shqiptarë?

Gazeta “20Minuten” i kushton një artikull shqetësimit të paraqitur herë pas here në opinion lidhur me atë se sa “të besueshëm” janë të rinjtë me prejardhje të huaj për shërbim në ushtrinë e Zvicrës.

Kësaj here si shkas për riaktualizimin e këtij problemi ka shërbyer një fotografi anonime e paraqitur në Facebook, ku shihen një grup të rinjsh me uniforma ushtarake të Zvicrës duke formuar me duar shenjën e shqiponjës nga flamuri shqiptar.

“Me gjoksin e nxjerrë përpara, me beretën në kokë dhe me zinxhirin e tërhequr në mënyrë korrekte deri lartë në qafë. Kështu kanë pozuar tetë ushtarë zviceranë dhe një ushtare për një fotografi, e cila ka bërë jehonë të madhe në Facebook. Siç transmeton Albinfo, arsyeja është se ata ushtarë nuk i mbajnë duart në pozitën e njohur të përshëndetjes ushtarake, por me to formojnë një shqiponjë, të tillë çfarë mund të shihet në flamurin e Shqipërisë, një gjest që futbollistë si Pajtim Kasami dhe Adrian Nikçi e kanë bërë tashmë për të festuar fitore e tyre,

Kjo fotografi ka nxitur qindra komente, disa prej të cilëve meritojnë të citohen, shkruan 20 minuten. Kështu, një lexues shkruan: “Thjesht, mungesë respekti ndaj atdheut tonë zviceran”.

Ushtarët, sipas komentit në fjalë duhen nxjerrë menjëherë nga radhët e ushtrisë.

Politologu, njëherësh drejtor i albinfo.ch, Bashkim Iseni, nuk sheh ndonjë problem këtu.

“Kosovarët e brezit të dytë janë shumë krenarë se janë shtetas zviceranë, por po ashtu krenarë edhe me rrënjët e tyre. Këtë e shprehin me shqiponjën”.

Nga na tjetër, shkruan 20minuten, ushtria nuk dëshiron të shprehë qëndrimin e saj. Zëdhënësi i ushtrisë, Christoph Brunner, thotë fare shkurt: “Në ushtrinë Zvicerane ka vetëm zviceranë”.

Njësoj e sheh gjendjen edhe Qeveria e Zvicrës. Përmes një përgjigjeje të dhënë ndaj një mocioni në Parlament ajo më 17 qershor 2013 ka refuzuar të japë përqindjen e ushtarëve me prejardhje të huaj. Por, është fakt, konstaton gazeta, se pjesëmarrja e tyre shkon duke u rritur, siç tregon një studim mbi sigurinë, i realizuar nga ETH e Cyrihut.

Vlerësime të mëhershme thonë se deri në 25 për qind të rekrutëve kanë prindër të huaj.

Jo të gjithë e pëlqejnë një gjë të tillë.

“Te unë në njësit kishim pesë nënoficerë me prejardhje nga Ballkani”, tregon një ushtar nga Zvicra lindore, në kushte anonimiteti.

Në dhomë e fjetjes, ushtarët e shumtë me prejardhje nga Kosova kishin vendosur një flamur shqiptar.

“Ne duhej të rrinim të gjithë të heshtur kur ata uleshin në qilimin e tyre dhe kryenin lutjet. Unë kisha ndjenjën se ndodhesha në ushtrinë shqiptare dhe jo në atë të Zvicrës”.

Ushtari në fjalë nuk është i vetmi që e ndjen veten të tjetërsuar: Numri i myslimanëve dhe të huajve të brezit të dytë (secondos) në ushtri në vitet e fundit ka prodhuar shumë kryetituj gazetash.

Ish deputeti i gjelbër, Joe Lang në vitin 2010 kishte provokuar opinionin me deklaratën se “në ushtri shërbejnë vetëm `të paprivilegjuarit dhe secondot”. Ai nisej nga fakti se fëmijët prindërve të pasur, shikuar statistikisht rezultojnë dukshëm më shpesh të paaftë për ushtri.

“Dhe, secondot janë të përfaqësuar në mënyrë mbiproporcionale në këtë shtresë të ulët”, kishte thënë kritiku i njohur i shërbimit ushtarak, bashkëthemelues i Gsoa (Grupi për një Zvicër pa ushtri).

Ai thotë të ketë vënë re personalisht se pikërisht në mesin e shërbyesve, shumë ushtarë kanë prejardhje të huaj.

“Dhe mua më bie në sy se secondot janë më pak kritikë ndaj ushtrisë se sa fëmijët e prindërve zviceranë”.

Sot, sipas tij, për ushtri përcaktohen para së gjithash të rinjtë me mendësi tradicionale, dhe kjo vlen edhe për ata të lindur si zviceranë.

Këtu pastaj ndodhin konflikte:

“Janë pikërisht zviceranët e paprivilegjuar ata që, sipas studimit të ETH-së për sigurinë, janë më së shumti kundër shërbimit në ushtri të të huajve të natyralizuar. Ndërkaq shumicës së zviceraneve nuk u pengon kjo: 85 për qind duan që të jetë kështu. 71 për qind besojnë se migrantët duhen integruar në ushtri. Vetëm 13 për qind besojnë se ushtarët me prejardhje të huaj, por të natyralizuar, paraqesin rrezik sigurie.

Sidoqoftë, për ushtarët nga fotografia, kjo pozë nuk do të ketë pasoja. Ata, sipas burimeve të pakonfirmuara, tashme kanë kryer shërbimin e tyre ushtarak, përfundon shkrimi në 20minuten.kohaislame

Artikulli paraprakTragjedia në Siri: Spitali nuk identifikon dot kufomat
Artikulli vijuesEULEX heton edhe ambasadorin Ahmet Shala