Zgjoheni dhe ju duket sikur nuk jeni vetvetja – dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me të hënat. Duke analizuar trupin, ju zbuloni që ju dhemb fyti, ju merren mend, nyjat limfatike janë të dobëta dhe keni kollitje të vogla. Shumë mirë, jeni të sëmurë.
Në vend se t’i shfrytëzoni orët e ditës suaj të ngarkuar për të shkuar te mjeku, ju i ktheheni burimit më të përshtatshëm, INTERNETIT. Më pas, një varietet i faqeve ju prezantojnë me rreth njëzet opsione të asaj që mund ta ketë invaduar trupin tuaj. Lista përfshin lloje streptokoku, mononukleozën, ftohjen e zakonshme, ekspozimin ndaj tymit të duhanit dhe skarlatinën. Çka? Tani i keni dy opsione – shpresoni më të mirën, merrni disa ilaçe kundër ftohjes dhe vazhdoni ditën, ose i dorëzoheni mendimit që ju ther mendjen që skarlatina mund të jetë duke lëvizur në mënyrë të papërmbajtshme nëpër trupin tuaj apo të shkoni drejt tek ordinanca e mjekut në kërkim të sigurisë dhe antibiotikëve. (Shpejt – çka do të bënit ju?!)
Reagimet e shpeshta të tepruara ndaj këso lloj situatash mund të tregojnë prani të hipokondrisë, transmeton Koha. Sipas AllPsych Online, hipokondria definohet si “preokupimi me frikën se kemi një sëmundje serioze, duke u bazuar në keqinterpretimet e sensacioneve trupore”. Por ku e kalojmë kufirin? Si e dini që thjesht jeni duke u kushtuar vëmendje shenjave të një lufte të brendshme të pashmangshme apo jeni duke e tepruar sipas stilit të njëmendtë hipokondriak?
Psikologia Sylvia Gearing e përshkruan hipokondrinë si “gjendje të ankthit”. Ajo vë në dukje që shpesh hipokondrikët mund të sillen në një nga dy mënyrat: ose reagojnë me tepri të madhe ndaj sëmundjeve të vogla fizike që me të vërtetë mund të jenë duke i bezdisur ata, ose paranoja mund t’i nxisë të reagojnë madje edhe kur nuk kanë fare simptoma të pranishme.
“Nëse pacienti ka reagim të tepruar ndaj çdo shenje të ndonjë problemi mjekësor, ai mund të jetë duke përjetuar ndonjë formë të hipokondrisë,” pohon ajo.
Tingëllon kjo si ju? Dr. Gearing ka përshkruar disa parashenja apo vija të kuqe që mund të jenë shenja që keni kaluar nga të qenët të brengosur në tërësisht të preokupuar.
A brengoseni shumë?
Dr. Gearing sugjeron që nëse e “kapni” veten duke shpenzuar orë të tëra në ditë të konsumuar nga mendimet e sëmundjes dhe të çështjeve të tjera që kanë të bëjnë më shëndetin fizik, sjellja bëhet e pashëndetshme. Sipas saj, duke kaluar shumë kohë vazhdimisht në ankth për çfarëdo gjëje tregon që ndoshta e keni kaluar kufirin dhe keni filluar të lëvizni në një territor të rrezikshëm. Sidoqoftë, një dozë e caktuar e të qenit i informuar për shëndetin është e rëndësishme për secilin. “Derisa është e rëndësishme të mos e reagoni në mënyrë të tepruar ndaj ndonjë çështje fizike, po aq e rëndësishme është të kontrolloni nëse diçka ju duket e çuditshme”, tha Dr. Gearing. “Nëse shihni diçka që ju brengos, vizitoni një profesionist shëndetësor për t’u siguruar”.
Ndihen të keqkuptuar?
Dr. Gearing shpjegon se një shenjë tjetër e hipokondrisë është rezistenca ndaj pohimeve të ekspertëve mjekësorë që çdo gjë është në rregull. Shpesh, pavarësisht përpjekjeve më të mira të mjekëve për t‘i bindur ata për të kundërtën, hipokondrikët vazhdojnë të fiksojnë dhe obsesionohen për shëndetin e tyre.
“Shumica e njerëzve e keqkuptojnë se sa intensive mund të bëhet frika e hipokondrikut,” tërheq vërejtjen dr. Gearing. “Ata vuajnë pa kufi për shkak të frikës së tyre dhe bëhen shumë të izoluar ndonjëherë për shkak të frikës dhe preokupimeve të vazhdueshme.”
A ndikojnë mendimet tuaja në rutinën e përditshme?
Rastet e hipokondrisë shpesh dallojnë në ashpërsi. “Mund të radhiten nga mendimet periodike deri te vetmitarët më kokëfortë, të cilët nuk i lëshojnë shtëpitë e tyre”, shpjegon dr. Gearing. “Në përgjithësi hipokondria bëhet mënyrë e jetesës për shumicën e njerëzve dhe ata e konsiderojnë frikën e tyre si pjesë normale për ta mbrojtur veten”.
Dr. Gearing po ashtu thekson se në shumicën e rasteve, ata të cilët janë të prekur nga hipokondria nuk e kuptojnë që kanë tendencë për t’i ekzagjeruar gjërat më shumë nga sa janë në të vërtetë, transmeton Koha. Është ankthi që shpesh i nxit këto ndjenja dhe njeriu i prekur nuk është shpesh i aftë ta kontrollojë këtë.
Çka mund të bëni?
Nëse e njihni dikë që vuan nga hipokondria, provoni të tregoni durim të madh me ta dhe sigurohuni ta krijoni besimin në forcën e tyre personale.
Nëse besoni që disa nga këta faktorë ju përgjigjen juve, dr. Gearing sugjeron të konsultoni një ekspert të shëndetit mendor për t’ju ndihmuar të merrni kujdesin e duhur. Po ashtu është e rëndësishme të jetoni në mënyrë të shëndetshme. Kryerja e ushtrimeve rregullisht dhe konsumimi i një dietë të balancuar janë disa nga mënyrat që mund ta ndihmoni veten të ndiheni më së miri dhe ta mbani balancën. Edhe pse mund të jetë e vështirë, po ashtu provoni të gjeni mënyra për t’i ngadalësuar mendimet tuaja dhe për të menaxhuar stresin tuaj.
“Jeta është për t’u jetuar,” thotë dr. Gearing, “e jo për t’u brengosur!”