A prishet bukuria e gjoksit kur i jep gji fëmijës?

Mendojnë se ushqyerja me qumësht gjirit do tu prishë formën e bukur të gjoksit, ndërsa të tjera të përkushtuara pas punës nuk gjejnë kohën e përshtatshme për t’iu dhënë bebeve të tyre ushqimin e pazëvëndësueshëm, qumështin e gjirit. Gjinekologët dhe mjekët pediatër pohojnë për gazetën se ndeshen çdo ditë në neglizhencën e nënëve të reja për të ushqyer foshnjat me qumësht gjiri. 

Ndërkohë edhe statistikat e Institutit të Shëndetit Publik janë shumë pesimiste sa i takon ushqyerjes me qumësht gjiri. “Treguesi i ushqyerjes ekskluzive me gji (ushqim vetëm me qumësht gjiri, jo ujë, jo lëngje të tjera) në muajin e katërt është 40%. Por foshnjat nuk arrijnë të marrin as formulat. Përdorimi i formulës foshnjore, e cila mbetet e ulët, është 15% e fëmijëve 0-1 vjeç, pohojnë specialistët e ISHP-së. Një nga mitet më të forta mes nënave të reja se forma e gjoksit prishet nëse ushqejne bebet me qumësht gjiri, kundërshtohen fuqishëm nga ekspertët. Lindita Myzyri është një ndër gjinekologet që ndeshet çdo ditë përballë faktit se duhet të rekomandojë nënat e reja për tu dhëne bebeve të tyre atë çka u ka falur Zoti në gjoksin e tyre. “Mendojnë se gjoksi i tyre nuk do të jetë i bukur dhe do të pësojë dëmtime nëse foshnja e tyre ushqehet gjatë me qumësht, por në fakt nuk është aspak kështu. Faktori estetik i gjoksit nuk është aspak shkak që nënat duhet ta përdorin për të mos ushqyer fëmijët e tyre me gji, përkundrazi, mosushqyerja me gji u deformon më tepër gjoksin” shpjegon gjinekologia Myzyri duke shtuar se politika kryesore që ndjekin me nënat që paraqiten në maternitet, është që ato të ushqejnë foshnjat e tyre me qumështin e gjirit. Më tej ajo vazhdon argumentin e saj duke thënë se kjo mani e nënave është e kotë, pasi gjoksi i tyre nuk pëson asgjë nëse foshnja ushqehet me qumësht. Sipas saj gjoksi është i ndërtuar në mënyrë të atillë që merr forma të zmadhuara dhe të zvogëluara, në varësi të situatës dhe ushqyerja e foshnjës nuk do të dëmtojë aspak estetikën e gjoksit. Ndërkohë, specialistët shpjegojnë se faktorë të tjerë për mosushqyerjen e bebeve me gji janë edhe problemet që mund t’u lindin nënave, duke mos patur qumësht për fëmijët. Por kjo pasohet edhe me faktorin “kohë” që kanë nënat, pasi shumë prej tyre punojnë me ritme të larta dhe nuk kanë mundësi të ushqejnë foshnjat. Megjithatë, specialistët nuk përjashtojnë edhe publicitetin e tepërt që u bëhet ndonjëherë ushqimeve për foshnja, duke joshur nënat pas tyre.

Halim Kosova Të ndodhur përball faktit se neglizhenca e ushqyerjes me gji dëmton jo vetëm bebet por edhe nënat ekspertët bëjnë apel se duhet të ndiqen politika për promovimin e ushqyerjes së fëmijëve me qumësht gjiri. “Mendoj se të gjithë mjekët pediatër, gjinekologët dhe konsultoret duhet të bëjnë maksimumine tyre për të rekomanduar dhe promovuar nxitjen e ushqyerjes sa më gjatë dhe nga të gjitha nënat me qumësht gjiri. Kjo është e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme”, thekson drejtori i Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Halim Kosova. 40% është shifra e treguesve me qumësht gjiri i nënave shqiptare sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik. Por foshnjat nuk arrijnë të marrin as formulat. Përdorimi i formulës foshnjore, e cila mbetet e ulët dhe është 15% e fëmijëve 0-1 vjeç”, pohojnë specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, kjo shifër duhej të ishte shumë herë më e lartë. 

Lindita Myzyri Mendojnë se gjoksi i tyre nuk do të jetë i bukur dhe do të pësojë dëmtime nëse foshnja e tyre ushqehet gjatë me qumësht, por në fakt nuk është aspak kështu. Faktori estetik i gjoksit nuk është aspak shkak që nënat duhet ta përdorin për të mos ushqyer fëmijët e tyre me gji, përkundrazi, mosushqyerja me gji u deformon më tepër gjoksin” 

Vjollca Konica Qumështi i gjirit nuk duhet t’u ndahet bebeve, të paktën vitin e parë të lindjes. Ndërsa si të domosdoshme ajo shikon kohëzgjatjen e ushqyerjes me qumështin e nënës deri në 6 muaj. Në fakt, ky është edhe rekomandimi i OBSH-së, për ushqim ekskluziv me gji në 6 muajt e parë dhe vazhdimin e ushqimit me gji, kombinuar me shtesa përtej vitit të parë.

Mosushqyerja me gji, pasoja tek bebet dhe nënat

Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për foshnjat, për gjashtë muajt e parë të jetës, ndaj nuk duhet t’u mohohet, pasi kjo mund të shkaktojë pasoja tek ata. Kështu u shpreh për gazetën Rubena Moisiu, duke theksuar se ai kombinon tre themelet bazë të një ushqyerje të shëndetshme, që janë ushqimi, shëndeti dhe kujdesi. Sipas saj, qumështi i gjirit i mbron fëmijët nga shumë infeksione dhe i bën ata rezistentë ndaj sëmundjeve. “Shumë nëna përdorin qumështin e lopës për bebet e tyre dhe kjo mund të favorizojë kequshqyerjen dhe aneminë”,- pohon Moisiu. Ndërkohë, ajo thekson se edhe nënat që u ndërpresin qumështin e gjirit foshnjave, kanë pasoja. “Është vërtetuar se nënat, të cilat nuk ushqejnë bebet me qumësht, janë të stimuluara ndaj kancerit të gjirit. Nënat duhet të jenë koshiente për këtë, se pasojat nuk janë vetëm mbi bebet, por edhe mbi ato. Por, pasojë negative është edhe mungesa e afrimitetit që krijohet mes fëmijëve dhe nënës”,- thekson Rubena Moisiu. “Qumështi i gjirit mbron foshnjat nga diarreja dhe infeksionet akute respiratore, otiti i mesëm dhe dermatiti atopik, stimulon sistemin e tyre imunitar dhe përgjigjen ndaj vaksinimit dhe, sipas disa studimeve, ndihmon në aftësitë njohëse dhe zhvillimin e sistemit nervor qendror”,- shpjegon Rubena Moisiu duke theksuar se vetëm me qumësht gjiri mund të kemi fëmijë të shëndetshëm në të kundërt problemet do të jenë evidente për nënën dhe fëmijën. Ndërkohë ajo thekson se në maternitetin që drejton tashmë është një ndër prioritetet që nënat e reja të konsultohen që të ushqejnë bebet me qumësht gjiri. Besoj se çdo nënë duke ditur vlerat e pazëvëndësueshme të qumështit të gjirit dhe shmangin e problemeve të mësipërme që shpjegova do të jetë e kujdesshme që të ushqejë foshnjën e saj me qumësht gjiri. 

Mjekët: Ja deri kur duhet të ushqehet foshnja me gji

Qumështi i gjirit përmban gjithë lëndët ushqimore, antitrupat, hormonet dhe faktorët e rritjes që i nevojiten një foshnje për t’u rritur dhe zhvilluar, ndaj nuk duhet t’u mohohet bebeve ky ushqim i pazëvendësueshëm. Mjekja pediatre, Vjollca Konica, ka shpjeguar se qumështi i gjirit nuk duhet t’u ndahet bebeve, të paktën vitin e parë të lindjes. Ndërsa si të domosdoshme ajo shikon kohëzgjatjen e ushqyerjes me qumështin e nënës deri në 6 muaj. Në fakt, ky është edhe rekomandimi i OBSH-së, për ushqim ekskluziv me gji në 6 muajt e parë dhe vazhdimin e ushqimit me gji, kombinuar me shtesa përtej vitit të parë.
Pediatrja Konica pohon se në favor të fëmijëve do të ishte ushqyerja me qumështin e nënës deri në moshën 2 vjeç, por sigurisht, kur kjo të jetë e kombinuar me ushqime shtesë. “Qumështi i gjirit mbron foshnjat nga diarreja dhe infeksionet akute respiratore, otiti i mesëm dhe dermatiti atopik, stimulon sistemin e tyre imunitar dhe përgjigjen ndaj vaksinimit dhe, sipas disa studimeve, ndihmon në aftësitë njohëse dhe zhvillimin e sistemit nervor qendror”,- shpjegojnë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë, duke theksuar se vetëm me qumësht gjiri mund të kemi fëmijë. 

Vlerat e qumështit të gjirit

“Ushqyerja me gji është një trashëgimi tepër e çmuar”, – pohojnë specialistët e shëndetit publik, sipas të cilëve, qumështi i gjirit është i paimitueshëm dhe përbëhet nga lëndë të pamundura të prodhuara artificialisht. Ai përmban 100 lloje lëndë ushqyese si proteina, kripëra minerale, sheqerna, yndyra, vitamina etj. Por, mbi të gjitha, ai përmban faktorë mbrojtës si, imunoglobulina A, e cila e mbron fëmijën ndaj viruseve, bakterieve apo edhe substancave të huaja që mund të shkaktojnë alergji. “Vendosja e fëmijës në gji bëhet jo më vonë se 6 -12 orë pas lindjes”, – sqarojnë mjekët. Ata shtojnë se ushqyerja me gji duhet të vazhdohet sa më gjatë të jetë e mundur, por 6 muajt e parë fëmija duhet të ushqehet vetëm me gji. Studimi, 50 e nënave nuk mbajnë higjenën e gjirit Një studim i Institutit të Shëndetit Publik tregon se rreth 50 për qind e nënave nuk e pastrojnë gjirin e si pasojë edhe infeksionet dëmtojnë jo vetëm nënat, por edhe bebet. Gjithashtu, studimi bën të ditur edhe mënyrën se si ushqehen nënat dhe nivelin arsimor të tyre. Në studimin e ISHP-së u përfshinë 140 femra që ushqejnë fëmijën me qumësht gjiri dhe në qendër të studimit ka qenë pikërisht higjiena që tregojnë ato. “Vetëm 47 për qind e femrave raportojnë se e pastrojnë gjirin gjatë periudhës së ushqyerjes së fëmijës së tyre”,- bëhet e ditur në studimin e ISHP-së duke shtuar se kjo nuk është aspak pozitive për shëndetin e tyre. Ndërkohë tepër negativ është edhe fakti se, shumë pak femra janë të ndërgjegjësuara për infeksionin e gjirit dhe pasojat që vijnë pikërisht për shkak të higjienës. Nënat edhe konsumatore të alkoolit dhe duhanit “Pjesa më e madhe e femrave dhe konkretisht 34 për qind e tyre raportojnë se konsumojnë rregullisht si produktet me origjinë shtazore, edhe ato me origjinë bimore”,- bëhet e ditur në studim. Megjithatë ajo çfarë është problematike, është fakti se femrat edhe gjatë kohës kur janë shtatzëna, por edhe kur lindin fëmijët, nuk janë pasive ndaj duhanit dhe pijeve alkoolike. “Rreth 20 për qind e femrave përdorin pije alkoolike dhe rreth 10 për qind e tyre përdorin duhan”,- bëhet e ditur në studim e institutit të Shëndetit Publik./ZH

Artikulli paraprakBien “Badovci” e “Batllava”, uji i pijes keqpërdoret
Artikulli vijues“Elkos Grup”, me amerikanë e austriakë, ia mësyn PTK-së