Faik Luli, Islam Dizdari
ABETARJA E HAFIZ ALI ULQINAKUT
Analizë
Abetarja e H. Ali Ulqinakut, e cituar nga studiues të ndryshëm në shkrime në gazeta, revista e libra, por e paparë, tashmë gjendet e plotë, e transkriptuar në alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe nga studiuesi specialist Dr. Mehdi Polisi dhe e paraprirë nga një hyrje studimore për rëndësinë e kontributit të autorit, për veçoritë e shkronjave të alfabetit turko-osman e të gjuhës shqipe e për përmbajtjen e saj.
Autorë të ndryshëm, studiues të çeshtjeve gjuhësore dhe didaktike sa e kanë përmendur, së shumti kanë botuar vetëm një pasqyrë të alfabetit të përdorur nga Hafiz Aliu dhe asgjë më shumë. Për Abetaren kanë shkruar studiuesit Lumo Skendo, Osman Myderrizi, dr.Muhamed Pirraku, dr.Nail Draga, dr.Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, Tonin اobani, Gjon Simoni, prof.dr.Jup Kastrati, prof.dr.Tomor Osmani, prof.dr.Shefik Osmani, prof.as.dr.Njazi Kazazi, prof.dr.Musa Kraja, dr.Ramiz Zekaj, prof.as.Dr.Ludovik Shllaku, Sytki Malohoxha, prof.dr.Mahmud Hysa etj.
Pas shumë gjurmimesh arritëm ta gjejmë Abetaren në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë. Ajo gjindet në fondin 25, Hafiz Ali Ulqinaku, dosja 3. Indikacionin bazë na e dha i nipi i Hafiz Aliut, Abdullah Said Hafizi, banues në Lezhë. Sipas informacionit të tij të gjitha shkrimet e Hafiz Aliut ai i kishte depozituar në Arkivin e Shtetit, mes të cilave ndodhej edhe Abetarja. Falënderojmë punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe posaçërisht Drejtorin, zotëri dr.Shaban Sinani, i cili na krijoi mundësinë që të gjurmojmë në fondin e Hafiz Aliut dhe, mbasi e gjetëm abetaren, na lejoi që ta fotokopjojmë.
Kjo vepër deri tani e panjohur prej studiuesve ka vlera të veçanta atdhetare, shkencore, gjuhësore dhe didaktike.
Vlerat atdhetare
Abetarja e Hafiz Aliut është një dokument me shumë rëndësi për gjuhën shqipe, për historikun e shkrimit të saj dhe të përdorimit të saj në shkollë, për edukimin dhe arsimin e fëmijëve shqiptarë. Hafiz Aliu duke qenë mësues në Shkodër dhe në Lezhë e ndjente nevojën e mësimit të shqipes në shkollë. Këtë ide ai e pat shprehur edhe më parë tek Mevludi dhe tek fjalorët e tij. Populli, gratë dhe fëmijët nuk kuptonin as gjuhën zyrtare të administratës, osmanishten, as arabishten si gjuhën që përdorej gjerësisht në ceremonialin fetar në xhami. Prandaj ai shkroi Mevludin në gjuhën shqipe që populli dhe kryesisht fëmijët dhe të rinjtë ta këndonin dhe ta mësonin shqip. Natyrisht autori në atë kohë do të shkruante shqipen me alfabetin arab, osman. Kjo ishte praktika e ndjekur deri atëherë nga paraardhësit e tij. Por siç kemi pasur rastin të theksojmë më parë shkrimi i shqipes, hartimi i teksteve mësimore shqipe, aq më tepër hartimi i abetares shqipe për përdorim shkollor ishte një akt i lartë qytetarie dhe atdhetarie. Ai binte në kundërshtim me të gjithë traditën e urdhëruar nga pushtuesit osmanë, binte në kundërshtim me ligjet në fuqi, të cilët nuk lejonin fëmijët myslimanë të mësonin në gjuhën amtare. Shkrimi i shqipes e aq më tepër përdorimi i saj në shkollë, hartimi i librave shqip dhe i abetareve shqipe tregonte vullnetin e mirë dhe ndërgjegjen e lartë atdhetare të autorit. Në këtë mes duhet shënuar se Hafiz Aliu ishte hoxhë. Kjo tregon qartazi se intelektualët islamë, hoxhallarët tanë dashurinë për atdhe e kanë shprehur kudo, jo vetëm duke u prirë çetave të luftëtarëve kundër sulmeve grabitqare sllave apo edhe osmane, por njëkohësisht kanë qenë përkrahës të diturisë në gjuhën shqipe dhe jo kundërshtarë të saj, si mundohet ta paraqesë ndokush. Hartimi i veprave të tilla si Abetarja, Fjalorët apo Mevludi në gjuhën shqipe më së pari tregon një qëndrim të lartë atdhetar të autorit.
Vlerat shkencore gjuhësore
Këtë problem e ka analizuar gjerësisht Dr. Mehdi Polisi në studimin për abetaren “Një vepër e çmuar e Hafiz Ali Ulqinakut”. Gjithashtu edhe studiuesi i mirënjohur Tahir Dizdari, kur analizon gjuhën e Mevludit të Hafiz Aliut trajton dukuritë gjuhësore të kësaj vepre, të cilat përgjithësisht vlejnë edhe për gjuhën e Abetares. Një punë të vyer ka bërë edhe orientalisti i njohur Osman Myderrizi duke analizuar Fjalorët e Hafiz Aliut. Ne do të theksojmë disa probleme specifike:
Hafiz Ali Ulqinaku në veprën “Abetarja e gjuhës shqipe” ka pasqyruar një nivel të lartë të formimit pedagogjik. Ai me kompetencën e një dijetari shkel në disa shtigje të vështira dhe përgjithësisht të parrahura apo të rrahura fare pak.
Ai arrin një sukses të dukshëm në shkrimin e gjuhës shqipe me shkronjat e alfabetit të gjuhës arabe, turke-osmane ose persishte. Në këtë fushë ai dallon mirë veçoritë gjuhësore të këtij grupi gjuhësh semite dhe, përmes alfabetit të tyre, arrin të krijojë karaktere shkronjash të veçanta për të shprehur tingujt dhe veçoritë e tyre në gjuhën shqipe që është e një natyre krejt tjetër si gjuhë indoevropiane. Natyrisht në këtë fushë të vështirë edhe të tjerë kanë bërë shumë përpjekje, edhe Hafiz Aliu arriti të shkruajë e të botojë më parë Mevludin, por tek Abetarja ai ka arritje më të larta, koncepte më të qarta dhe kritere më të drejta shkencore. Mjaftojnë të gjitha pasqyrat e shkronjave të paraqitura në parathënie dhe sqarimet që ai i ka pa të arsyeshme, për të treguar qartësinë dhe saktësinë e dijeve gjuhësore të autorit.
Abetarja ishte një libër mësimor, përmes të cilit fëmijët do të përvetësonin drejt kriteret e shkrimit dhe të leximit të gjuhës shqipe dhe do të hidhnin themelet e mësimit të saj. Fëmijët shqiptarë deri në atë kohë nuk shkruanin gjuhën amtare, gjuhën shqipe, për rrethanat politike e shoqërore të kohës, por ama në të gjitha lagjet dhe në shumë fshatra kishte mejtepe (shkolla fillore) dhe shkolla të kategorive tjera më të larta ku mësohej gjuha arabe, turke-osmane dhe persishte. Shumica dërmuese e fëmijëve njihnin alfabetin arab, shumë i thjeshtë, një grafemë si për shkronjën e dorës ashtu edhe për të shtypit, si për shkronjën e madhe ashtu edhe të voglën, dinin përmendësh disa nga lutjet dhe suret e thjeshta të Kur’anit, dinin t’i lexonin dhe t’i shkruanin ato në origjinal, pra ishin të njohur me karakteret e shkronjave të alfabetit arab e një pjesë më e vogël edhe të alfabetit turko-osman dhe të gjuhës persishte. Gjuha shqipe ishte e një natyre krejt tjetër, kishte ndryshime të theksuara në shqiptimin e tingujve dhe paraqiste vështirësi serioze në paraqitjen grafike të tingujve, duke u bazuar në alfabetin arab. Këtë problem tek Abetarja e zgjidhi drejt Hafiz Aliu. Ai krijoi në bazë të grafisë arabe, turko-osmane dhe në ndonjë rast edhe të gjuhës persishte karaktere të veçanta shkronjash për të shprehur me shkrim tingujt e gjuhës shqipe. Autori ka krijuar 15 shkronja të veçanta për tingujt zanorë dhe bashkëtingëllorë që nuk i ka gjuha arabe. Sikurse e thekson Dr.Mehdi Polisi këto janë: ë, o, y, c, ç, ll, rr, p, x, q, gj, nj, nd, ng, zh. Në këtë mënyrë ai arrin të na hartojë një alfabet të gjuhës shqipe me grafi arabe, por për çdo tingull jep një shkronjë korresponduese. Këtë problem e ka sqaruar në mënyrë shkencore Dr. Mehdi Polisi, i cili bën krahasimin mes alfabetit të Mevludit dhe të atij të Abetares së H.Aliut duke u ndalur kryesisht në dy tri çeshtje: në shkrimin e zanoreve o, u, y, dhe të bashkëtingëlloreve c, ç, x ose ng, nd, dhe nj. Zgjidhjet që i ka bërë këtij problemi Hafiz Aliu në Abetare në krahasim me Mevludin, janë të drejta shkencërisht, lexuesi nuk ka asnjë arsye të ngatërrojë leximin e shkronjave në Abetare, ashtu siç mund të ngjiste tek Mevludi, kur ky problem lihej në aftësitë gjuhësore të lexuesit.
Gjuha e përdorur në formimin e rrokjeve, të fjalëve, të togjeve të fjalëve apo edhe të fjalive pasqyron një nivel mjaft të lartë shkrimi të shqipes. Jo vetëm grafia është e konsoliduar dhe shumë e qëndrueshme, por edhe përzgjedhja e fjalëve shqipe, konceptet që ngërthejnë ato, lidhjet e tyre me njëra-tjetrën dhe posaçërisht ndërtimi i fjalive është shumë i qartë, i kuptueshëm dhe u përgjigjet normave të gjuhës sonë shqipe. Gjuha e përdorur në tekst nga autori tregon një formim të lartë të tij pavarësisht nga ndikimet dialektore të pashmangshme, ndoshta edhe të vetëdijshme të bëra nga autori. Edhe në Abetare si tek Mevludi apo edhe në Fjalorët, autori ka ndikime mjaft të shpeshta të të folmes së Ulqinit. Këtë e kanë vënë re me kompetencë shkencore studiuesit e mirënjohur Osman Myderrizi, tek Fjalorët, Tahir Dizdari tek Mevludi dhe së fundi Dr.Mehdi Polisi tek Abetarja.
Shpjegimet e tingujve sipas vendit, ku ata formohen dhe karakterin e tyre si zanore të shkurtra, të mesme apo të gjata, bashkëtingëllore të zëshme apo të pazëshme, grykore, qellëzore, buzore etj., autori i Abetares i ka bërë në mënyrë të qartë shkencore me kompetencën e një linguisti. Psh kur flet për elifin e gjuhës arabe dhe turke-osmane, Hafiz Aliu shpjegon se do të përdoret në gjuhën shqipe për zanoren a. Kur elifit i vihet një vizë e vogël vertikale përsipër, atij i jipet funksioni i një zgjatje të mesme, i cili gjithnjë në gjuhën shqipe do të lexohet si a (me gjatësi të mesme), psh aj (= ai). Te fjalët që duhet të lexohet më i gjatë, përsipër elifit vendoset një shënjë e zgjatjes, në formën (~), për shembull, shqipt a:r.
Karakterin e disa zanoreve e përcakton në këtë mënyrë: zanorja o është e hapët, e prapme e rëndë; zanorja u është e mbyllët, e prapme e rëndë; zanorja y është e prapme, e lehtë e mbyllët etj. Po kështu shumë interesante nga ana shkencore janë përcaktimet për shkronjën k dhe ng; n dhe nj; q dhe gj etj. Me shpjegimet dhe sqarimet që jep, autori ka qenë i informuar për problemet shkencore gjuhësore jo vetëm në arabisht, osmanisht, persisht por edhe për gjuhën shqipe.
Shënojmë se do të ishte kënaqësi e veçantë për ne, nëse në të ardhmen studiuesit e tjerë do të thelloheshin më tej në çështjet e mirëfillta gjuhësore të Abetares së Hafiz Ali Ulqinakut.
Vlerat didaktike
Abetarja ka një strukturë të arsyetuar, të natyrshme e të drejtë si libri më i parë e më i rëndësishëm për nxënësit e klasës së parë të shkollave fillore, si mjeti kryesor për mësimin e shkrim-leximit.Struktura e saj të bind për horizontin e autorit, për përgatitjen e
tij, për aftësitë pedagogjike, didaktike e metodike, për kuptimin e qartë nga ana e tij për kombinimin e harmonishëm të anës shkencore, metodike e edukative.
Autori H. Ali Ulqinaku me hartimin e kësaj Abetareje vërteton se ka qenë në dijeni të abetareve shqipe e të huaja, gjë që del qartë nga krahasimi i saj me abetaret shqipe të përfshira në veprën shkencore me vlera të gjithanshme “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike” të autorëve të njohur e të palodhur dhe specialistëve cilësorë për problemet e historisë së arsimit dhe të didaktikës në vendin tonë Prof.Dr.Shefik Osmani e Prof.as.Dr.Niazi Kazazi me redaktor Prof. Dr. Tomor Osmani e recensentë Prof. Dr. Pajazit Nushi e Kolë Xhumari.
Abetarja fillon me një “Hyrje”, në të cilën pasqyrohen të dhëna për shkrimin e shkronjave të gjuhës arabe e turko-osmane në gjuhën shqipe. Autori jep shembuj të shumtë shkoqitës për shkrim zanoresh e bashkëtingëlloresh të ndryshme që i ndihmojnë nxënësit për të pasur të qartë përdorimin e tyre në shkrim, në lexim e në të folur.
Në vazhdim trajtohet kapitulli “Alfabeti i gjuhës shqipe”, i cili paraqitet me tabela të ndryshme konkretizuese, duke dhënë radhazi tabelën e alfabetit të gjuhës shqipe, shkronjat e shtuara, të posaçme për gjuhën shqipe, shkronjat e përgjithshme, shkronjat plotësuese dhe zanoret me shkronja, shkronja të parme (të thjeshta) të shkurtra, shkronja të parme (të thjeshta) të gjata, fjala e përbërë (e formuar) e shkurtër dhe fjalë e përbërë (e formuar) e gjatë. Në dy tabelat e fundit jep idenë e rrokjes zanore + bashkëtingëllore ( ab, eb, etj) dhe të fjalës a:r, e:r, ni:r, u:r, shtu:r, kry:, në dy mënyrat e paraqitjes së tyre grafike: e vokalizuar me shenja të zanoreve dhe e vokalizuar me shkronja.
Ky kapitull, me anë të tabelave të veçanta për çdo temë është një material bazë, shumë i dobishëm, për të kuptuar e zbatuar veçoritë e shkronjave zanore e bashkëtingëllore, mënyrën e kombinimit të tyre në shkrim e lexim në përshtatje me kërkesat e gjuhës shqipe.
Këto probleme autori i ka shtjelluar gjerësisht, i ka konkretizuar me variante të ndryshme drejtshkrimi e drejtshqiptimi për të formuar te nxënësit e vegjël e të rritur njohuritë, shkathtësitë dhe shprehitë e nevojshme të shkrim-leximit, si detyra e parë e domosdoshme dhe e rëndësishme e abetares.
Në vazhdim autori H. Ali Ulqinaku trajton punën me fjalorin, me togjet e fjalëve, me fjalitë dhe në fund ka disa tekste të lidhura. Gjithësejt janë 9 tema që trajtohen duke u rritur metodikisht shkalla e vështirësive. Tema e katërt dhe e gjashtë janë vazhdim e thellim i njëra-tjetrës duke futur mes tyre njohuritë për besimin, kështu që gjithësejt janë 10 njësi mësimore.
Problematika e kësaj pjese është e gjerë. Përfshin disa tema kryesore: Fjalë për organet e trupit, fjalë për tokën, fjalë për qiellin, fjalë për kohën, fjalë për besimin, përsëri fjalë për kohën, emra për kohën, emrat e muajve, fjalë për vendin dhe për nevojat e domosdoshme.
Autori synon që përmes formimit të aftësive në shkrim dhe lexim të japë edhe mjaft njohuri nga fusha të ndryshme të dijes. Këto fillojnë me njohuritë nga natyra dhe pikërisht me atë pjesë të natyrës që është më e afërta, me trupin tonë, me trupin e njeriut, pastaj kalohet në njohuri për tokën, duke u përqëndruar tek dijet e gjeografisë fizike, kalohet në njohuritë nga astronomia dhe meteorologjia, në dijet nga koha dhe dukuritë atmosferike dhe punët sipas stinëve, jepen dijet themelore të besimit islam, pjesët përbërëse të vitit, stinët, muajt, javët, ditët etj.duke e vënë theksin tek emërtimet e tyre, kalohet tek gjeografia e përgjithshme, toka, kontinentet, popullsia etj, pastaj kalohet në njohuritë kryesore ekologjike lidhur me banesën, ushqimin, veshmbathjen etj. duke përfunduar me lutjet kryesore që duhet të dijë një fëmijë i klasës së parë. Po paraqesim në vija të të përgjithshme përmbajtjen e këtyre temave që përfshihen në Abetare.
Në “Fjalë për pjesët (organet) e trupit”. Autori e fillon mësimin për ushtrimin e përdorimit të tingujve dhe shkronjave në fjalë, togje fjalësh dhe fjali, duke dhënë njëkohësisht edhe njohuri themelore që e sheh ai të arsyeshme. E këtë e nis nga më e afërta, nga trupi i njeriut, nga trupi i vetë nxënësve. Në fillim të çdo teme autori ka grumbulluar fjalë me renditje logjike duke i përshkallëzuar konceptet më themelore për pjesët e trupit të njeriut. Ata nuk janë fjalë dhe grupe fjalësh të grumbulluara rastësisht. Autori duke bërë analizën logjike të pjesëve të trupit, jep fjalët themelore, jep konceptet bazë që lidhen me secilën pjesë, organ të trupit të njeriut.Fjalët lidhen njëra me tjetrën dhe përbëjnë kuptimet themelore të konceptit kryesor. Temën “Fjalë për pjesët (organet) e trupit e fillon me fjalen kry4 që përmbledh fjalët: flok, ball, vetull, sy, hund, goj, gjuh, dham, dhmall, buz, vesh, tru:, faqe, fylqinj, qaf, arrç, fyt (hem gryk) etj. Vini re renditjen logjike duke u nisur nga pamja e përgjithshme e kokës: flok, ball, vetull, sy, hund, goj, etj. Dhe brenda gojës: gjuhë, dham, dhmall etj. Kjo renditje e fjalëve jo vetëm logjikisht, por edhe nga ana shkencore dhe didaktike edhe sot është e qëndrueshme dhe e saktë, gjë që tregon qartë aftësitë didaktike dhe shkencore të autorit. Pasi ka dhënë fjalët, emërtimet (koncepte) më themelore për trupin e njeriut, autori jep foljet më kryesore që lidhen me veprimet e organeve të trupit, por që njëkohësisht edhe me punën e jetën e fëmijëve në shkollë, si: me shkru, me vizatu, me shatit, me bvet, me dit, me ndej, me kap, me gjet. Pas foljeve që i jep në paskajore autori fillon me fjalitë të thjeshta, si: Dora kap. Syni sheh. Duhet me shkru me vizatu. Prej tyre kalohet në fjali më të zgjeruara, si: Aj ni:r qi shkrun e kndan pyr gjith vend paq ban. Aj qi z’din strapac hjek.
Duke synuar të japë numërorët nji dhe dy autori formon edhe një fjali në formën e një fjale të urtë me përmbajtje morale duke i këshilluar fëmijët që të flasin pak dhe të dëgjojnë shumë, Dëgjo dy herë e fol një herë. Për këtë jep ushtrimin e menduar shumë bukur: Gjuhë nji, ve:sh dy- nji fal, dy ndigja.
Kjo temë mbyllet me lidhjet farefisnore më të afërta duke vënë në përdorim përemrat më të njohur pronorë, në rastin konkret të përdorur para emrave: em vlla, eme motër, em bir, eme bi.
Si përfundim themi se autori në këtë temë ka dhënë 42 emra, 8 folje, numërorët dhe përemrat pronorë. Formon fjali të thjeshta dhe pastaj kalon në fjali të përbëra. Të gjitha këto lidhen me problemet e mësimit, të shkollës dhe të edukimit moral. Me interes është ideja se i dituri bën të mira, ndërsa i padituri heq e vuan.
Në pjesën “Fjalë për tokën” ka emra që kanë të bëjnë me tokën, me elemente të saj, me dukuri që lidhen me tokën, me qenie të gjalla që jetojnë në të, etj. Të tillë janë emrat gu:r, dhe:, pluhyn, ran, balt, kyrqele, mal, kodyr, rrpin, teposht, pyrpje:t, rrafsh, fushë, çerdhe, livadh, njomsin, bar, zjerm, rrug, udh, dru, gjeth, buk, etj. Si në temën e parë autori nuk bën një rreshtim fjalësh pa kriter, duke iu përshtatur nevojave të shkrimit apo të këndimit, përkundrazi në dhënien e njohurive për konceptet më kryesore gjeografike për tokën ai i rendit fjalët sipas një rendi logjik që të lidhura ngusht me njëra-tjetrën japin një sistem konceptesh apo një koncept më të gjerë, më përgjithësues. Vini re grupin e fjalëve:
1. që lidhet me përbërësit e tokës: gur, dhe, pluhyn, ran, balt, kyrqele etj.,
2. me formën e pamjes së tokës: mal, kodyr, rrpin, teposht, përpjet, rrafsh, fush, livadh,
3. me bimët në tokë: njomsin, bar, dru, gjeth etj.
4. me ujin: uj, vi, lum, det, prru, liqe.
Autori në këtë temë ka përdorur 32 emra, 3 ndajfolje: teposht, pyrpjet, rrafsh. Këta të fundit, ndajfoljet, lidhen ngusht nga ana kuptimore me emrat që kanë pranë, si: mal, kodyr, rrpine, që mund të shfrytëzohen për të krijuar pozicione të tyre si dhe për t’i përdorur emrat në fjali të ndryshme.
Kjo pjesë përfshin edhe folje me paskajore me mif, me ça, me gje:t, me kthy, me ngri, me rrje:dh, m’u njit, me i:k Më poshtë autori formon fjali të thjeshta duke vënë në lidhje e marëdhënie emrat me foljet, si: Toka sillet. She:u rrjeth. Rana me:t. Kjo temë përfundon me fjalinë e zgjëruar, por që njëkohësisht është dhe një fjalë e urtë, por që lidhet me tematikën e fjalëve në përdorim: Guri ny vend rand isht, gjithkush e di.
Sikur shihet autori i Abetares njohuritë nga Dituria e natyrës i ka dhënë shumë të thjeshta, të qarta e të renditura logjikisht. Shkalla e vështirësive është rritur nga tema në temë.
Në pjesën “Fjalë për qiellin” njohuritë nga natyra gërshetohen me elementet themelore të astronomisë. Ka fjalë që paraqesin një fjalor të bollshëm për qiellin dhe dukuritë që kanë të bëjnë me të, si: qijell, dijell, han, yll, mot, erë, re, borë, akull, shi, breshen, vetim, rrfe, mjegull, e:r, si dhe folje që tregojnë e sqarojnë dukuritë në fjalë, si: me fry erë, me bumullu, me vetu, me shkrep, me pikrru. Më poshtë vazhdohet me fjali të thjeshta: Er fryn. Qijelli sat bumullan. Shi:u pikrran pike pike. Liqe:ni bahet prej shiut tuj ik. Breshyn u kap.
Theksojmë se në ndonjë rast nën ndikimin e gjuhës turke-osmane renditja e fjalëve nuk përputhet me natyrën e ndërtimit të fjalive në gjuhën shqipe. Psh: Er fryn., Breshyn u kap.
Pjesa “Fjalë për kohën” përmban fjalët e nevojshme që shpjegojnë përcaktime të shumta për temën, si: vje:t, muj, jav, djell, dit, nat, ças (sot), natje, mramje, ve:r, vjesht, dimyn, prendve:r, fresk, ftoft, xet, terr, drit, von, he:ret, etj. Këto fjalë, të vendosura radhazi, paraqesin koncepte për kohën me emra për periudha, për njësi, për matjen, për zgjatjen e saj, për stinët, për dukuritë atmosferike, etj.
Kjo temë ka një shkallë më të lartë vështirësie, konceptet janë vërtetë të thjeshta, por disi më abstrakte, më përgjithësuese, që lidhen jo me një send konkret dhe të prekshëm për fëmijët, si koncepti: vjet, muj, jav, ver, vjesht, dimyr, prendver, me dukuri atmosferike, si: fresk, ftoft, xet, terr, drit, von, heret.
Sapo paraqet tri folje me ardh, me kalue, me fluturue që lidhen logjikisht me fjalën vjetët, kështu që edhe mund të kuptohen si një fjali e përbërë me tre kallëzues, menjëherë autori fillon me fjalitë: Vjetyt fare shpejt vin. Vjen, kalan, shkan ntrinija. Koha si zak fluturan. Punyn e mramjes ny natje mas le. اas pyr ças mas rri. Dimyn, ve:r knda, shkruj. Papuna trok t’ban. Sikur shihet në këtë temë numri i fjalive është shtuar, gjithashtu edhe niveli i tyre, mendimi që ata shprehin është më përgjithësues, më abstrakt. Shumë interesante është fjalia e ndërtuar me tre kallëzues: Vjen, kalan, shkan rinia (në tekst ntrinija). Të gjitha këto fjali lidhen me punën, me kohën dhe me shfrytëzimin e saj. Këshillat morale që jepen, janë me shumë vlerë për edukimin e fëmijëve dhe pasqyrojnë vlerat mësimore dhe edukative të mësimit, ashtu siç e konceptonte vlerën e diturisë Hafiz Aliu.
Në vazhdim trajtohet tema “Fjalë për besimin”, ku jepen njohuri fillestare në përshtatje edhe me mundësitë dhe nivelin e fëmijëve. Nepërmes një teksti të lidhur autori shtron në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë shtyllat e besimit islam. Në pamje të parë është një grumbull fjalësh e shprehjesh, por duke i lidhur ato ne nxjerrim të plotë dhe të qartë këto njohuri: Zoti (Perëndia) gjithçka isht ai e shpif (e krijon). Zoti (është) nji. Shak nuk ka. Ne na ka çu qitabe edhe pejgamber. Edhe dita e qametit njimend isht. Mir e keq, gjith e cili send prej Zotit vjen. Mas deke prap ke m’ju njall. Muhammedi alejhi-s-selam Robi dashtun i Zotit isht. T’gjithave i besu:m. Këto ide janë të njohura për të gjithë, prandaj edhe nuk kanë nevojë për t’u analizuar. Në kushtet e mësimit për fëmijët e klasës së parë autori në mënyrë të thjeshtë, me fjali të shkurtra e të kuptueshme parashtron idetë më themelore të besimit.
Pjesa “Përsëri fjalë për kohën” nuk është përsëritje e temës së mëparshme, ajo është më e zgjeruar, në vend të fjalëve ka për bazë fjalitë që kanë karakter pyetës me përgjigjet përkatëse. Trajtimi metodik i lëndës ndryshon. Mësimi zhvillohet në formë pyetjesh e përgjigjesh mes mësuesit (librit) dhe nxënësit.
Pyetje të tilla kanë të bëjnë me vitin, muajt, javët, ditët, orët, minutat e sekondat, ato kanë një shkallëzim të natyrshëm dhe krijojnë një tabllo të qartë për kohën dhe lidhjet logjike mes përbërësve dhe njësive të saj.
Ja për konkretizim pyetjet e paraqitura: Nji vjet sa muj isht? Nji muj sa jav isht? Nji jav sa dit ka? Nji muj sa dit ka? Nji dit sa ças isht? Nji ças sa dekike ka? Nji dekike sa sanije ka?
Këtyre pyetjeve u jipen përgjigjet përkatëse: Nji vjet dymdhet muj isht, nji muj katyr jav isht, nji jav shtat dit ka, nji muj tridhet dit ka, nji dit dymdhet ças isht, nji ças gjashdhet dekike ka dhe nji dekike gjashdhet sanije ka.
Një tjetër pjesë ka për subjekt kohën. Ajo titullohet “Emrat për kohën”. Edhe këtu nuk ka përsëritje, ka elemente të reja. Nëpërmjet kësaj pjese jepen emrat e ditëve dhe të muajve. Shënojmë se emrat e muajve jepen sipas kalendarit hënor, në gjuhën arabe.
Shtojmë se këto emra jepen vetëm si fjalë, pa u përdorur në fjali.
Emrat e ditëve i vendos sipas kësaj radhe: E brende, e shtunde, e dill, e hane, e martë, e myrkurr dhe e enjte. Autori duke u nisur nga tradita e besimit islam java fillon me ditën e xhuma, që është edhe ditë feste, por të bën përshtypje se kjo ditë emërtohet e brende (e premte)
Për emrat e muajve thekson se ata janë përcaktuar në dy mënyra në bazë të kalendarit hënor e atij diellor. Sipas hënës emrat e muajve i shënon: Muharrem, Safer, Rebi’u-l-evvel, Rebi’ul-ahir, Xhumadi-l-evvel, Xhumadi-l-ahir, Rexhep, Sha’ban, Ramazan, Sheval, Zi-l-ka’de dhe Zi-l-hixhxhe.
Duke vazhduar paraqitjen e përmbajtjes së pjesëve i vjen radha “Emrat e mujve dijellit”. Kjo është një pjesë e gjatë, ku jepen emrat e muajve si vijon: Mars, Prill, Maj, Qershyr, Korrik, Gusht, Briti, Britni, Britmuri, Shinondre, Kallnur dhe Shkurt hem frur.
Pas muajve jepen stinët. Pyetjes: Nji vjet sa copa ka, i jepet përgjigja: Nji vjet katyr copa ka.
Autori për konkretizim të përgjigjes jep emrat e stinëve: Prandver, ver, vjeshtë e dimyn. Njëkohësisht me këtë në vazhdim jepen muajt që përfshin secila stinë si dhe karakteristikat atmosferike të secilës prej tyre.