Aktori Murray Abraham, fitues i çmimit Oscar, duke folur si pjesëtar i një familjeje emigrante e cila kishte ardhur në SHBA nga Siria vite më parë tha se të gjitha shtetet e botës duhet ta ndihmojnë Sirinë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Sipas meje, e tërë bota duhet edhe njëherë të mendojë se pse njerëzimi ekziston në botë. Çdokush ka harruar se është njeri”, tha Abraham.
Murray Abraham, fitoi çmimin Oscar në vitin 1984 për rolin e kompozitorit Antonio Salieri në filmin “Amadeus” i cili përshkruan jetën e Mozartit. Ai pas pjesëmarrjes në mbledhjen e organizuar në Kongresin e SHBA-ve në lidhje me refugjatët, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të AA-së.
Duke treguar se babai i tij ka lindur në Siri dhe se familja e tij ka ardhur në SHBA shumë vite më parë si emigrantë, Abraham rrëfeu se në Siri ende ka të afërt dhe e theksoi nevojën për ndihmë ndaj popullit të Sirisë.
Abraham kritikoi rritjen e armiqësisë ndaj refugjatëve. “Duhet bërë çdo gjë për t’u dalë në ndihmë këtyre njerëzve”, tha ai.
Ndërkaq, lidhur me pranimin e refugjatëve, ai kërkoi që “SHBA-të të cilat e kanë sistemin më të fortë të kontrollimit në botë, t’ua hapin dyert refugjatëve”.
“Dua që populli amerikan të zgjohet. Sirianët nuk janë armiq. Ata janë njerëz që kanë nevojë për ndihmë. Edhe unë jam sirian. Shumë njerëz nga populli im kanë dhënë kontribute të shumta për këtë vend. Për shembull, dy vëllezërit e mi gjithashtu ishin në ushtri. Tani të dy prehen në varrezën e ushtarëve”, tha Abraham.
Duke treguar se familja e tij është nga të krishterët e Sirisë, Abraham u shpreh se si të krishterët, njashtu edhe muslimanët po përjetojnë dhimbje të mëdha. Sa i përket asaj se nëse ka kontakte me të afërmit në Siri, ai tha se “Është e vështirë të kontaktoj me ta. Zakonisht kontaktimi bëhet përmes mesazheve që i sjellin persona të tjerë”.
– “Sirianët nuk janë terroristë”
Abraham tha se në SHBA ekzistojnë persona dhe organizata që janë të gatshëm t’i pranojnë sirianët dhe se mund të gjenden vende strehimi dhe punë për refugjatët. Sipas tij, këta njerëz nuk do të jenë barrë për ta.
“Nuk duhet ta harrojmë këtë: Si do të ndiheshit nëse do të detyroheshit ta braktisni vendin tuaj? Nëse keni gjetur vend për qëndrim në ndonjë shtet tjetër, kur problemet të zgjidhen a nuk do të ktheheshit në vendin tuaj? Unë do të kthehesha. Domethënë, them sikur për një kohë t’ua zgjatnim dorën e ndihmës këtyre njerëzve dhe të mos frikësoheshim. Sirianët nuk janë terroristë. Të afërmit e mi nuk janë terroristë”, thotë Abraham.