Abrashi: Kursyem 10 milionë euro nga pensionistët

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se kanë arritur për një periudhë të shkurtër të kursejë nga buxheti i shtetit afër 10 milionë euro duke ndalur pensionet për ata njerëz që nuk janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës.

“Në janar të vitit 2015 nxorëm udhëzimin administrativ me të cilin definohen procedurat e aplikimit për pensione. Në këtë udhëzim sqarohet se pensioni bazë u njihet vetëm atyre personave që janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës dhe normalisht që kanë arritur moshën 65 vjeçare”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Abrashi ka shtuar se nga udhëzimi administrativ ka pasur rënie të dukshme të pënsionistëve, të cilët nuk kanë arritur që ta dokumentojnë se janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës.

“Pra vitin 2015 e kemi filluar më 132 mijë përfitues dhe në tetor (2016) kemi 120 mijë 146 përfitues. Nëse shtojmë kësaj shifre edhe rritjen e numrit të përfituesve si efekt i rritjes natyrore, që është diku rreth 5000-6000 në vit, flasim për më shumë se 18 mijë suspendime apo ndërprerje për 10 muaj dhe me një kursim prej së paku 10 milionë euro”, ka shtuar Abrashi.

“Ne nuk do të ndalemi në implementimin e praktikave më të mira, në mënyrë që pensionistët e vërtetë të gëzojnë një pension dinjitoz”, ka përfunduar ai.

Artikulli paraprakKinë: Konfirmohet vdekja e minatorëve të zhdukur
Artikulli vijuesThemeluesi i megaupload: Hillary është në telashe të mëdha