Meqë sivjet duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme, janë shtuar edhe manifestimet për shënimin e përvejtorit të luftës së vitit 2001. Kështu të hënën, paria e BDI-së ishte prezente në një përvjetor në fshatin Sellcë të Tetovës.
Ish komandanti i UÇK-së Ali Ahmeti, në këtë manifestim përdori një fjalor të ulët.
“Historikisht armiqtë janë përpjekur kanë investuar e propaganduar për ti denigruar e pashtruar të gjallët dhe për të trazuar eshtrat e të rënëve . Prandaj këto hordhi nuk harrojnë strategjitë e përpunuara të paraardhësve të tyre vazhdojnë të trazojnë vazhdojnë të denigrojnë por unë do ju shprehem me një fjalë popullore. Na marrshin pleshtat që të gjithë sepse shqiptarët janë të vetëdijesuar dhe ndërgjegjësuar që të mos lejojnë as dëshmorët e heronjtë dhe historinë e tyre të përbaltet por as ata të gjallë që jetojnë mos denigrohen”, tha Ali Ahmeti, transmeton “Zhurnal”. Që të jetë ironia më e madhe, ai këtë fjalim e mbajti në ditën kur gjykatat maqedonase vazhduan për 48 orë arrestin për ish pjesëtarin e U:K-së, Gafur Dugolli.
Analistët shqiptarë shpeshherë kanë vlerësuar se Ahmeti mban “fjalime të marra” për të defokusuar opinionin nga ndonjë skandal i pushtetit, siç është rasti i arrestimit të Gafur Dugollit, me fletëarrest të Serbisë.
Përfaqësues të brigadës 112 e përfaqësues të veteranëve të luftës e familjeve të dëshmorëve , potencuan gjithashtu rëndësinë e luftës së 2001, dhe qëndresës që bënë luftëtarët në kalanë e Sellcës
“Është një ndër kalatë që simbolizon luftën e viti 2001,ajo luftë e cila na mblodhi bashkë për të rezistuar me forcë , ashtu siç është kërkuar gjatë viti 2001 dhe na mbajti bashkë deri më sot ashtu edhe siç kërkohet që edhe me mjete tjera sot të vazhdohet dhe të ruhet amaneti i tyre që ranë për ne”, tha Hazbi Lika, ish komandant i brigadës 112 “Mujdin Aliu”.
“Të nderuar familje të dëshmoreve vijmë tek ju të marrim guximin nga ju të ecim përpara një hapë duke kujtuar ata që kanë nderuar jetë , dy hapa për të bërë përpara për të kryer detyrën ndaj tyre”, tha Fazli Veliu, kryetar i SHVL-UÇK-së.
“Është një nder dhe respekt i veçantë që të jesh gjithmonë këtu, ndodh kjo gjë si një njeri i pleqëruar dhe i sëmurë sapo vjen këtu në Kalanë e Qëndresë harrohet sëmundja dhe çdo gjë tjetër sepse pranë janë njerëzit më të mirë që kam njohur në jetën time”, tha Bardhyl Llagami, babai i dëshmorit Shpend Llagami.
Në fund të gjithë të pranishmit bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në shenjë respekti dhe mirënjohje për të gjithë ata djem të rinj që dhanë jetën e tyre për liri.