Ahtisaari: Serbia s’ka BE pa e njohur Kosovën, le të shkojë në Rusi

Serbinë nuk duhet lejuar të hyjë në BE gjithnjë derisa nuk e njeh Kosovën dhe as duhet ofruar kurrfarë favoresh, tha Martti Ahtisaari, fituesi i çmimit Nobel për paqe, i cili ka qenë edhe i dërguar i OKB-së për çështjen e statusit të Kosovës. “Serbinë nuk do ta lejoja të hyjë në BE derisa nuk e njeh Kosovën. Serbia që moti e ka humbur të drejtën në Kosovën. Ajo me vite të tëra është sjellë keq ndaj kosovarëve”, tha Ahtisaari nga selia e institutit për paqe Crisis Management Initiative, transmeton Koha Ditore.

“Besoj se së shpejti edhe shteti i 100-të do ta njohë Kosovën”, theksoi ai.
Momentalisht 91 shtete e kanë njohur Kosovën, por në mesin e tyre nuk janë edhe pesë vende të BE-së, Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.
“Vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë trimëruar Serbinë në përpjekjet e saj, por jam i bindur se kjo do të ndërrojë së shpejti”, tha ish presidenti i Finlandës.
Presidenti i ri serb, Tomisllav Nikoliq para pak kohësh deklaroi se nuk do ta njohë Kosovën, madje as me kusht të (mos) hyrjes në BE.
“Nëse duan në Rusi, le të shkojnë atje. Kurrfarë lëshimesh pe nuk janë të pranueshme, as në BeH as tjetërkund”, thekson Ahtisaari.
Deklarata e tij nuk është pjesë zyrtare e politikës finlandeze, por diplomatët theksojnë se Ahtisaari ka ndikim të madh në politikën ndërkombëtare./kohaislame

Artikulli paraprakTENSIONIM NË KUFIRIN JORDANI-SIRI
Artikulli vijuesTërmet në Bosnje