Akademia për 100 vjetorin, Kadare i ftuar, Qosja i “harruar”

26 nëntori i këtij viti mbledh në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, emrat më të njohur të albanologjisë shqiptare me rastin e Akademisë Solemne që do të mbahet për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Kristo Frashëri, Arben Puto, Ismail Kadare, Arbën Xhaferri, Françesko Altimari, Tito Johalas, Nikolla Pano, Pëllumb Xhufi, etj, do të jenë pjesë e kësaj akademie me referate që nxjerrin në pah ngjarjet para dhe pas Pavarësisë së vendit.
Duke pasur parasysh se të gjithë këta emra kanë dhënë një kontribut të çmuar për studimet dhe letrat shqipe, duhet të vlerësojmë idenë e Akademisë së Shkencave për bashkimin e tyre në një sallë e në një ditë, raporton zhurnal.
Ajo çka na bën përshtypje është se nga Kosova, shteti i ‘dytë’ shqiptar, është ftuar kryetari i Akademisë së Shkencave Hivzi Islami, e deri këtu çdo është në rregull. Mëkati qëndron tek ata që nuk janë ftuar!
Ftesa për këtë aktivitet nuk i ka shkuar akademikut të mirënjohur Rexhep Qosja, i cili është bërë i njohur dhe i mirënjohur pikërisht për shkak të kontributit që ka dhënë në albanologji.
Ai është në Shqipëri emri më i njohur nga shqiptarët e Kosovës, pas Ibrahim Rugovës. Nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Muzafer Korkuti, na dha përmes një interviste një panoramë të asaj çka pritet të ndodhë më 26 nëntor në Akademinë Solemne.
Ai na përmendi emrat e të njohurve të ftuar, dhe interesimit tonë se kush merr pjesë nga Kosova ai u përgjigj: Hivzi Islami, duke mos u zgjatur në komente e sqarime të mëtejshme. I lindur në Vuthaj të Kelmendit, në Mal të Zi, Qosja për shumë vjet ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Si një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këto kushte, mosftesa e tij bëhet më e rëndë, sepse për Akademinë e Shkencave është disi e rëndë që të lërë jashtë anëtarin e saj të jashtëm.
Në këtë pikë, duhet të kemi parasysh se për çështjen kombëtare shqiptare Rexhep Qosja ka botuar një numër veprash, në të cilat trajtohet me thellësi historia dhe strategjia e bashkimit kombëtar, rruga drejt lirisë dhe demokracisë. Atëherë çfarë ka ndodhur?! Ajo çka thuhet nën zë në Akademinë e Shkencave, është se Qosja nuk është ftuar për shkak se është treguar tejet kritik ndaj Kryeministrit shqiptar dhe politikës së tij të viteve të fundit, përmes esesh e artikujsh.
Burime të gazetës kanë shtuar se nuk kanë dashur të krijojnë përplasje në një datë të tillë, ndaj pavarësisht këmbënguljes dhe shpresës së ndonjë akademiku për ta pasur edhe Rexhep Qosjen në këtë festë 100-vjetori, është parë e arsyeshme që ai të mos ftohet, çka bën në të vërtetë një turp për atë që e ka marrë këtë vendim!/Indesonline/kohaislame

Artikulli paraprakPakistani emëron kryeministër të ri
Artikulli vijuesFillon gjykimi për vrasjen e pesëfishtë