Të punësuarit pa sigurim jetësor

Të punësuarit në sektorin publik dhe në shumë kompani tjera private në Kosovë, sipas legjislacionit në vend nuk kanë sigurim jetësor.

Në rast se këta punëtorë gjatë marrëdhënies së punës pësojnë aksident me fatalitet apo vdekje të natyrshme, familjarët e tyre nuk kanë ndonjë përfitim nga punëdhënësi.

Ligji i punës në Kosovë i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2011 nuk e rregullon sigurimin jetësor të të punësuarave.

Sipas këtij ligji, me vdekjen e të punësuarit ndërpritet kontrata e punës, gjë që lënë të kuptosh se familjarët e të punësuarit nuk gëzojnë asnjë përfitim nga punëdhënësi.
Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fadil Rraci bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se sigurimi jetësor nuk është rregulluar në dispozitat e Ligjit të punës, por që do të fillohet të trajtohet si çështje.

“Deri më tani sigurimi jetësor nuk është i rregulluar në Kosovë. Këtë çështje të sigurimit jetësor sigurisht që do ta trajtojmë tani kur ka filluar amandamentimi i ligjit të punës që duhet të përfundojë deri në muajin nëntor të këtij viti”, shprehet Rraci.
Më ligjin e punës thotë Rraci, është i rregulluar vetëm pushimi mjekësor, por që edhe kjo çështje, siç thekson ai, nuk është e rregulluar mirë dhe në përputhje me direktivat e Bashkësisë Evropiane.
Sipas dispozitave ligjore të Ligjit të Punës ajo çka i ofrohet familjarëve të të punësuarave, sipas Rracit është kompensimi material, kur i punësuari lëndohet në vendin e punës.

“Nëse i punësuari i lëndohet për shkak të fatkeqësisë apo sëmundjes profesione në punë, punëdhënësi, sipas dispozitave të Ligjit për mbrojtje dhe sigurisë së shëndetit të punësuarve është i detyruar që të paguajë të gjitha shpenzimet mjekësore”, bën të ditur Rraci.
Përfaqësues të punëtorëve në anën tjetër, kërkojnë që të përshpejtohet hyrja në fuqi e sigurimit jetësor.

Hasan Abazi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se mos futja e sigurimit jetësor në ligjin e punës ka cenuar të drejtën elementare të punëtorëve.

“Me ligjin e punës është lënë anash ky segment shumë i rëndësishëm, por jo vetëm kjo por edhe sëmundjet profesionale që mund të paraqiten gjatë punës nuk janë futur në ligjin e punës, por as nuk janë të rregulluar më asnjë ligj tjetër. Është koha e fundit që kjo duhet të rregullohet”, thekson Abazi.

Kompania private e telekomunikimit “IPKO” është njëra nga kompanitë në Kosovë e cila ka sigurim jetësor për një pjesë të punëtorëve të saj.

Alban Kastrati, zëdhënës i kësaj kompanie tregon për Radion Evropa e Lirë se gjysma e punëtorëve të kësaj kompanie kanë sigurimin jetësor.

“Rreth gjysma e punëtorëve të punësuar në IKPO kanë sigurimin jetësor dhe kjo pako ka ardhur pjesë e marrëveshjes që IPKO ka më agjencinë për sigurim shëndetësor dhe jetësorë. Dhe ka qenë një shpërblim për një pjesë të stafit që është vlerësuar se ka qenë më i motivuar dhe produktiv gjatë vitit, kurse pjesa tjetër kanë pako të standardit të sigurimit shëndetësor”, shprehet Kastrati.kohaislame

Artikulli paraprakPo vazhdon raundi i tetë i dialogut Kosovë – Serbi
Artikulli vijuesNikoliq: Marrëveshja me Kosovën, nuk mund të jetë shpejt e arritshme