Rektori – Studentëve: Na Duhet Cilësia në UP

0
176

Universiteti i Prishtinës sqaron veprimet e veta, të cilat po bëhen shkas për studentët që cilët po protestojnë sot.

“Është obligim i tërë komunitetit tonë, profesorëve, studentëve dhe stafit që të kujdesemi që diplomat e UP-së të shënojnë ngritje në vlerë. E kjo nuk do të jetë e mundur nëse funksionimi i UP-së çrregullohet për çfarëdo arsye”, thuhet në komunikatën e UP-së.

Duke e pasur parasysh numrin e madh të studentëve aktualë në UP, Rektorati thotë se, përmes kërkesave të cilat bien ndesh me normat ligjore dhe janë në kundërshtim me praktikat e universiteteve cilësore, mësimdhënia në UP do të çrregullohet dhe si rrjedhojë edhe vlera e diplomës do të bie edhe më shumë.

“Senati i UP-së në semestrin e kaluar ka marrë vendim që e tejkalon madje edhe Statutin e UP-së, duke propozuar afate shtesë të prillit dhe nëntorit, vetëm që tranzicionin tonë drejt një universiteti më të mirë ta bëjmë më të lehtë. Por këtu gjithsesi ka pasur për qëllim që të zvogëlohet në minimum humbja e mësimit gjatë semestrit veror dhe atij dimëror”, thuhet më tej në komunikatën e UP-së.

UP-ja thotë se është e përkushtuar që ta mbrojë interesin e të gjithë studentëve, ashtu që në të ardhmen e afërt diplomat e tyre të jenë të krahasueshme me universitetet më të mira në rajon e më gjerë. Kjo, sipas saj, është e mundur vetëm nëse secili e merr pjesën e vet të përgjegjësisë.

“Menaxhmenti i UP-së ka marrë obligim që disa nga këto kërkesa të studentëve të procedohen për t’u përfshirë në statutin e ardhshëm të UP-së që pritet të miratohet në pjesën e dyte të këtij viti”, sqaron UP-ja në komunikatë.

“Mirëpo studentët duhet të jenë të kujdesshëm nga keqinterpretimet anësore dhe jo qëllimmira të procedurave që ndërmerren me qëllim të lehtësimit të administrimit të të dhënave, të cilat janë duke u përfshirë në sistemin digjital SEMS”, shton më tej UP-ja.

Në këtë rast UP-ja sqaron se nuk ndryshon përmbajtja d.m.th. as syllabusi e as numri i provimeve, por vetëm modernizohet forma e menaxhimit të të dhënave, në mënyrë që t’i plotësojmë kriteret e përfshirjes së UP-së në hapësirën evropiane te arsimit të lartë.

Duke kërkuar mirëkuptim nga studentët, UP-ja ua rikujtojmë që ngritja e cilësisë si qëllim parësor nënkupton zbatim rigoroz të kritereve akademike.