Akuzat e Bashës, reagon Ahmetaj: Projektet të certifikuara ndërkombëtarisht

0
300

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka reaguar pas akuzave të ngritura ditën e sotme nga kreu i PD, Lulzim Basha për ndërtimin e 3 inceneratorëve, duke i quajtur ato afera korruptive.

Ministri Ahmetaj thotë se 3 projektet janë të certifikuara ndërkombëtarisht dhe kosto totale investimi dhe shërbimi prej 54 milionë euro me TVSH.

“Basha nuk i ka deklaruar asgjëkund 1 milionë dollarët e zbuluara matanë oqeanit, të cilat vetëm ai e di se nga burojnë, po ajo që dihet është se kanë rrjedhur në të zezë për të nxirë Shqipërinë dhe qeverinë socialiste me baltën e shpifjeve, na deklaron sot se po shkatërrohet Shqipëria dhe shëndeti i njerëzve, me 3 projekte të certifikuara ndërkombëtarisht”, thotë Ahmetaj në deklaratë.

Deklarata e plotë

“Keqardhje e thellë për kryetarin e Partisë Demokratike që ka një raport shumë problematik me realitetin dhe sidomos me shifrat.

Ndërkohë që për 1 milonë USD të kaluara në kanalet e zeza të pagesave jashtë sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë, saktësisht përmes një kompanie offshore, nuk flet asnjë fjalë, paska zbuluar 400 milionë euro që do u paguakan për ndërtimin e tre inceneratorëve në Elbasan, Fier, Tiranë. Dhe sipas tij për të shkatërruar Shqipërinë dhe shëndetin e shqiptarëve.

Ndërkohë që nuk i ka deklaruar asgjëkundi 1 milionë dollarët e zbuluara matanë oqeanit, të cilat vetëm ai e di se nga burojnë, po ajo që dihet është se kanë rrjedhur në të zezë për të nxirë Shqipërinë dhe qeverinë socialiste me baltën e shpifjeve, na deklaron sot se po shkatërrohet Shqipëria dhe shëndeti i njerëzve, me 3 projekte të certifikuara ndërkombëtarisht.

Ndërkohë që gjuan në ajër një shifër kolosale të përafërt me atë për të cilën i iku prokurorisë nga duart me raport mjekësor, Lulzim Basha nuk e fsheh dot mesa duket shqetësimin në rritje për faktin se zullumi i 1 milionë dollarëve mund të mbyllet mbase në Shqipëri me një tjetër raport mjekësor, po zor se do mbyllet andej nga ana tjetër e oqeanit ku nuk t’i fal njeri lojrat kukamçefthi me paranë.

Për opinionin publik, mund të them sot se brenda 7 vitesh bashkia e Elbasanit e Fierit do jenë bërë pronare të dy inceneratorëve për një kosto totale investimi dhe shërbimi prej 54 milionë Euro me tvsh (dhe procedurën e pagesave për blerjen e agregatëve në Fier e ka certifikuar edhe vetë Kontrolli Lartë i Shtetit), ndërkohë që Elbasani ka shpëtuar, e Fieri do të shpëtojë prej helmeve të plehrave që qeveria e vjetër e Lulëzimit i la të digjen rrugëve.

Projekti i Tiranës është ende larg konkretizimit dhe hëpërhë nuk mund të thuhet që është e sigurt se do të zbatohet, por e sigurt është që në seancën e kësaj jave në Kuvend Lulzim Bashën e pres me kënaqësi në një përballje shifrash, faktesh dhe provash. Qoftë për luftën kundër plehrave të lëna rrugëve nga qeveria e tij e vjetër, qoftë për 1 milion dollarët e zinj për të bërë pleh Shqipërinë”.