Albertin e ngufatën në lumë

Qartësohet vdekja e Albert Shalës. Raporti i mjekësisë ligjore heq të gjitha dilemat për rastin e vdekjes së gjashtëmbëdhjetë vjeçarit nga Dobërlluka e Vushtrrisë. Sipas raportit mjeko-ligjor, Albert Shala është vrarë.
Tashmë rasti i tij nga vdekje e dyshimtë, që ishte klasifikuar në fillim, ka kaluar në vrasje. Këtë e konfirmon për “Express” zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. Sipas tij, Policia është duke i bërë të gjitha hetimet për të gjetur elementet e vrasjes së Albertit, ndonëse deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar.

“Po punohet për të gjetur motivet dhe shkaqet për vrasjen e Albertit. Me rëndësi është që tash e dimë se ai është vrarë dhe jemi duke bërë përpjekje për të gjetur personat që e kryen këtë akt”, tha Hoti të enjten.

Policia nuk ka shumë informata rreth mënyrës së vrasjes së Albertit, vetëm pohon se ai është ngufatur.

“Në bazë të raportit ai është ngulfatur. Nuk e dimë a me duar, litar apo me ndonjë gjë tjetër. Këto informata i kanë në hetuesi dhe prokurori”, sqaron Hoti.

Në prokurorinë e Qarkut në Mitrovicë nuk duan të flasin në lidhje me rastin me arsyetimin se pengohen hetimet. As familja Shala në Dobërllukë nuk kanë më shumë informata se ato që i ka Policia Edhe atyre u është thënë se djali u është vrarë pa treguar asgjë më tepër.

“Neve na kanë treguar se ai është vrarë, por nuk na kanë thënë asgjë më shumë. Policia dhe prokuroria na kanë thënë se nëse do të ketë ndonjë rezultat do ta lajmërojmë familjen”, tha Baki Shala, axha i Albertit të ndjerë. /Telegrafi/

Artikulli paraprakRexhepi konfirmoi përgjimin e “Vetëvendosjes”
Artikulli vijuesGjermani, dy gra kosovare akuzohen për drogë