Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të balotazhit, ku sipas këtyre rezultateve, pa numërimin e votave me kusht, Lëvizja Vetëvendosje do të qeverisë në tri komuna, Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë.
Ai ka uruar kandidatët për kryetarë në këto tri komuna, derisa ka thënë se viti 2017 është viti i Vetëvendosjes.
Postimi i Kurtit në Facebook
Urime Shpend! Urime Mytaher! Urime Qëndron!
Pas dyfishimit me 11 qershor që na bëri subjektin e parë në vend dhe më të madhin në Kuvend, këto tri fitore në balotazh e vulosën vitin 2017 si vit të VETËVENDOSJE!-s.
Tash, vazhdimit të qeverisjes me kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën, po ia shtojmë fillimin e qeverisjes me kryeqytetin e kulturës dhe historisë sonë, Prizrenin, dhe, me vatrën e patriotizmit e bujarisë, Dardanën.
Shumë sfida e beteja na presin në të ardhmen, që do të thotë se edhe shumë fitore e suksese të reja.
Fituam, sepse me mendje dhe me zemër. Sepse për qytetarin në komunë. Sepse për komunën te qytetari.
Jeni shumë dhjetëra mijëra që na votuat dje. Jeni shumë qindra mijëra që na mbështetët përgjatë fushatës.
Përjetë falenderues. Ju dua sa s’thuhet.