“ALL-LLAHU NUK KA LINDUR AS S’ËSHTË I LINDUR” (KUR’AN)

Dr. Mustafa Mahmud

“ALL-LLAHU NUK KA
LINDUR AS S’ËSHTË I LINDUR”
(KUR’AN)

Miku im është shkolluar dhe ka doktoruar në Francë. Atje, duke u inkuadruar në “Rrymën e jetës moderne”, është shoqëruar përveç të tjerëve edhe me hipikët, me ç’rast ka formuar botëkuptim të atillë për botën i cili çdo gjë mohon. Ai dëshiron të polemizojë me ne besimtarët, ndonëse na konsideron naivë, sepse
zbulon se ne vetveten e përqeshim duke u mashtruar me iluzione për xhennetin dhe hyritë derisa ëmbëlsitë dhe bukuritë e kësaj bote na shmangen.

Me një rast, me shpoti, më tha:

Ju konfirmoni: Zoti ekziston, duke e mbështetur konfirmimin tuaj në parimin e “shkakësisë” (kausalitetit).Pohoni se: çdo gjë e ndërtuar ka ndërtuesin e vet, çdo gjë e krijuar, krijuesin e vet, çdo gjë ekzistuese, krijuesin e vet; pëlhura e dëshmon endësin, piktura piktorin, gravura gravuesin, kurse kozmosi, sipas kësaj
logjike, është dëshmia më e mirë për ekzistimin e Zotit si krijues i tij. Ndërkaq, nëse e pranojmë gjendjen e këtillë të gjërave, a thua nuk kemi të drejtë që sipas logjikës së njëjtë të shtrojmë pyetjen: kush e krijoi atë Krijues?! A nuk është kjo kurthë për argumentet tuaja?!

I themi atij: Pyetja jote është e gabueshme – në të nuk ka kurrfarë kurthe për pohimin tonë. Ti, së pari, e pranon Krijuesin e pastaj pyet kush e ka krijuar Atë, duke ia nënshtruar Krijuesin ligjeve të cilat dominojnë në botën e krijesave. Kjo sofistika jote i ngjan kukullave të cilat lëvizin me ndihmën e zemberekut – spirales. Po qe se kundrohen në rrafshin e lëvizjes së tyre, pason se edhe njeriu, i cili i ka bërë, lëviz sipas parimit të zemberekut.
Sikur, me ndonjë rast, të ishte e mundur t’u thuhet atyre se ai lëviz me vetveten, do të përgjigjeshin se kjo është e pamundur, sepse në botën e tyre çdo gjë lëviz me ndihmën e zemberekut. Kështu edhe ti, i kufizuar dhe i zhytur në botën vetjake ku çdo gjë që ekziston, domosdo parashtron Krijuesin, nuk po arrin të kuptosh se Zoti ekziston vetvetiu.

Filozofi i njohur gjerman Emanuel Kanti në veprën e tij Kritika e mendjes së pastër ka zhvilluar idenë se me mendje nuk mund të përfshihet e verteta e pafund. Sipas natyrës së saj, mendja i arrinë vetëm partikularitë ndërsa është e paaftë të kuptojë të ekzistuarit absolut siç është ekzistimi i Zotit. Ne e kuptojmë Zotin
me ndërgjegje (damîr) e jo me mendje (‘akl). Dëshira jonë për drejtësi është dëshmi e ekzistimit të së drejtës, sikur që është etja për ujë dëshmi për ekzistimin e ujit.

Aristoteli shumë më herët ka shtruar një varg të tërë shkaqesh duke thënë: karrigia është nga druri, druri nga trungu, trungu nga fara, kurse fara është nga mbjellësi, që në fund të tregojë se si numërimi i tillë i shkaqeve medoemos shpie tek shkaku i parë. Shkakun i cili nuk ka nevojë për shkak, lëvizësin i cili nuk ka nevojë për lëvizës, krijuesin i cili nuk ka nevojë për krijues, që i përgjigjet të kuptuarit tonë të All-llahut xhel-le shanuhu.

Ibni Arebiu konsideron se në pyetjen kush e krijoi Krijuesin aspak nuk duhet përgjigjur. Zoti e dëshmon ekzistimin dhe është jokorrekte me ekzistim të dëshmohet Zoti. Drita e dëshmon ditën e jo e kundërta…
All-llahu nuk ka nevojë për dëshmi, sepse Ai çdo gjë e dëshmon. Ai vetvetiu është e vërtetë e qartë (el-hakku-l-wâdihi bi dhâtihî). All-llahu shfaqet në ligjet, rendin, bukurinë dhe normat, në gjethin e drurit, pendën e palloit, krahun e fluturës, erën e trëndafilit, këngën e bilbilit, lidhshmërinë e yjeve, në simfoninë e kozmosit. Sikur të thonim se e tërë kjo është krijuar rastësisht, do t’i përngjanim njeriut i cili konsideron se me vetë hedhjen e shkronjave në ajër, prej tyre mund të krijohet vargu në të cilin do të gjenim një poezi të Shekspirit, do të thotë poezi pa poet.

Kur’ani na liron nga shkoqitjet e këtilla me një dëshmi mjaft të qartë dhe të saktë:

“Thuaj: Ai All-llahu është Një! All-llahu është Ai që çdo
krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka
lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i
barabartë”. (El-Ihlâs, 1-4).

*
* *
Miku ynë na pyet me përçmim: E përse thoni se Zoti është Një? Pse mos të jenë disa zotëra me kompetencat e ndara ndërmjet vete?

I përgjigjemi me Kur’an dhe në pajtim me logjikën të cilën edhe vetë e pranon, me logjikën e shkencës: Krijuesi është Një, sepse i tërë kozmosi është i ndërtuar sipas një plani dhe nga një substancë.
Nga hidrogjeni përbëhen njëzet e dy elemente të cilat në sistemin e Mendelievit kanë mënyrën e njëjtë të bashkimit dhe derdhjes së fuqisë atomike me të cilën yjet ndriçojnë. Tërë bota e gjallë është e përbërë nga përbërjet e karbonit. Me të djegur ai karbonizohet. Trajtat e tij më të larta, sikur që është bota shtazore, në dukje me dallime të mëdha, tregojnë se në një plan të caktuar të autopsisë bretkosa, lepuri, pëllumbi, krokodili, gjirafa dhe balena kanë arteriet, enët e gjakut, pjesët e zemrës dhe eshtrat e njëjta. Çdo asht këtu ka vendin e vet përkatës atje – krahu te pëllumbi është këmba e përparme tek bretkosat. Eshtrat janë të njëjta me ndryshim mjaft të vogël – në qafën e gjirafës, përkundër gjatësisë së saj, gjejmë shtatë unaza sikur edhe te qafa e iriqit. Sistemi nervor tek të gjithë është i njëjtë. Përbëhet nga truri, palca kurrizore dhe nervat. Sistemi i tretjes me barkun, zorrën dymbëdhjetëgishtore, zorrën e vogël dhe të madhe, sistemi i shumëzimit me vezoret, anin (uterusin), kanalet e tyre, sistemi i urinës me veshkët, kanalin e urinës, fshikëza e urinës dhe më në fund, autopsia unike tek të gjithë është qeliza. Identik është edhe përshkrimi i bimës, shtazës dhe njeriut: linden, marrin frymë, shumohen dhe vdesin.
Pse atëherë pas gjithë kësaj do të ishte i çuditshëm pohimi se Krijuesi është Një. Si kjo që I Përkryeri mos të jetë Një – të papërkryerit janë të shumtë. Të Përkryerit nuk i nevojitet plotësim tek të tjerët. Sikur të kishte shumë zota, ata do të ndaheshin: secili do të shkonte me atë që e ka krijuar dhe Toka do të zhdukej.
All-llahu xhel-le shanuhu posedon dinjitetin më të lartë dhe gjithëfuqinë absolute, e këto atribute përjashtojnë çfarëdo bashkëpjesëmarrjeje.
*
* *
Miku ynë filloi ta përqeshë të kuptuarit tonë të hyjnisë (rububujjeh). Ai thotë:

Është i çuditshëm ky Zot i cili përzihet në çdo hollësi madje edhe më të voglën: e përudhë bletën që vetes t’ia ndërtojë vendqëndrimin në male, as gjethi nuk bie, e që Ai mos ta dijë, nuk zhvillohen frytet nga sythet e veta, e që Ai mos t’i numërojë, nuk mbarset as që lind femra pa dijen e Tij, rrëshqitja e këmbës në gropë, rënia e mizave në ushqim, ndërprerja e lidhjes telefonike është me dijen e Tij. Nëse nuk ka shi, Ai nuk e ka dhënë, e nëse bie, Ai e dha. A nuk po e angazhoni ju Zotin tuaj me të kuptuarit e tillë madje edhe për hollësitë më të vogla?

Shtruarja e këtillë e pyetjeve nuk na lejon të kuptojmë se a mos për mikun tonë Zoti do të ishte më i denjë për hyjni kur vetveten do ta lironte nga të gjitha këto përgjegjësi dhe thjesht “t’ia kthejë shpinën” kozmosit të cilin e ka krijuar? A thua sipas të kuptuarit të tij do të meritonte respekt zoti i cili është pasiv dhe i pandërgjegjshëm, i cili nuk dëgjon, nuk sheh, nuk përgjigjet dhe nuk kujdeset për krijesat e tij dhe, më në fund, prej nga shtruesit pyetjeve dituria që të gjykojë se cila gjë është e parëndësishme që të mos meritojë angazhimin e Zotit, e cila është aq me rëndësi që këtë ta meritojë?

Rënia e insektit në gjellë për shtruesin e pyetjeve është e parëndësishme dhe e pavlerë, por a nuk e ka mbytur mushkaja Lekën e Madh dhe a thua rënia e insektit nuk do të thotë futje e mikrobeve në ushqim dhe helmim i armatës së njerëzve?

Hollësitë më të rëndomta mund të jenë vendimtare për ndodhitë më të mëdha, ndërsa gjërat më të rëndësishme shpesh humben pa zë dhe kurrfarë gjurme. Vetëm Njohësi i të gjithave e di vlerën e vërtetë dhe rëndësinë e çdo gjëje. A thua shtruesi i pyetjeve mund t’i përcaktojë kompetencat e Krijuesit dhe
Sunduesit të çdo gjëje!? O Zot, i lartësuar je dhe i pastër nga të kuptuarit e tillë!

I denjë për adhurim është vetëm Ai i cili me dijen e Tij e përshkon çdo gjë dhe të cilit nuk i shpëton as sendi më i madh e as më i vogël në qiell dhe në Tokë.

Artikulli paraprakNjë dite do t’i kujtoni këto që po ju them…
Artikulli vijuesNËSE ALL-LLAHU I KA CAKTUAR VEPRAT E MIA, PËRSE ATËHERË MË THËRRET NË PËRGJEGJËSI?!