Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë se në kohën kur Shqipëria shënon 105 vjetorin e Pavarësisë, festat e Nëntorit i gjejnë shqiptarët më të bashkuar së kurrë.
Në një intervistë dhënë Radio Kosovës, diplomati shqiptar ka thënë se shteti shqiptar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e integrimeve, duke thënë se “Shqipëria është zëri i Kosovës”. Ai ka porositur klasën politike në Prishtinë që sa më parë të ratifikojnë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Radio Kosova: Z. Ambasador po shënojmë 105 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ku i gjen sot shqiptarët kjo festë kombëtare?
Qemal Minxhozi: Unë them më të bashkuar se kurrë. Kosova sot është një vend i lirë, një vend demokratik, i pavarësuar, që e njohin mbi 110 shtete, është një vend që pas dy muajsh do të festojë 10-vjetorin e pavarësisë së saj dhe ka bërë hapa shumë përpara. Shqipëria gjithashtu, është një vend që ka arritje të mëdha, pavarësisht kërkesave që ne kemi për të ecur edhe më shpejt me një ritëm më të madh. Është një vend anëtar i NATO-s, është një vend pranë marrjes së statusit kandidat. Besoj që për dy muaj do të marrim një lajm shumë të gëzuar. Shqiptarët në Mal të Zi, gëzojnë me tepër të drejta se përpara dhe shqiptarët në Maqedoni po kthehen në një forcë jo thjesht numerike, por edhe në formë vendimmarrjeje. Ajo që është e rëndësishme, është se faktori politik shqiptar në rajon po harmonizon veprimet, përpjekjet, bashkëpunimin për të qenë një faktor kyç në të gjitha ato vendet që përmendëm përpara.
Radio Kosova: Dy qeveritë tona kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje. Një numër prej tyre ende nuk po gjejnë zbatim. Burokracitë në dogana janë ende të theksuara. Gjithashtu, lë shumë për të dëshiruar shkëmbimi tregtar, unifikimi ekonomik dhe i tregut të punës. Zoti ambasador, ku qëndron problemi i shfaqjes së këtyre pengesave, pavarësisht zotimeve të qeverive për mënjanimin e tyre?
Qemal Minxhozi: Në Korçë zhvillohet mbledhja e të dy qeverive, ku do kenë si bazë diskutimi këto probleme. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës, këto tre vitet e fundit kanë pasur rritje nga viti në vit. Sot ne shkëmbejmë rreth 200 milionë euro mallra mes vete. Kurba e rritjes së shkëmbimeve është gjithmonë duke ecur drejt ngjitjes. Unë nuk e shikoj situatën problematike. Por, nga ana tjetër, ne kemi disa segmente që duhet të kemi një performancë më të mirë, sidomos të segmenteve të mesme të të dy qeverive tona. Ka një vullnet politik i palëkundur, që këto marrëdhënie të ecin përpara, të zhvillohen, ka iniciativa. Por, nga ana tjetër, ka edhe një burokraci, ndeshemi edhe me konkurrenca të panevojshme midis vetes. Kjo mbledhje që zhvillohet në Korçë, do të ketë ndryshime të mëdha në lehtësimin e shkëmbimit të mallrave nëpërmjet doganave edhe për lëvizjen më të lirë të njerëzve. Po bëhet një doganë e përbashkët në Morinë-Vërmicë, që do ketë Kosovën e Shqipërinë bashkë. Por, ajo që është e rëndësishme, është që zëri i specialistëve nuk ka qenë në lartësinë e duhur, në mënyrë që t’i bëjë presion politikës për të marrë hapa më konkret për të shmangur këto dobësi që thatë.
Radio Kosova: Shteti shqiptar ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në të kaluarën dhe vazhdon të jetë i përkushtuar për Kosovën. Aktualisht çfarë mund të bëjë Shqipëria më shumë për shtetin e ri të Kosovës, qoftë në planin brenda kombëtar dhe veçanërisht në planin diplomatik?
Qemal Minxozi: Detyrë e çdo diplomati në të gjitha përfaqësitë diplomatike që ka Shqipëria, që janë mbi pesëdhjetë, është Kosova. Ne jemi zëri i Kosovës, ku Kosova nuk është prezent, ne jemi në mbështetje të Kosovës, ku Kosova thotë zërin e saj. Është e padiskutueshme mbështetja që ka dhënë Shqipëria gjatë gjithë kësaj periudhe. Jo vetëm në organizatat rajonale ka lobuar që Kosova të jetë pjesë e saj, por edhe në organizatat evropiane. Po jap një shembull në Këshillin e Evropës: Shqipëria në çdo sesion ka folur për Kosovën dhe pjesëmarrjen e saj dhe Kosova sot ka një qasje jo të plotë, por prapë është për tu përgëzuar. Kosova po bën hapa për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës dhe Shqipëria po bën një rol shumë të rëndësishëm. Shqipëria po bën një rol të rëndësishëm që Kosova të pavarësohet nga Beogradi lidhur me interkonuksionin për energjetikën. Kosova ka mbështetjen e Shqipërisë edhe në organizma të tjerë, që kanë të bëjnë me pranimin në organizata, siç janë: UNESKO, Interpol, etj. Ju jeni prezent vet se çfarë përpjekje ka bërë diplomacia shqiptare, që Kosova të jetë pjesë e UNESKO-s dhe gjithë organizmave të tjerë. Prandaj ne e kemi detyrë kombëtare e shpirtërore, që Kosova duhet të përkrahet në çdo hap.
Radio Kosova: Shqiptarët në Ballkan sot përbëjnë një faktor të rëndësishëm. Mirëpo, ënde vihet re një mungesë kohezioni për sa i përket çështjeve me interes kombëtar. Shqiptarët në Luginë të Preshevës kërkojnë më shumë nga Tirana e Prishtina, shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi gjithashtu?
Qemal Minxhozi: Situata në Mal të Zi është më ndryshe se sa shqiptarët në Luginën e Preshevës. Shqiptarët gëzojnë me tepër të drejta, megjithëse ne kemi rezervat tona në këtë drejtim. Ndërsa në Luginën e Preshevës, nuk ndodh kështu. Disa herë kryeministri Rama, ka ngritur zërin dhe shqetësimin dhe ka thënë: “Ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak, se sa të drejtat që kanë serbët në veriun e Kosovës.” Është një problem shumë i madh. Ne, në të gjitha takimet me palën serbe e kemi ngritur këtë problem dhe kemi një shqetësim në rritje. Megjithatë, ne do të bëjmë më tepër për të plotësuar disa kërkesa që Lugina ka. Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës janë angazhuar, do të ketë një qasje për çështjen e Luginës.
Radio Kosova: Zoti Ambasador, cilat do të ishin prioritetet më të rëndësishme në rrafshin mbarëkombëtar, që do të çonin më përpara çështjen kombëtare shqiptare në rajon e më gjerë?
Qemal Minxhozi:Në radhë të parë unifikimi i konceptit për kombin, që të mos kemi luhatje e të mos krijojmë kombe që nuk ekzistojnë. Ne kemi një komb, i cili është kombi shqiptar. Ne duhet të jemi unik për sa i përket problemit madhor siç është gjuha. Ne nuk duhet ta copëzojmë atë, gjuha është një dhe e pandryshuar. Nëse e keni parasysh, Shqipëria e Kosova, edhe në kushtet kur Kosova ishte e pushtuar, arritën më 1972, që të bien dakord për të pasur një gjuhë letrare të përbashkët. Është një problem shumë i madh që sot nuk i kemi përpjekjet e duhura për të unifikuar. Megjithatë, vihet re sidomos këtë vit, që institucionet të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë po merren me këtë problem madhor. Nga ana tjetër, ne duhet ë jemi të bashkuar sa i përket bashkëqeverisjes kudo që jemi. Ne kemi nxitur faktorin politik shqiptar në Maqedoni që të bashkohen. Është tepër e rëndësishme që ne ta shmangim luftën politike ndër vete. Faktori shqiptar duhet të vet-ndërgjegjësohet. Pa një pjesëmarrje më të gjerë politike ose pa një përqindje më të madhe në aspektin politik të çdo vendi jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, do të ishte në interesin e tyre për të zgjidhur çështjet e tyre për përparimin e ideve të kombit.
Radio Kosova: Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, thuhet se shteti shqiptar kujdeset për shqiptarët kudo që ndodhen, në trojet e tyre dhe në diasporë. Si e shikoni ju si diplomat kërkesën publike të presidentit Hashim Thaçi drejtuar institucioneve të Shqipërisë, për t’i pajisur shqiptarët e Kosovës me pasaporta shqiptare?
Qemal Minxhozi: Unë nuk mund të komentoj deklaratën e presidentit, është në të drejtën e tij njerëzore, kushtetuese. Por, ashtu siç është përgjigjur Tirana zyrtare, dëshira jonë do të ishte shumë e madhe, por janë disa problematika që e bëjnë të pazgjidhshëm propozimin e Presidentit. Shqipëria në radhë të parë ka shprehur prej vitesh shqetësimin pse qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të udhëtojnë si gjithë qytetarët e tjerë të mbi 95 për qind të vendeve të BE-së. Kosova ka ngelur një oazë e mbyllur dhe ajo që është më e keqja është se Kosova ka demonstruar me veprime konkrete për të përafruar ose për të qenë pjesë e BE-së, duke realizuar një sërë reformash. Kryeministri Rama në Bruksel dhe në të gjitha takimet që ka pasur, e quan të pandershme dhe të padrejtë që Kosova ende nuk ka marrë vizat. Pastaj ne nuk mund të jemi shpëtimi, sepse Shqipëria monitorohet nga Bashkimi Evropian dhe nëse ne do bëjmë një fushatë të tillë, atëherë lëvizja e lirë e anës tjetër të kufirit do të cungohej ose do të mund edhe të pezullohej.
Radio Kosova: Shqipëria dhe Kosova kanë unifikuar nisma të ndryshme rajonale, gjithashtu Shqipëria ka mbështetur të gjitha proceset e përfshirjes së Kosovës në organizmat rajonale e më gjerë. Ndërsa, tani cila është mbështetja në procesin e liberalizimit të vizave dhe më tutje?
Qemal Minxhozi: Kosova sot është në një proces që Shqipëria ka qenë dje. Ministria jonë e integrimit ka përafruar të gjitha ato aktet ligjore e nënligjore, që duhet të plotësojë një vend që aspiron për tu bërë kandidat për në BE. Kosova tashmë këtë procedurë e ka të gatshme, sepse e ka marrë ë gatshme nga Shqipëria. Nga ana tjetër, Kosova mëson edhe nga gabimet që ka bërë Shqipëria, në mënyrë që të mos përsëriten. Edhe kjo është një ndihmë shumë e madhe. Shqipëria në çdo kohë mundohet të konsultohet për problematikën që has e gjithë puna jonë drejt anëtarësimit në BE. Ne kemi çfarë mësojmë nga njëri-tjetri, ne kemi mundësinë që të shkëmbejmë eksperienca dhe kjo punë po bëhet më së miri. Pa Kosovën në Bashkimin Evropian do të ishte një proces shumë i cunguar, ashtu si edhe pa Shqipërinë dhe shqiptarët, prapë do të ishte një diçka që nuk do t’i shërbente stabilitetit në rajon e pse jo edhe në Evropë. Është shumë e rëndësishme sot për klasën politike të Kosovës, që të shikojnë mundësinë për të kaluar në Kuvend çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kjo ka një rëndësi në dy aspekte: e para është një kërkesë e Bashkimit Evropian që duhet të realizohet patjetër dhe është një parakusht për liberalizimin e vizave dhe së dyti, Kosova me Malin e Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Unë do të thosha që ky parakusht që jep BE, duhet patjetër të plotësohet, sepse do ta vonojë liberalizimin e vizave. Edhe Shqipëria e mbështetë kërkesën e BE-së që Kosova të realizoje këtë proces. Është tjetër gjë, a duhej vënë Kosovës ky kusht, që për mendimin tim nuk do duhej t’i ishte vënë. Por, tani që është krijuar e gjithë klima e përgjithshme ndërkombëtare politike, Kosova duhet ta realizojë patjetër. Jo për hir të politikës, por për hir të qytetarëve të vet, të cilët duhet të lëvizin si gjithë qytetarët e tjerë të Evropës. Nuk ka sens, që Ukraina të ketë viza, Gjeorgjia e Moldavia, vende që janë shumë të mëdha, e Kosova të mos ketë viza. Ne e mbështesim këtë proces, ashtu siç bëjmë presion ndaj Evropës për të dhënë vizat shqiptarëve, atëherë i bëjmë sugjerime faktorit politik, që ta kalojnë patjetër demarkacionin.