Analistët: Gruevski po luan keq rolin e Millosheviqit

Deklaratat e kryeministrit Nikolla Gruevski mbrëmë nga Struga janë vlerësuar skajshmërisht nacionaliste dhe që kontribojnë në thellimin e ndarjeve etnik në Maqedoni.

Analisti dhe kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj:

Gruevski mbrëmë foli më hapur se sa në të gjithë karrierën e tij politike. Ai i tregoi vendin Ahmetit, Thaçit, Osmanit etj . Ai ju tha atyre që ju mund të bëni karrierë politike, por vetëm duke qenë të bindurit e tij dhe deklaratave të tij se Kërçova dhe Struga kanë qenë, janë dhe do të mbeten maqedone. Kjo është deklarata më e ashpër, me shoviniste që ai ka bërë ndonjëherë kundër shqiptarëve.

Përballë kësaj deklarate, të gjitha partitë shqiptare në FYROM, sot duhet të kishin deklaruar bojkotin e zgjedhjeve dhe duhet të kishin deklaruar krijimin e frontit opozitar etnik shqiptar dhe duhet të kishin deklaruar fillimin e mbledhjes së firmave për referendum për shkëputje nga FYROM. Ky do të ishte qëndrim atrdhetar, europian dhe dinjitoz. Sa kohë që nuk e kanë bërë këtë, ata tregojnë se janë të kapur nga shovinizmi maqedonas.

Analisti Naser Pajaziti, INA:

Nikola Gruevski me fjalorin e tij po tregon qartë se ka për qëllim që të realizojë platformën e tij nacionaliste “maqedonase”, e cila ka nisur dhe po vazhdon të implementohet, duke dalur së fundi edhe nga binaret e një skenari të inskenuar institucional. Fjalimet e tij me doza ndarëse dhe me terminologjinë “ana tjetër” që nënkupton shqiptarët, janë teza të rrezikshme të ndarjes dhe të rritjes së hendekut ndëretnik. Kjo na përkujton një stil millosheviçian që dihet se ku e pati fundin dhe një model i ri serb i ndarjeve, duke aluduar në politikat në vijëmësi të Serbisë karshi Kosovës. Megjithëse bëhet fjalë për fushatë zgjedhore, një kryeministër i vendit nuk duhet të thirret në mesazhe të tilla ndarëse, që do të rrisin tensionet gjatë fushatës zgjedhore dhe mund të shkaktojnë edhe skenare të tjera të errëta.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e qartë ndaj këtyre sinjaleve, ndërsa partitë shqiptare është hera e fundit që ti rikthejnë mesazhet e njejta në adresë të Gruevskit, duke arritur kompromisin për një unitet racional për disa komuna.

Deklarata e Gruevskit:

“Duhet t’i tregojmë se kjo është Maqedoni, se Struga është Maqedoni, Kërçova është Maqedoni dhe Maqedoni do të mbetet. Kur pala tjetër mundet të sjellë njerëz me aeroplane, me autobusë dhe trena dhe kur ata njerëz mund të kalojnë mijëra e mijëra kilometra, ju mund të dilni nga shtëpitë e tuaja dhe të votoni për Koçoskin dhe listën e këshilltarëve të VMRO-DPMNE dhe LSDM dhe partitë e tjera. Bëjeni këtë për ju, për fëmijët e juaj dhe për Strugën. Ju mund të mos përkrahni apo jo partitë, por këtu nuk bëhet fjalë për politikë. Bëhet fjalë për një moment historik”, theksoi Gruevski, duke ftuar për bashkim si asnjëherë më parë për Strugën, pasi që sipas tij këto janë zgjedhje historike për maqedonasit. (R.Kadriu/INA)

Artikulli paraprak(Video) Përmbytje në Pejë
Artikulli vijues(Video) Gruevski me retorikë të ashpër ndaj shqiptarëve në Strugë