Humbja e zgjedhjeve lokale ka detyruar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të vendosë për një riorganizim të forcës më të madhe të opozitës.
Riorganizimi do të jetë prioritet i Kryesisë, e cila mblidhet në mbrëmje për të bërë analizën e zgjedhjeve lokale. Anëtarët e Kryesisë kanë përpara një dosje, që përmban të dhëna të detajuara për numrin e votave të marra në çdo bashki dhe një krahasim të rezultatit me 3 proceset paraardhëse, duke nisur nga viti 2009.
Në dosje është edhe një raport përmbledhes, që analizon sesi faktorë të jashtëm; ndarja e re e pafavorshme territoriale dhe sjellja antidemokratike e qeverisë; ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve.
Por, raporti nuk anashkalon përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të mosfunksionimit të Partisë Demokratike. Raporti nuk nxjerr përgjegjësi të strukturave të larta drejtuese në qendër, por sheh si problem sjelljen në bazë.
Megjithëse nuk përmenden se cilat degë ishin joefektive, apo patën konflikte mes kandidatëve potencialë, raporti i hartuar nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani vë në dukje se, struktura bazë e partisë nuk funksionoi mirë gjate zgjedhjeve, duke ndikuar negativisht në rezultat.
Zgjedhjet, siç thuhet në raport, nxorën në pah një fenomen të rëndë: fiktivitetin e anëtarësisë. Një vit më parë, kur u bë regjistri dixhital, Partia Demokratike deklaroi se ka 104 mijë anëtarë, por raporti thotë se deri në 20 për qind e tyre janë fiktivë dhe disa seksione janë fare inekzistente.
I njëjti vlerësim negativ bëhet edhe për Forumin Rinor të Partisë Demokratike, që pavarësisht përfshirjes aktive të të rinjve në fushatë, rezultoi me struktura inekzistente. Për këtë arsye, Lulzim Basha ka udhëzuar riorganizimin nga e para të Forumit Rinor, duke e konsideruar një hallkë vendimtare për ringritjen e Partisë Demokratike dhe për përmirësimin e rezultatit të saj në zgjedhje.
Sipas të dhënave, të rinjtë deri në moshën 30 vjeç përbëjnë 27 për qind të elektoratit. Bashkë me riorganizimin e forumit, Partia Demokratike pritet të ndryshojë mënyrën e funksionimit edhe në disa degë të saj, duke i ndarë ato sipas problematikës së hasur në zgjedhje, çfarë mund të çojë në rizgjedhjen e disa kryetarëve të degëve.
Ky riorganizim do të konkretizohet vetëm pasi analiza e zgjedhjeve të kryhet në çdo degë, pas vendimit që do të marrë në mbrëmje Kryesia e Partisë Demokratike.