Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare çdo ditë po bëhet më i vështirë

Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të bëhet edhe më i vështirë pas acarimit të raporteve me vendet aleate të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thonë analistë të çështjeve politike.

Përkeqësimi i raporteve ndërmjet liderëve politikë dhe shteteve mike të Kosovës, erdhi pas mospajtimeve që u shfaqen në dy nga çështjet më të rëndësishme aktualisht në skenën politike të Kosovës, siç është ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se nga i gjithë ky dëmtim i raporteve, do të ketë pasoja të mëdha për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.

“Ky është një hap prapa në relacionet që shteti i Kosovës i ka pasur me këto vende mike. Në vend që të ndërtohen dhe forcohen këto marrëdhënie që i kemi pasur, ne jemi duke i dëmtuar ato dhe kjo e dëmton edhe të ardhmen e vendit në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, mirëpo edhe në integrimin e Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, ku padyshim do të ketë nevojë për ndihmën e këtyre vendeve mike”, thotë Ibrahimi.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare dhe sportive.

Përderisa e arritura kryesore në raportet me BE-në, mbetet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila ka filluar të zbatohet nga prilli i vitit 2016.

Por, nuk ka arritur të rrumbullakojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, pasi që nuk është bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera, që ndërlidhen me OKB-në.

Tre vitet e fundit, me gjithë paralajmërimet të zyrtarëve më të lartë të shtetit, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s (Agjencisë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara), Këshillit të Evropës dhe as INTERPOL-it (Policisë Ndërkombëtare).

 

 

Anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, ishte ndihmuar nga vendet aleate. Anëtarësimi i Kosovës në këta dy mekanizma kishte ndihmuar vendin në zhvillimin ekonomik.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë vendet aleate të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë ndihmuar që Kosova të jetë jo vetëm shtet i pavarur, por edhe anëtar i shumë mekanizmave ndërkombëtarë.

“Dëmtimi i mundshëm i raporteve me këto shtete mike do të pamundësonte ose do të pengonte Kosovën në anëtarësimin në institucione tjera, së paku nuk do të mund të llogarisim në mbështetjen e këtyre shteteve”.

“Duke e ditur që ekziston edhe një numër i madh i shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe duke ditur që dy tre shtete të fuqishme përdorin autoritetin e tyre qe ta pengojën avancimin e Kosovës në aspekt të njohjes ndërkombëtare, kjo do të ishte një fatkeqësi tjetër e radhës për vendin”, thotë Zeka.

Një nga problemet që mund të paraqitet nga situata e krijuar ndërmjet lidershipit politik të Kosovës dhe aleatëve të saj, Zeka thotë se është edhe tërheqja e investimeve të huaja.

“Një dëm që nuk mund të matet në aspektin material, është dëmi që do t’i bëhet imazhit të vendit , ku edhe investitorët potencialë do të kenë parasysh gjithmonë gjatë marrjes së vendimeve të tyre. Ne duhet të punojmë që ta përmirësojmë imazhin dhe jo ta dëmtojmë atë”, vlerëson Zeka.

Kosovën që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, e kanë njohur 115 shtete. Ndërkohë, janë edhe pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Problemet me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërlidhen edhe me mosnjohjen e saj nga këto pesë shtete të BE-së.

 

Artikulli paraprakLimaj: Nuk e dimë çka hajn fëmijët tanë, në Kosovë asgjë nuk kontrollohet
Artikulli vijuesTsipras: Zgjidhëm problemet me Ramën, do votojmë pro Shqipërisë në BE