Angelina Jolie në ndihmë të refugjatëve

Pranë mijëra refugjatëve që kanë gjetur strehim në portin e Pireut është ndodhur në mesditën e së mërkurës aktorja e famshme e Hollivudit, Angelina Jolie, që është njëkohësisht edhe Ambasadorja e UNHCR-së, transmeton Top Channel.

E rrethuar nga emigrantët që kanë brohoritur dhe duartrokitur kur e kanë parë nga afër, si dhe e ndjekur nga dhjetëra gazetarë të mediave të huaja dhe ato vendase, ajo ka folur sidomos me fëmijët e vegjël dhe u ka dhënë kurajo të rriturve.

Unë jam këtu për të mësuar dhe për të folur me ju, me organizatat dhe me qeverinë dhe per të mësuar se çfarë po ndodh. Mundohuni të qëndroni të fortë”, iu drejtua ajo refugjatëve.

Në axhendën e të dërguarës së OKB-së që ka ardhur në Athinë nga Libani, ku takoi refugjatët në Luginën Beka, përveç takimt me kryeministrin Tsipras kanë qenë edhe vizitat në kampe të tjera refugjatësh në Greqi, ndërsa u ka bërë thirrje fuqive botërore të bëjnë më shumë për t’i dhënë fund luftës 5-vjeçare në Siri dhe për të ndihmuar miliona refugjatë që janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të këtij konflikti.

Ndërkohë, Athina zyrtare që po përgatitet ethshëm për samitin e së enjtes në Bruksel për refugjatët, ka komunikuar se do të shqyrtojë pas këtij samiti kërkesën e dorëheqjes së ministrit grek për Emigracionin.

Janis Mouzalas është detyruar të dorëhiqet pas reagimeve që ka shkaktuar në një intervistë televizive orët e fundit, emërtimi prej tij i fqinjit verior të Greqisë me emrin “Maqedonia” dhe jo me emrin zyrtar që njihet nga OKB dhe për të cilin dy shtetet janë në divergjenca politike për më shumë se dy dekada.

Megjithëse ka kërkuar falje, partitë opozitare, por edhe partia e djathtë e koalicionit qeveritar në Greqi kanë kërkuar me forcë dorëheqjen e tij.

Artikulli paraprakVIDEO – Imam Ahmedi i cili e mbylli gojën me dorën e vet (tregim)
Artikulli vijuesIlaçi natyral që shëron problemet me frymëmarrje