Dy pronarët e “Apex” (Play4Win) dhe nëntë bashkëpunëtorët e tyre, të hënën, do të ulen në bankat e të akuzuarve. Ata dyshohen për krim të organizuar, të zhvilluar në kuadër të një grupi kriminal që synonte që përmes kërcënimeve e shantazheve, të eliminonin të gjithë konkurrentët e tyre
Duke përdorur shantazhe e kërcënime nga më të ndryshmet, vëllezërit Arben dhe Astrit Krasniqi për vite të tëra e kanë mbajtur si biznes në Kosovë kompaninë e kazinosë “Apex”. Këtë biznes e kanë mbajtur duke përdorur mënyra të ndryshme për t’i eliminuar konkurrentët e tyre. Nuk i kanë kursyer as rrahjet, as thyerjet e lokaleve e as përdorimin e njerëzve me ndikim, vetëm e vetëm të jenë “bosët” e vetëm të “Apex”-it në Kosovë. Por veprimtaria e tyre është ndërprerë më 23 tetor të vitit 2013 kur dy vëllezërit së bashku me Arben Nezirin ishin arrestuar, ndërsa ishin bastisur bizneset dhe lokacionet e tyre të banimit.
Tashmë kur kanë kaluar dy vjet që nga aksioni policor që ishte zhvilluar me kërkesë të prokurorit të misionit EULEX, vëllezërit Krasniqi dhe nëntë të dyshuar të tjerë, të hënën pritet të ulen në bankën e të akuzuarve. /Zeri