Apple u ka kërkuar furnitorëve të saj që të përgatisin sasinë më të madhe të modeleve të reja të telefonave të saj. Përkatësisht, kompania amerikane planifikon të shesë prej 85 deri ë 90 milionë njësi të gjeneratës së re të telefonave të saj deri në fund të vitit, raporton WSJ.
Dhe kjo porosi e kësaj sasie marramendëse të telefonave më të famshëm në botë – iPhone, e tejkalon edhe sasinë e mëparshme prej 70 deri në 80 milionë, sa kishte porositur Apple për prodhimin e iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus.
Dhe dihet se për një tremujor, Apple e kishte konfirmuar zyrtarisht se ka arritur të shesë mbi 74 milionë njësi të iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus.
Edhe raporti i gazetës prestigjioze e përsërit se modelet e reja të telefonave të Apple, “iPhone 6s” dhe “iPhone 6s Plus” do të vijnë me Force Touch, që mund ta dallojë klikimin e lehtë në ekran dhe shtypjen më të fortë.
Më pas është thënë se modelet e reja të iPhone do të vijnë edhe në opsione tjera të ngjyrave, duke përfshirë edhe atë të artë rozë dhe ngjyrën rozë më klasike, që do t’i kushtohet femrave.
Foxconn dhe Pegatron pritet të jenë kontraktorët kryesore të kompanisë Apple për iPhone, edhe pse pritjet janë që Apple do ta angazhojë edhe një kompani tjetër të tretë e cila do të mundohet ta plotësojë kërkesën e Apple për sasinë rekorde të iPhone. (Telegrafi)