Arabia Saudite kërkon të mos varet më nga nafta: shpallet plani i ri, Vizion 2030

Princi Muhammed bin Selman ka bërë të njohur sot një plan të ri reformash, që synojnë ta bëjnë të larmishme ekonominë e vendit, duke i ikur dalëngadalë mbështetjes te të ardhurat nga nafta.

“Unë mendoj se nga 2020-ta, nëse nafta ndalon, ne mund të mbijetojmë. Ne kemi nevojë për të, por mendoj se në 2020-ën mund të jetojmë pa naftë.” Këtë ka nënvizuar princi në fjalën e tij.

Ky plan reformash, i njohur ndryshe dhe si Vizion 2030, kërkon ta shndërrrojë mbretërinë saudite në një fuqi globale investimesh.

Princi e bëri të qartë se vendi i tij kishte si objektiv të bëhej një aktor i madh në tregjet globale nëpërmjet një Fondi të Investimeve Publike.

Krijimi i një sistemi “green card” synon që paratë e miliona të huajve të mos dalin jashtë Arabisë Saudite, por të investohen brenda saj. Kjo do t’i japë një shtysë ekonomisë saudite, por edhe do t’u vijë në ndihmë të huajve. Parashikohet gjithashtu shitja e një përqindjeje aksionesh të Aramco-s, ndërmarrjes gjigande shtetërore të naftës.

“Ne planifikojmë të shesim më pak se pesë për qind të Aramco-s. Madhësia e Aramco-s është shumë e madhe. Ajo vlerësohet nga 2 në 2.5 trilionë dollarë,” ka thënë Muhammed bin Selman.

Në industrinë e mbrojtjes, parashikohet krijimi i një kompanie financiare kontrolli, që do të zotërohet nga qeveria.

Princi lajmëroi ristrukturimin e Fondit të Investimeve Publike, për ta bërë një qendër për investimet saudite jashtë vendit. Sipas tij, të dhënat e para tregojnë se fondi do të ketë kontroll të mbi 10 për qind të kapacitetit global të investimeve.

Ky plan mori miratimin më herët në kabinetin qeveritar, duke u hapur rrugën ndryshimeve ekonomike në mbretërinë e Arabisë Saudite. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakGormez: Kroacia ka shumë mirëkuptim për religjionet tjera
Artikulli vijuesUdhëtimi i të riut katolik në kulturën “Islame”