Rovena Kalemi – Konfiskohen 850 mijë euro, para nga prostitucioni në Belgjikë

Prokuroria e Krimeve të rënda ka urdhëruar konfiskimin e një llogarie prej 850 mijë eurosh të shtetases Rovena Kalemi, pasi nga hetimet ka rezultuar se këto para vinin nga prostitucioni në Belgjikë.

Sipas prokurorisë, Rovena Kalemi, nuk ka arritur të justifikojë burimin e ligjshëm të parave. Gjatë hetimit të kësaj çështje, u ndërthurën elementë të mashtrimit, lëvizje të shpeshta të shumave të konsiderueshme ndërmjet transaksioneve bankare në Zvicër, Luksemburg, Gjermani e Shqipëri.

Fillimisht hetimi për këtë rast është zhvilluar nga Prokuroria e Durrësit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bazë të informacionit të institucioneve ligjzbatuese.

Tre persona, dy prej të cilëve shqiptarë të papunë dhe një shtetas belg, me profesion infermier, kanë qarkulluar në verën e vitit 2014 rreth 2 milionë euro në llogaritë e tyre. Sipas pretendimeve të tyre, përfituesja Rovena Kalemi kishte marrë prej mikut të saj nga Brukseli, Eric Nyssen shuma të konsiderueshme parash, me qëllim blerjen e një apartamenti të përbashkët dhe hapjen e një biznesi privat.

Kalemi dhe Nyssen ishin njohur në Belgjikë dhe kishin vendosur të bashkëjetonin në Shqipëri. Gjithnjë sipas pretendimeve, duke qenë se fillimisht, Rovena Kalemi nuk kishte llogari bankare, ajo i ka kërkuar mikut të saj belg të dërgonte një pjesë të parave në emër të të njohurit të saj, Bledar Corraj. Këto para, shtetasi belg i justifikonte me trashëgimi nga prindërit dhe aktivitete tregtare në Belgjikë, ndërkohë që punësimi i tij zyrtar ishte infermier në një spital publik në Bruksel.

Artikulli paraprakSHBA, protestë kundër sulmeve të Armenisë në territorin e Azerbajxhanit
Artikulli vijuesBE, krahas Ukrainës, paralajmëron heqjen e vizave edhe për Kosovën