Një grua kundërshtare e Islamit në Europë ka postuar në llogaritë e saj të rrjeteve sociale se do të jepte gjak, por me kusht që ai të mos i jepet muslimanëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryqi i kuq i Belgjikës ka filluar një fushatë të gjerë të mbështetur në shumë rrugë për dhënien e gjakut. Ndërsa dega e kryqit të kuq në qytetin Anvers ka postuar në llogarinë në Twitter një tabelë se cilit grup gjaku mund ti dhuroni gjak sipas grupit që keni. Grafiku është publikuar nën titullin: “Kujt mund ti dhuroni gjak?” Në këtë grafik janë të afishuara vetëm grupet e gjakut.
Por Marion Dekker në llogarinë e saj në Twitter është shprehur: “Dua të dhuroj gjak, por jo muslimanëve. Mund të më jepni garanci për këtë?”.
Pas këtij postimi shumë njerëz përmes rrjetit social kanë kritikuar gruan në fjalë. Ndërsa një tjetër person po në rrjetin social duke i ‘u përgjigjur personit në fjalë shkruan: “Dua të dhuroj gjak, por jo racistëve. A mund të më jepni garanci për këtë?”. Ndërkohë një tjetër person shkruan: “Jam musliman dhe dhuroj gjak. Gjaku im është për këdo që ka nevojë. Kryqi i kuq nuk bën dallime. Më vjen keq.”
Pas kritikave Dekker është detyruar të fshijë postimin e saj.