Arrestime të reja për protestën e 27 janarit

Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në protestën e fundit, të organizuar nga subjektet politike opozitare në Kosovë.

Autoritetet policore i kanë konfirmuar REL se pas hetimeve të bëra, janë arrestuar disa persona si të dyshuar se kanë qenë të dhunshëm në protestën e 27 janarit, që eskaloi në përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka deklaruar se Policia e Kosovës, lidhur me këtë çështje është duke vepruar në bazë të planit të saj hetimor.

 

“Policia ka arritur që të identifikojë edhe persona të tjera të dhunshëm dhe kuptohet, bazuar në proceduarat dhe në mandatin e saj ligjor që ka, si dhe në konsultim dhe koordinim të ngushtë edhe me Prokurorinë e Shtetit, ka arritur që të vazhdojë me arrestimin edhe të disa personave të dyshuar të mundshëm që janë sjellë para organeve të drejtësisë”, ka konfirmuar Kelani për Radion Evropa e Lirë.

 

Edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë për REL, se Policia e Kosovës ka për obligim që të bëjë hetime aty ku dyshohet se është përdorur dhuna.

 

Ai deklaroi se personat, të cilët kanë shkaktuar dhunë, duhet të ndiqen penalisht.

 

“Policia duhet t’i identifikojë personat përmes fotografive, incizimeve dhe dëshmive të tjera edhe t’i sjellin në Prokurori. Pa prova ne nuk mund të fillojmë ndjekjet penale”, ka theksuar Beka.

 

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje pikërisht për këtë çështje ka thirrur një konferencë për media. Sipas Vetëvendosjes, polica është duke i bastisur shtëpitë e aktivistëve dhe qytetarëve.

 

Siç thonë në Vetëvendosje, policia gjatë këtyre bastisjeve është duke i keqtrajtuar qytetarët.

 

Në ditën e protestës janë arrestuar rreth 160 persona pjesëmarrës në protestë dhe sipas proceduarave ligjore, disa janë liruar.

 

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se ditën e mërkurë, më 4 shkurt, do të mbahet protesta e radhës. Këtë protestë thuhet se do ta përkrahin dhe dy subjektet e tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. /REL/

 

Artikulli paraprakJa pasojat e alkoolit: Prizrenasi sulmon nënën e tij dhe i vë zjarrin shtëpisë
Artikulli vijuesBaze: Protesta e dëmton imazhin e Qeverisë, jo të Kosovës