Arrestohen punonjësit e portit të durrësit, mundësuan kalimin e 10 ton kanabis

Prokuroria për Krimet e Rënda ka urdhëruar arrestimin e shefit të stacionit policor dhe 9 punonjësve të Policisë në Portin e Durrësit, si edhe 8 doganierëve të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës, të dyshuar se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 ton kanabis sativa, nga Shqipëria në Itali.

Këto ngarkesa kanë kaluar në shkurt dhe mars të këtij viti.

Për të gjithë këta persona, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “trafikut të narkotikëve” në bashkëpunim. Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”, të cilat u zbatuan nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, si edhe Policisë së Shtetit, për zbatim.

Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane për kapjen e këtyre ngarkesave me lëndë narkotike, ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike.

Artikulli paraprakGjermania dominuese në ekonominë evropiane
Artikulli vijuesFitorja e Erdoganit ngrit lirën dhe aksionet