Kështu bëjnë biznes gratë në Kosovë

Fitimi i parave, mungesa e gatishmërisë për të punuar për dikë tjetër, papunësia, si dhe frika se mos humbin punën aktuale, janë arsyet kryesore që i motivojnë gratë të hapin biznese në pronësi të tyre.

“Motivuesi kryesor për krijimin e një biznesi rezulton të jetë fitimi i potencial nga sipërmarrja, rreth 50 për qind e grave e japin këtë si arsye parësore. Në rreth 25 për qind të rasteve, iniciativa ka rezultuar nga mungesa e gatishmërisë për të punuar për dikë tjetër, rreth 23 për qind të rasteve gratë ishin të motivuara për të filluar një biznes për shkak të papunësisë, e një për qind krijuan biznesin nga frika e humbjes së punës së tyre aktuale”, thuhet në raportin “Ndërmarrësia e grave”, që ka publikuar Instituti “Riinvest”, shkruan Gazeta Fjala.

Ndonëse numri i grave që marrin pjesë në biznes, është vetëm 10 për qind, lloji i biznesit që hapin më së shumti është ai i frizrekës.

E shumica e këtyre bizneseve që janë në pronësi të grave, janë krijuar nga biznesi i tyre kapital, prej hua-së që kanë marrë nga miqtë apo familja, kredit, paratë e dërguara nga jashtë, si dhe nga grantet nga organizatat donatore.

Por, gratë për dallim nga burrat, nuk është se marrin shumë kredi. Janë vetëm 10.2 për qind e grave që kanë marrë kredi për të hapur bizneset e tyre, mirëpo edhe këto pohojnë të jenë paguese të rregullta.

Fitimin nga bizneset e tyre, gratë e qojnë në makineri dhe pajisje objekte, reklamë dhe marketing.

“Sa i përket llojit të investimeve të bëra nga bizneset në pronësi të grave, investimet kapitale (në objektet e biznesit dhe pajisjet) dominojnë me rreth 68 për qind të të gjitha investimeve në vitin 2016. Rreth 22 për qind e investimeve kanë qenë për reklamim dhe marketing dhe vetëm 9 për qind janë ndarë për kapitalin njerëzor”, thuhet në raportin e “Riinvest”.

Në bazë të këtij raporti, shumica e bizneseve që udhëheqin nga gratë, nuk kanë punëtorë dhe janë biznese të vogla.

“Nga gjithsej 313 biznese të anketuara të grave, shumica dërrmuese janë mikro biznese, nga të cilat 29 për qind janë biznese pa asnjë punëtor dhe rreth 64 për qind janë mikro biznese me nën 5 punëtorë.”

E metoda që e përdorin ato për punësim, shumica e bizneseve të grave mbështeten në rekomandimet e miqve ose partnerëve të biznesit në 30 për qind të kohës, pasuar nga njoftimet publike me 26 për qind, dhe lidhjet familjare me 19 për qind.

Ndërsa kriteri kryesor për punësim që merret parasysh nga gratë ndërmarrëse është përvoja e punës, pasuar nga aftësitë, shkalla e arsimimit dhe lidhjet familjare.

“Kriteri kryesor për punësim është përvoja e punës, ku 39 për qind e grave e përdorin atë si kriter për punësimin e stafit të tyre, pasuar nga aftësitë si kriteri i dytë më i rëndësishëm, ku 33 për qind e grace pohojnë se e përdorin si kriter për punësimin e stafit. Shkalla e arsimimit është renditur si kriter në vetëm 13 për qind të rasteve, pasuar nga lidhjet familjare me 10 për qind”, thuhet më tej në atë raport.

Ndonëse kur bie fjala te gratë e punësuara për pushimin e lehonisë, ato e duan atë, por në rolin e sipërmarrëses ato do ta kishin hequr këtë pushim.

Kur janë pyetur se çfarë ndryshimesh do të benën në ligjin e punës, shumica e grave janë përgjigjur se nuk do ta ndryshonin fare, pasuar nga ato që kanë thënë se do ta shfuqizonin pushimin e lindjes, si dhe disa që kanë kërkuar ta zgjasin këto pushim.

E arsyet se pse punëtorët nuk marrin pushim të lehonisë janë: mospagesa, punëdhënësit nuk janë të informuar për ligjin, punëdhënësit nuk e oforjnë këtë mundësi, si dhe rë punësuarit kanë frikë se e humbin punën.

“Mirëpo, edhe me bindjen e paktë se konkurrenca u lejon punëtoreve pushimin e lehonisë, më shumë se 86 përqind e grave sipërmarrëse besojnë se ligji në fakt duhet të garantojë edhe pushimin e atësisë për baballarët.”

Por, barrierat më të larta në të bërit biznes, që janë veçuar nga gratë sipërmarrës janë normat tatimore, tregu i vogël, si dhe barra administrative. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/.

Artikulli paraprakIsh-kryespiunët: SHBA në rrezik. Putin po ia hedh Trumpit
Artikulli vijuesLigji për gjuhët rikthehet sot në Kuvend