Artistët nga Kosova me “Identiteti im” në Ankara

0
186

Me organizim të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara, në bashkëpunim me Komunën e Çankajës dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të RKS-së, hapet ekspozita e pikturës dhe fotografisë.


Ekspozita e pikturës dhe fotografisë me titullin ‘’IDENTITETI IM’’ vjen në Ankara nga vëllezërit nga Kosova, piktori Xhevdet Pantina dhe fotografi Avni Pantina.

Si pjesë vizuale e diplomacisë publike dhe kulturore të çdo vendi ekspozimi i vlerave të vërteta të artit është tepër i rëndësishëm. Asetet artistike krijuese, materiale dhe shpirtërore të një vendi, kuantifikojnë masën e vlerave të tilla, hapin mundësi komunikimi të jetës së vendeve a popujve, zgjerojnë hapësirat komunikuese. Arti afron vendet e njerëzit përmes universales, asaj që është e përbashkët dhe që kalon përmbi ndasinë dhe ekskluzivitetin vetjak. 

Për më tepër, ndarja e përbashkët e përvojave në një art të mirëfilltë mund të krijojë mirëkuptim të ndërsjellë midis popujve – dhe kjo ekspozitë e pikturës dhe fotografisë, e dy artistëve vëllezër nga Kosova, Xhevdet dhe Avni Pantina, e përgatitur dhe e ekspozuar në Ankara, me qëllim të prezantimit para artdashësve turk, paraqet një synim dhe përpjekje të tillë për afrim e njohje të ndërsjellë. 

Prezantimi i këtillë është pjesë tradicionale e diplomacisë. Ky është një shembull kontakti për të shpjeguar kulturën dhe krijimtarinë artistike që kultivohet në Kosovë. Prezantimi i kësaj kulture përmes pikturës dhe fotografisë së krijuesve nga Kosova mund të ndihmojë në njohjen më të mirë të Kosovës dhe të popullit të saj në përgjithësi. Arti dhe kultura i kontribuon mirëkuptimit midis popujve dhe në këtë rast të rrallë të kuptuarit të shpirtit shumë kohë të trazuar dhe përfundimisht të qetësuar të popullit të Kosovës. 

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është e nderuar që është pjesë e kësaj ekspozite dhe falënderon të gjithë ata që iu bashkuan asaj, artistët krijues dhe, veçanërisht komunën e Çankajës dhe Qendrës së Arteve Moderne, që i kontribuoi shumë mundësisë së prezantimit të vlerave të artistike të kësaj ekspozite. 

Piktura e veçantë e Xhevdet Pantinës

Piktura paraqet një shesh të mirë për diplomacinë publike nga që piktura lind nga shpirti dhe mbart ndjenja të fuqishme. Në këtë ekspozitë, piktori i brezit te ri kosovar, njëkohësisht profesor i vizatimit në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës Xhevdet Pantina, me përdorimin e brushës dhe të ngjyrës, që janë mjete të gjuhës universale artistike, përmes metaforave, aluzioneve dhe figurave, sjell ndjenjat e veta për të shpalosur të veçantën e botës së tij dhe të një milieu dhe populli që ka njohur të qenit viktimë por edhe i mbijetuar. Artisti gjithashtu shpalos aspekte të njerëzisë që përvijohen me universalen dhe të përgjithshmen, duke tejkaluar kufijtë gjeografikë, etnikë dhe kulturorë. 


Piktori Xhevdet Pantina ka qenë i pranishëm me opusin e tij në evenimentet më reprezentative kulturore dhe artistike në Kosovë dhe jashtë saj. Vepra e tij krijuese paraqet një shembull të shkëlqyer përfaqësimi të artit modern kosovar, me imazhet dhe tablotë impresive që përbëjnë një tërësi të titulluar denjësisht si “Identiteti im”, që do të thotë si identiteti i tij personal si piktor e artist individual, por edhe si identitet kolektiv i hapësirës ku jeton dhe krijon. 
Tendenca themelore artistike e piktorit, përqendrohet edhe në paraqitjen e imazheve dhe peizazheve nga hapësira prej nga vjen. Ai shpreh të veçantën e milieut të tij me dhënien e imazhit të “identitet të tij” por edhe ndjesinë për universalen që ngre një artist mbi kufizimet gjeografike e kombëtare. 

Përmes imazheve mbi një sfond modernist shumica e pikturave të tij të prezantuara këtu reflektojnë gjithashtu skena nga ngjarjet e periudhës së para dhe pas luftës në Kosovë, një dramë e rëndë dhe tragjike e popullit të saj. Kjo dramë shpaloset nga artisti përmes gjuhës së tij autentike të artit dhe përmes formave ekspresive dhe abstrakte. Ndërkaq, koloriti i ndriçuar që përdor autori për të nxjerr përshtypjen e përgjithshme nga një atmosferë e zymtë në një më të hapur dhe më të ndritshme – është shpëtimi për të shprehur optimizmin e përgjithshëm njerëzor. 

Fotografia artistike e Avni Pantinës 


Pjesa dytësore e kësaj ekspozite të përbashkët sjell fotografinë si fenomen modern në mesin e arteve të bukura nga artisti i ri që është duke kryer edhe doktoraturën në Universitetin e Hacıttepesë, Avni Pantina të krijuara në pajtueshmëri me vizionin e artistit si fotografues. Fotografia artistike e tij këtu qëndron në kontrast me fotografinë reprezentuese, siç është foto-gazetaria, që sjell regjistrim vizual dokumentar të ndonjë teme a ngjarje të veçantë. Përkundrazi fotografia artistike vjen me idenë që mëton diç më shumë sesa një regjistrim i thjeshtë realist i subjektit, si një përpjekje për të shpërfaqur një përshtypje personale. Kjo lloj fotografie krijohet kryesisht si shprehje e vizionit të artistit dhe si e tillë është shfrytëzuar për të bartur porosi të caktuara. Derisa fokusi parësor i artistit është mbi fotografinë si art, qëllimi i tij ka qenë po ashtu të ngre interesim dhe vetëdijesim mbi vendin dhe popullin e tij për të siguruar mbështetje për ruajtje dhe vlerësim. 

Fotografitë e prezentuara këtu nuk paraqesin vetëm klikime të thjeshta të fotoaparatit, por përmbajnë më shumë se aq: frymën dhe shpirtin e artistit që kalojnë mbi aftësinë mekanike të fotografimit. Ajo frymë çon vrojtuesin drejt interpretimit të pamjes, figurës dhe objektit dhe kuptimeve konkrete të imazheve që përbëjnë tërësinë e titullit të përgjithshëm “Identiteti im”, një identitet që sa është origjinal është edhe universal. 

Por, mesazhin që sjell kjo ekspozitë me fotografi e përshkruan më saktësisht autori i saj Avni Pantina me fjalët që dalin nga vetë ai: “Vij tek ju me identitetin tim, me porosinë humanitare të popullit tim të veshur me gjuhën e paqes që përçon arti. Vij me imazhet e fotografisë para juve me lashtësinë time dhe me modernitetin tim, me qenien time dhe me porosinë universale të gjuhës së pikturave të cilat flasin jo përmes shkronjave por përmes vijave dhe shkrepjes se aparatit që gjithsecili t’i rendis dhe t’i lexojë sipas shijes dhe versionit të vet kuptimor”.