Asociacioni në sytë e opinionit publik

Fillimi i dialogut me Serbinë padyshim që pati shënuar një trajektore mjaft sfiduese për Kosovën. Asokohe, nuk ka qenë e pritshme që opinioni publik ta mbështesë këtë proces me entusiazëm. Si pasojë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë pati vendosur të bëjë matjen e perceptimit të kosovarëve në lidhje me dialogun politik me Serbinë – veçanërisht marrëveshjet që janë arritur në këtë proces, në kuadër të Barometrit Kosovar të Sigurisë.
Rezultatet e para të Barometrit tregojnë se duke e gjetur veten para një procesi të pakthyeshëm politik dhe duke menduar se shmangia e këtij, ta themi, obligimi ndërkombëtar, do të sillte ndërlikime për Kosovën sidomos në aspiratat për anëtarësim në BE, rreth 60% të kosovarëve mbeshtetnin dialogun – por një dialog të strukturuar e me kushte. Megjithatë, perceptimet e qytetarëve kundrejt këtij procesi të mbledhura përgjatë pesë viteve të dialogut tregojnë qartë ndërlidhjen në mes të situatës politike dhe diskursit politik momental. Opinioni publik në lidhje me këtë proces ka pësuar luhatje të vazhdueshme duke vënë në dyshim arritjen e qëllimit gjithpërfshirës – atë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për më tepër janë ngritur pyetje nëse Kosova duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë, dhe nëse duhet ndryshuar qëndrimi në këtë proces. Ashtu siç është pritur, dialogu është parë nga dy këndvështrime të ndryshme nga të dyja palët – shqiptarët dhe serbët – megjithatë, për herë të parë ky proces po shkakton ndarje të thella në mes të qeverisë dhe opozitës në Kosovë.

 
(Mos) normalizimi) i marrëdhënieve
Trendet negative ndaj dialogut tregojnë që perceptimi publik për këtë proces po arrin kulmet e skepticizmit. Një pjesë e konsiderueshme e Kosovarëve besojnë se dialogu është një proces politik i mbyllur dhe shkëputur nga realiteti në Kosovë; prandaj ka dështuar për të siguruar progres në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gati pesë vite pas fillimit të dialogut, do të ishte e pritshme që opinioni publik të zbutej tashmë, megjithatë të gjeturat tregojnë se trendi negativ ka shënuar rritje që nga 2010. Mbi 55% të qytetarëve e shohin dialogun si të dështuar për të arritur qëllimin gjithpërfshirës, atë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë proces si të panevojshëm.

 
Mungesa e Transparencës – diplomacia e tepruar e BE-së
Nëse diçka mbahet në mend nga tërë ky proces është mungesa e transparencës dhe dështimi për të informuar drejtë publikun sidomos në lidhje me marrëveshtjet e arritura në Bruksel. Pothuajse çdo marrëveshje u cilësua si historike, megjithatë pyetja që secila palë ka ngritur është se për kë: Kosovën, Serbinë apo BE-në, e cila me çdo kusht po synon të nxjerrë rezultat?
Pothuajse të gjitha marrëveshjet që janë arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë janë interpretuar ndryshe nga palët e përfshira në proces, si dhe vetë BE-ja si palë ndërmjetësues. Mungesa e transparencës gjatë gjithë procesit, dhe vendimmarrja pas “dyerve të mbyllura”, kanë krijuar vakuum dhe hapësirë për keqinterpretim, keqpërdorim të përmbajtjes së marrëveshjeve nga ana e elitave politike në të dy vendet. Si pasojë, kjo çoi në një rritje të konfuzionit në mesin e të dy palëve, shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës. Për më tepër, tendenca për triumfalizëm sidomos nga pala Serbe po i kontribuon edhe më tej ashpërsimit të opinionit publik kosovar kundrejt këtij procesi.
Në sytë e shqiptarëve, Serbia është pala fituese e këtij procesi, sipas 50% të respodentëve kjo e fundit po përparon dukshëm në rrugën drejt BE-së duke përdorë Kosovën si mjet. Në anën tjetër rreth 30% e serbëve mendojnë se Kosova po fiton me shumë se Serbia, duke menduar që fundi i këtij procesi do të sjellë njohje për Kosovën.

 
Asociacioni – diskursi i egër politik dhe opinioni publik
Efekti negativ i marrëveshjes e tejkaloi procesin e dialogut me Serbinë, duke patur pasoja në funksionimin e institucioneve – edhe ashtu të brishta- shtetërore.
Finalizimi i marrëveshjes dhe detajet e publikuara të përmbajtjes së saj vetëm pas nënshkrimit kanë sjellë reagime të ashpra në Kosovë. Përveç kësaj, rritja e vetëdijes për këtë marrëveshje, duke qenë çështja më e diskutuar në media dhe në mesin e politikanëve, ka kontribuar në rritje të trendit negativ kundrejt asociacionit. Rreth 72% të qytetarëve në Kosovë e shohin këtë marrëveshje jo vetëm të dëmshme por edhe të rrezikshme për Kosovën. Përderisa shqiptarët e shohin si cënim të rëndë të rendit kushtetues të Kosovës dhe stabilitetin e vendit, serbët në anën tjetër shohin asociacionin si pozitiv duke e parë si hap pozitiv drejt përmirësimit të jetës së tyre në Kosovë.

 
Pasojat e mungesës së konsensusit politik në lidhje me dialogun
Vetëm puna në terren dhe kontakti me qytetarët të bën të kuptosh procesin e formësimit të opinionit kundrejt çështjeve relevante. Injoranca e qeverisë, mos konsultimi i opozitës para nënshkrimit të marrëveshjes, qasja indiferente ndaj krizës politike dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese i dha një shkas qytetarit të formësojë mendime negative për qeverinë dhe dialogun në përgjithësi. Në anën tjetër, opozita gjeti një pikë të fortë shtytëse në mobilizimin e qytetarëve kundër qeverisë. Diskursi i ashpër politik dhe publik ndaj “zajednicës” bëri që qytetarët, pavarësisht se sa janë në dijeni për detajet, me inercion të shprehin jo vetëm hezitim por edhe refuzim të ashpër dhe protestues ndaj marrëveshjes. Asgjë nuk e reflekton më mirë këtë realitet se sa pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm të qytetarëve në protestat e organizara nga opozita.

 
Sidoqoftë, dështimi i gjetjes së konsensusit politik në lidhje me dialogun me Serbinë, më specifikisht marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave serbe, do të reflektojë negativisht në opinionin publik edhe ashtu të luhatshëm kundrejt këtij procesi. Kjo përveç të tjerash mund të sjellë pasoja të konsiderueshme për sigurinë publike në Kosovë dhe në funksionimin e shtetit në përgjithësi.

Donika Emini

Artikulli paraprakBritaniku rrëfen makthin 14-vjeçar në burgun e Guantanamos
Artikulli vijuesBerlini ka kërkuar hetim ndërkombëtar për Kumanovën, Shkupi hesht