Atentat ndaj ekipit të Fenerbahçe

Fenerbahçe të shkokuar pas sulmit në Trabzon: Ky është tentim atentati ndaj ekipit

Burime spitalore raportojnë se gjendja shëndetësore e shoferit të autobusit i cili u plagos në sulmin natës së kaluar ndaj ekipit futbollistik Fenerbahçe në Arakli të Trabzonit është e qëndrueshme, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Sulmi ndaj lojtarëve dhe stafit të klubit Fenerbahçe ka ndodhur mbrëmë në orët e vona, ndërsa klubi ishte duke u kthyer nga ndeshja kundër Caykut Rizespor në aeroportin në Trabzon. Pas sulmit pasoi hetimi pesëorësh policor, ndërkohë që ekipi i Fenerbahçes pastaj mbërriti në aeroportin Sabiha Gokcen në Stamboll. 
 
Në aeroport i kanë pritur presidenti i klubit Aziz Yildirim, si dhe shumë zyrtarë të tjerë të klubit dhe grupi i tifozëve. 
 
Në hetimin e incidentit morën pjesë mbi 50 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, ndërsa guvernatori i rajonit Trabzon Abdil Celil Oz deklaroi se të gjitha dëshmitë e mbledhura tregojnë se bëhet fjalë për sulm të armatosur, por se detajet janë akoma subjekt i hetimeve.
 
Shoferi i plagosur i autobusit është shtruar në qendrën klinike në Trabzon, ndërsa mjeku Tevfik Ozlu tha se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme. Ai shtoi se shoferi është plagosur në pjesën e majtë të fytyrës dhe se gjakderdhja është ndalur. 
 
Nga stafi menaxhues i Fenerbahçes pretendojnë se është e pashmangshme që garat në të gjitha ligat e futbollit në Turqi të pezullohen përkohësisht derisa rasti i mbrëmshëm të zbardhet dhe derisa të zbulohet kush dhe pse bëri atë. 
 
Në komunikatën e lëshuar në uebfaqen zyrtare të klubit theksohet se sulmi i mbrëmshëm nuk paraqet sulm të zakonshëm të tifozëve, por se bëhet fjalë për “sulm të armatosur të organizuar dhe tentim atentati ndaj ekipit”.
Artikulli paraprakSHBA – Fiton pafajësinë pas 30 vjetëve burg
Artikulli vijuesKosova e varfër me Qeveri të shtrenjtë