Kosova e varfër me Qeveri të shtrenjtë

Kanë kaluar gati 4 muaj që kur Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës, e krijuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mori pëlqimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por ende nuk është kompletuar me të gjithë zëvendësministrat dhe stafin tjetër këshillëdhënës.
Pse po ndodh kjo nuk ka asnjë shpjegim zyrtar. Supozohet se arsye e parë është se partitë e koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK, po kanë vështirësi të brendshme që lidhën me rehatimin e militantëve të tyre partiakë. Arsye tjetër supozohet të jetë presioni i madh i shoqërisë civile dhe të partive opozitare që të mos ketë një megakabinet qeveritar, pasi Kosova është shteti më i varfër në rajon dhe nuk ka logjikë ta mbajë një qeveri shumë të shtrenjtë, me shumë ministra, e zëvendësministra dhe staf tjetër të tyre.
 
Duket se për t’iu shmangur telasheve, si për supozimin e parë ashtu edhe për të dytin, partitë e koalicionit e kanë gjetur një strategji tjetër për emërimin e zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë, duke bërë emërime të këtilla herë pas here dhe larg syve të medias.
 
Emërimi i zëvendësministrave dhe këshilltareve politikë që nga paslufta nuk është bërë asnjëherë në baza profesionale në mënyrë që të rrisin performacën e dikastereve qeveritar, por vetëm sa për t’i rehatuar njerëzit e partive në pushtet. Kështu po veprohet edhe tash.
 
Njohës të çështjeve politike thonë se është më mirë të mos ketë fare zëvendësministra, pasi sipas tyre, emërimi i shumë zëvendësministrave vetëm sa e ngarkon buxhetin, por me këtë nuk pajtohen drejtuesit e partive të koalicionit, ngase duan që në këto poste t’i rehatojnë militantët partiakë dhe të afërmit e tyre.
 
Ashtu siç ka raportuar edhe më herët KosovaLive, Qeveria e re vlerësohet të ketë bërë një gabim shumë të madh në kuptimin e strukturës së ministrave, pasi sipas njohësve të çështjeve politike, 90 për qind e tyre janë emëruar në bazë të preferencave politike e jo në bazë të profesionit. Një gjë e tillë po ndodhë edhe në rastin e emërimit të zëvendësministrave.
 
Ndonëse në ueb faqet e ministrive mungojnë të dhënat se kush janë zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë, ne jemi munduar që të bëjmë një analizë rreth përbërjes së kabinetit ministror dhe përputhshmërinë e tyre profesionale me postin në ministritë përkatëse.
Ka pak ditë, më saktësisht më 11 mars, kur Lirak Çelaj është emëruar zëvendësministër i Drejtësisë, ndonëse ai ka të përfunduar Fakultetin e Arteve në Degën a Artit Dramatik, drejtimi i Aktrimit më 1995.
 
Çelaj i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Ai është edhe anëtar i Këshillit Drejtues së PDK-së. Thuhet se Çelaj ka ndjekur disa shkolla dhe kurse politike në Kosovë dhe në rajon, por jo edhe në fushën e drejtësisë.
 
Dikush do të thoshte po pse jo kur ta zëmë në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, është emëruar bashkëpartiaku i tij, Memli Krasniqi, i cili ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka mbaruar magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
 
Edhe në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryeministri Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i LDK-së, e ka emëruar bashkëpartiakun e tij, Skender Hyseni, i cili ka përfunduar në Prishtinë studimet universitare në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, ndërsa siç shkruan në biografinë e tij, vëmendjen e ka përqendruar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme dhe sistemeve politike, duke qëndruar për studime të shkurta në Bloomsburg State College në SHBA (1978) dhe në Universitetin e Aberdinit në Skoci (1986).
Nga posti i drejtorit të ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, më 11 mars është emëruar zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala. Ai ka të përfunduar Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, ndërsa për 4 vitet e ardhshme do të jetë zëvendësministri i Ferid Aganit, i cili nga mjekësia synon “t’i shërojë mjedisin edhe ashtu të ndotur të Kosovës”.
 
Agani ka vetëm një zëvendësministër, por në përbërjen e kabinetit të tij ka edhe 6 këshilltarë politikë.
 
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka tre zëvendësministra, Nehat Mustafa i cili ka qenë edhe më parë zëvendësministër i Arsimit dhe dy zëvendësministra nga komunitetet, Usmen Baldži dhe Serboljub Djokic.
 
Përveç zëvendësministrave ai ka edhe pesë këshilltarë politikë: Zenun Halili, Kushtrim Shkodra, Azem Guri, Petrit Kelmendi dhe Hysen Bytyçi.
 
Ramadan Iliazi, i cili në kohën e parafushatës iu bashkua kabinetit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke vepruar si këshilltar i tij, nga ky post tashmë është emëruar zëvendësministër i Ministrisë së Integrimeve Evropiane.
 
Ilazi ka përfunduar studimet Master në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me fokus në Studime për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e St.Andrews në Skoci, në kuadër të bursës Chevening të Ministrisë së Jashtme Britanike.
 
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, në përbërjen e kabinetit të tij ministror ka pesë këshilltarë politikë: Fisnik Rexhepi, Arlinda Ramadani, Mrika Kotorri, Valentina Hamza dhe Zoga Çeta, për të cilët nuk ka të dhëna se çfarë shkollimi dhe kualifikimi kanë.
 
Në Ministrinë e Financave është emëruar zëvendësministër Agim Krasniqi, i cili ka qenë drejtor i buxhetit në këtë ministri. Në përbërje të kabinetit të ministrit të Financave, Avdullah Hoti, janë pesë këshilltarë: Asdren Osaj, Ardita Dushi, Donjeta Dragusha, Ali Lushi dhe Florin Peci, për të cilët po ashtu nuk ka të dhëna se çfarë shkollimi dhe kualifikimi kanë.
 
Emërimi i zëvendësministrit të Shëndetësisë nuk është bërë ende, ndërsa ministri Imet Rahmani, i ka 6 këshilltarë politikë: Izet Sadiku, Valbon Krasniqi, Shefqet Sylejmani, Mirsad Kamerolli, Zejdush Tahiri dhe Ramadan Halimi.
 
Në ueb faqen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk është e shfaqur asnjë e dhënë për zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë, ndonëse emërimi i tyre është bërë më herët.
 
Këta janë vetëm disa nga emrat të cilët janë bërë publik nga ministri të ndryshme. Ka shumë nga ministritë që nuk kanë publikuar emrat e kabineteve qeveritare dhe kjo nga analistët vlerësohet si fshehje nga ky kabinet qeveritar.
 
Se kabineti i tashëm qeveritar është edhe më i madh se ata paraprakët nuk ka dilemë. Pse po ndodh kjo në kohën kur popullata po varfërohet nuk preferojnë të japin përgjigje zyrtarët e partive të koalicionit qeverisës.
Edhe analistët dhe njohësit e çështjeve politike dhe ekonomike nuk preferojnë të flasin për këtë çështje, me arsyetimin se ende nuk dihet saktësisht përbërja e kabinetit qeveritar dhe stafit tjetër të ministrave e zëvendës ministrave. Jo zyrtarisht këta të fundit mendojnë se ky megakabinet qeveritar është pasojë e koalicionit qeverisës të dy subjekteve më të mëdha politike, pasi partia që ishte në pushtet (PDK) është munduar të mos dobësohet me pozitat pushtetëmbajtëse, por edhe kërkesat e partisë që po hynte në pushtet kanë qenë gjithashtu të mëdha.
 
Kohë më parë, KosovaLive ka
raportuar se sa pritet që të shpenzojë Qeveria e Kosovës për katër vitet e ardhshme, respektivisht sa do t’i kushtojë ajo taksapaguesit kosovar.
 
Sipas një parallogaritje të thjeshtë një zëvendëskryeministër do t’u kushtojë qytetarëve të Kosovës rreth 215 mijë euro.
 
Pagat e 20 ministrave do të kushtojnë mbi 1.2 milion euro, kurse pagat e rreth 50 zëvendësministrave mbi 2.5 milionë euro. Pagat e rreth 170 këshilltarëve politikë do të krijojnë rreth 5.4 milionë euro shpenzime për katër vite; pagat e 190 nëpunësve të kabineteve do të kushtojnë 3.1 milionë euro; e pagat e 60 vozitësve, mbi 489 mijë euro.
 
Kabinetet ministrore për telefoni fikse dhe mobile, dreka zyrtare dhe për karburante për vetura do të shpenzojnë rreth 4 milionë euro, shifër kjo që nxirret nëse merren për bazë shpenzimet e këtilla në vitin 2013.
 
Këto pak të dhëna për shpenzimet që mund t’i ketë kabineti i tashëm qeveritar tejet i madh flasin mjaft për faktin se shteti i varfër i Kosovës, do ta mbajë një qeveri shumë të shtrenjtë. /KosovaLive/
Artikulli paraprakAtentat ndaj ekipit të Fenerbahçe
Artikulli vijuesStudimi i PEW: Islami vazhdon të jetë feja me rritjen më të shpejtë në botë