ATOM rrezikon shuarjen në mungesë të përkrahjes financiare nga qeveria

Instituti ATOM, që merret me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë, është bërë anëtare e Rrjetit Evropian për Përkrahjen e Talenteve (European Talent Support Netëork – ETSN) së bashku me 28 organizata të tjera të vendeve të ndryshme evropiane.

“Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për një organizatë nga Kosova, e cila bën punë profesionale të krahasueshme me organizatat homologe evropiane, megjithëse me resurse shumë të kufizuara financiare, infrastrukturore e profesionale. Për dijeni, vet ECHA është organizatë evropiane, e cila mbanë statusin e organizatës konsultuese në kuadër të Këshillit të Evropës”, thuhet në një komunikatë nga ky institut.

Kjo është arritja e dytë e ATOMI-t në nivel ndërkombëtar, meqë para dy vitesh edhe MENSA, organizata më e madhe ndërkombëtare që merret me personat me inteligjencë të jashtëzakonshme në botë, e cila ka shtrirje në më shumë se 100 vende të botës, kishte konfirmuar se i njeh dhe i certifikon praktikat, instrumentet dhe rezultatet e ATOMI-t., thuhet në komunikatë.

Megjithatë, ATOM thotë se ky institut rrezikon shuarjen për shkak të mungesës së përkrahjes financiare nga institucionet e vendit.

“Pavarësisht punës së mirë që ka bërë ATOMI që nga viti 2011 në funksion të identifikimit dhe përkrahjes së nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë dhe pavarësisht se puna e ATOMI-t pranohet e çmohet edhe në nivel evropian e ndërkombëtar, ATOMI tashmë rrezikon ta shuaj aktivitetin e vet për shkak të mungesës së përkrahjes financiare nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT)”.

Sipas drejtorit të ATOM, Jusuf Thaçi, “shuarja e ATOMI-t do të ishte një humbje e madhe për Kosovën, përkatësisht për kategorinë e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente, të cilët kanë nevojë të identifikohen e të përkrahen, në mënyrë që ta zhvillojnë potencialin e tyre dhe pastaj t’i kontribuojnë zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit dhe shoqërisë sonë në të ardhmen”.

Artikulli paraprakPër viza pritet vetëm vendimi politik, thotë Mustafa
Artikulli vijuesSali Berisha përjashtohet për 10 ditë nga Kuvendi i Shqipërisë