Suedia bën thirrje për ndalimin e sulmeve në Halep

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Margot Wallström, i ka bërë thirrje Rusisë dhe regjimit të Asadit të ndalojnë sulmet në Halep, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për televizionin shtetëror suedez SVT, Wallström ka theksuar se përdorimi i bombave fuçi dhe atyre të asgjësimit ndaj vendstrehimeve kundër civilëve është shumë shqetësues. “Fëmijët dhe gratë që dalin nga gërmadhat, bombardimi i spitaleve dhe njerëz të shtrirë nëpër rrugë… Me të vërtetë gjendje e padurueshme”, është shprehur ajo.

Wallström, duke i bërë thirrje Rusisë dhe regjimit të Asadit të ndalojnë menjëherë sulmet, ka thënë gjithashtu se e gjithë bota duhet të reagojë përballë kësaj gjendjeje.

Në sulmet e fundit ruse dhe regjimit të Asadit ndaj vendbanimeve në Halep të Sirisë të paktën 85 civilë kanë humbur jetën. Regjimi i Asadit deklaroi më 19 shtator se i ka dhënë fund armëpushimit të arritur mes SHBA-së dhe Rusisë në datën 12 të po të njëjtit muaj. Pas kësaj deklarate regjimi dhe forcat ruse filluan një ofensivë sulmesh ajrore ndaj vendbanimeve në Halep. ​

Artikulli paraprakKosovë, BIK: Xhaminë e Ibrit do ta rindërtojmë, herët a vonë!
Artikulli vijuesTrump jep fjalën për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit