Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj pas pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit ka nisur një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku në agjendë ka intensifikimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve.
Në ditën e parë të vizitës, në Abu Dhabi, Hoxhaj ka takuar ministrin e Jashtëm të Emirateve, Abdullah bin Zayed Al Nahyan me të cilin kanë diskutuar për një agjendë të përbashkët ekonomike dhe politike në muajt e ardhshëm.
Në takim është arritur pajtim që Kosovën së shpejti ta vizitoj një grup i investitorëve për të vlerësuar kapacitetet dhe asetet ekonomike të Kosovës.
“Sot kam pasur një takim jashtëzakonisht të mirë me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve, Abdullah bin Zayed Al Nahyan, me të cilin biseduam për shumë çështje të karakterit bilateral. Emiratet kanë qenë dhe janë një partner i rëndësishëm politik meqë e ka njohur Kosovën, ka ndihmuar në rritjen e numrit të njohjeve por edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Por qëllimi i vizitës është që si Emiratet të shndërrohen në një partner të rëndësishëm ekonomik për Kosovën dhe jemi pajtuar që ta organizojmë një Forum të Madh Ekonomik, në të cilin do të merrnin pjesë jo vetëm Emiratet, por edhe shtetet e tjera të Gjirit” ka thënë Hoxhaj.
Nga ana e tij, ministrit Al Nahyan ka deklaruar se ka ende shumë mundësi për të bashkëpunuar më afërsisht me Kosovën në të ardhmen.
“Ishte një mundësi e mrekullueshme për mua ta takoj homologun tim nga Kosova dhe të flasim për arritjet dhe progresin e Kosovës. Ne jemi shumë krenar për marrëdhëniet bilaterale që kemi me Kosovën dhe progresin që është arritur. Pa dyshim qeveria dhe populli i Kosoves kanë kaluar nëpër shumë sfida, Kosova ka miq të saj anembanë botës dhe ne mbesim të angazhuar në këtë drejtim. Ne vetëm mund të shpresojmë për një bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen në aspektin bilaterale që unë besoj kemi pasur mjaft të arritura, por edhe na mbetet të kemi të arritura edhe më shumë në të ardhmen” ka thënë Al Nahyan.
Ministrat Hoxhaj dhe Al Nahyan, kanë nënshkruar marrëveshjen për konsultimet e përbashkëta politike.
Hoxhaj gjatë qëndrimit në Emirate, do të zhvillojë një sërë takimesh dhe vizitash në Abu Dhabi dhe Dubai, mes tyre edhe takime me Autoritetin e Abu Dhabit për Investime dhe Odën Tregtare.