Shefja e Grupit Parlamentare të partisë opozitare Nisma për Kosovës, Valdete Bajrami ka kritikuar ashpër Presidentin, Hashim Thaçi, pasi ky i fundit u kishte nisur letra të hapura Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Prokurorial, përmes së cilave ai kërkonte që të zbardhen të gjitha krimet e kryera gjatë dhe pas luftës.
Në seancën plenare të Kuvendit, deputetja Bajrami tha se është e kotë tentativa e presidenti që me një thirrje të një konference tu hedh hi syve të popullit për dështimet dhe mashtrimet e tij.
“Ju dje me atë deklarim përmes asaj konference ofenduat të gjitha viktimat. Ju i vratë edhe një herë të gjithë ata familjarë që ranë për lirinë e vendit, ju viktimat e gjenocidit serbë i krahasuat me veprimet individuale të bëra pas luftës”, ka thënë Bajrami.
“Kjo është e papranueshme, që ju të shfrytëzoni viktimat e gjenocidit serb të bëra në luftën e fundit për interesa personale, për ndreqjen e imazhit tënd, sepse e dimë që vetëm për qytetarët ju nuk mendoni e lere më të punoni e kjo u dëshmua tashmë”, ka thënë Bajrami.
“Ku ishit qe sa vite?- pse nuk e keni bërë këtë veprim edhe më herët, pra kur ishit Kryeministër?”, theksoi Bajrami.
Sipas saj, nga presidenti Thaçi me këtë adresim e nxori në shesh anën e tij të errët. Deputetja e partisë Nisma ka than po ashtu se letrat e Thaçit kanë pasuar dëshmitë e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, sipas të cilit, Thaçi nga pozita e kryeministrit kishte ndikuar dhe kërkuar që paratë e shtetit t’i vë në shërbimin tij.
“Ne të gjithë e dimë që Gjykata Speciale do ta ketë këtë përgjegjësi, pra ajo do të jetë përgjegjëse për kërkesat tuaja që dje i drejtuat tek prokurori i shtetit, prandaj mjaftë me tallje, se do të vjen koha që ju personalisht do të jepni llogari për të gjitha dëmet që ia shkaktuar shtetit dhe qytetarëve të saj”, ka deklaruar deputetja Bajrami.
Në fund të fjalimit të saj, ajo i është drejtuar presidentit se “nuk do të mund t’i ikësh përgjegjësisë, ndoshta pak do vonoj por edhe ju e dini se fundin e keni afër!”.
Pas fjalës së deputetes së Nismës, ka reaguar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli,i cili publikisht ka ftuar kryeprokurorin e shtetit mos rri i heshtur në raste të tilla ku ka akuza të drejtpërdrejta.
Ndërkaq si kundërpërgjigje ndaj Bajramit për fundin e presidentit, Veseli deklaroi se “vetëm Zoti e di fundin e secilit”.
Të hënën, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka drejtuar katër letra Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përmes së cilave ai kërkon angazhimin e tyre për zbardhjen e krimeve gjatë kohës së luftës dhe atyre të pasluftës.
Në një adresim para medieve, Thaçi tha se arsyeja e dërgimit të letrave në adresë së institucioneve të drejtësisë ka si qëllim inkurajimin e tyre që t’i adresojnë për zgjidhje shumë raste të cilat i shqetësojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.