Bakir Izetbegoviç: BeH vetëm me konsensus mund ta njohë Kosovën

Presidenca e BeH, thotë Izetbegoviç, është duke u përpjekur për rivlerësimin e marrëdhënieve mes BeH-së dhe Kosovës, si dhe hapat që duhet bërë për të lehtësuar udhëtimin e qytetarëve të BeH në Kosovë dhe kosovarëve në BeH
 
 Bakir Izetbegoviç, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) para vizitës së Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan i cili ka planifikuar të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën në muajin maj, ka vlerësuar marrëdhëniet Turqi-BeH, zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në Turqi dhe zhvillimet në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Ai vlerëson se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bosnje Hercegovinës janë “shumë të mira”, dhe thekson se vizita zyrtare e presidentit Erdoğan do të jenë “kurora” e marrëdhënieve të mira të cilat zhvillohen vazhdimisht në 10 vitet e fundit mes dy vendeve.
 
Anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, marrëdhëniet me Turqinë i cilëson si “të shkëlqyera” në gjitha aspektet dhe shprehet se për këtë arsye gjatë diskutimeve me presidentin Erdoğan marrëdhëniet ekonomike do të jenë në plan të parë.
 
Izetbegoviç duke vënë në dukje se gjysma e tokave bujqësore të Bosnje dhe Hercegovinë nuk janë në përdorim, ai u shpreh ndër të tjera se: “Kemi lumenj të pastër me afërsisht 50 mijë kilometra gjatësi me rrjedhë të lartë. Këto mund të përdoren për kultivimin e peshkut ose në fushën e energjisë. Krahas kësaj kemi minerale të qymyrit, lëndë drusore dhe burimet minerare ende të pa-zbuluara. Kemi një forcë punëtore të arsimuar. Bosnja dhe Hercegovina akoma është në hapat e zhvillimit. Për këtë arsye duke qenë se çdo gjë është e përshtatshme do të jetë një hap i mirë për biznesmenët turq që të investojnë në vendin tonë”.
 
Izetbegoviç, në deklaratën për AA shpjegon se Forumi i Biznesit në Sarajevë i cili cilësohet si “Davosi i Ballkanit” është një organizatë serioze që çdo vit tërheq investitorë në vend. Ai tha se do të ftojë investitorët në forumin e biznesit i cili do të mbahet më 13-14 maj dhe gjithashtu shtoi më tej se “Mendoj se është koha e përshtatshme për të investuar në Bosnje dhe Hercegovinë”.
 
Ai mendon se Partia AK do të rimarrë besimin e votuesve në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 7 qershor në Turqi. “Ky ekip, ka krijuar një mrekulli në Turqi, duke mos u mjaftuar vetëm me zhvillimin ekonomik ata e kanë rikthyer Turqinë në vendin ku i takon”.
 
Presidenca e BeH, thotë Izetbegoviç, është duke u përpjekur për rivlerësimin e marrëdhënieve mes BeH-së dhe Kosovës, si dhe hapat që duhet bërë për të lehtësuar udhëtimin e qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës në Kosovë dhe kosovarëve në BeH.
 
– BeH vetëm me konsensus mund ta njohë Kosovën –
 
“Ne punojmë vazhdimisht rreth kësaj dhe këtu presim një qasje më fleksibile dhe më shumë mirëkuptim nga pala kosovare. Bosnja dhe Hercegovina vetëm me konsensus mund ta njohë Kosovën, unë personalisht këtë do të bëja që nesër. Si të them, pa palën serbe, pa miratimin dhe vullnetin e tyre që definitifisht të bëhet një hap i tillë, njohja nuk mund të ndodhë. Kjo është kështu në Bosnjë dhe Hercegovinë, kjo kështu është përcaktuar sipas Kushtetutës tonë. Serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë me siguri do të monitorojnë dhe do të koordinohen me atë që punon Serbia dhe unë mendoj se ky trend do të vazhdojë, procesi i normalizimit të këtyre marrëdhënieve, komunikim më i mirë, dhe në të ardhmen, ne do të shohim, unë shpresoj se do të ndodh njohja e Kosovës”, tha anëtari Presidencës të BeH.
 
Sipas tij, marrëdhëniet në rajon janë gjithnjë e më të mira dhe në raport me gjithë rajonin, me të gjitha vendet e rajonit me të cilat Bosnja dhe Hercegovina kufizohet vazhdon me këtë trend. Gjithashtu ai beson se marrëdhëniet në rajon do të jenë gjithnjë e më të mira.kohaislame
Artikulli paraprakMediat ndërkombëtare: Ngjarjet në Kumanovë, faji i krizës politike
Artikulli vijues13 deputetë muslimanë u zgjodhën në parlamentin britanik, 8 prej tyre femra