Ban viziton Iranin

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, dhe disa kryetarë shtetesh kanë arritur në Teheran për të ndjekur samitin e Lëvizjes së të Painkuadruarve.

Ban, gjatë vizitës së parë të tij në Teheran, pritet të diskutojë me udhëheqjen e këtij vendi projektet bërthamore dhe shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut.

“Si sekretar i përgjithshëm, jam shumë i kënaqur që vizitoj Iranin dhe besoj se do të kem bisedime konstruktive dhe të dobishme me udhëheqjen e lartë të Iranit. Po ashtu do të takoj njerëz për të mësuar më shumë për kulturën dhe historinë e Iranit”, ka thënë Ban, para gazetarëve në Teheran, raporton Rel.

Në mesin e zyrtarëve të tjerë që kanë arritur në Republikën Islamike janë edhe liderët e Indisë, Afganistanit dhe Autoritetit Palestinez.

Lëvizja e të Painkuadruarve është një grupim i shteteve që nuk e konsiderojnë veten pjesë të ndonjë blloku të fuqishëm. Irani tani mban presidencën e organizatës 51-vjeçare. Samiti ka nisur punimet qysh në fundjavë, por diskutimet kryesore zhvillohen të mërkurën dhe të enjten. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakDaçiq, Kacinit: Mos bërtit
Artikulli vijuesThirrje për protestë kundër Festivalit të Verës që pritet të organizohet në oborrin e xhamisë.